Nga Komuna e Tetovës arsyetohen se mbulimi i gropave me bekatona është bërë për shkak se ende nuk janë hapur bazat e asfaltit, ndërsa premtojnë se me fillimin e pranverës, do të fillojë sanimi i rrugëve me asfalt
Urim HASIPI
Tetovë, 12 shkurt – Infrastruktura rrugore vazhdon edhe më tutje të mbetet një ndër problemet kryesore, me të cilën po ballafaqohet Tetova si qytet. Ndër rrugët me të frekuentuara të Tetovës janë dy rrugët që shpijnë për në Spitalin e Tetovës, e të cilat janë në gjendje të rënë për shkak se për vite me radhë nuk janë ndërmarrë masa serioze dhe konkrete për rikonstruimin e këtyre rrugëve nga ana e institucioneve përgjegjëse, shkruan gazeta KOHA.
I vetmi investim që është bërë nga Komuna e Tetovës në këto rrugë është mbulimi i disa gropave me bekatone, mirëpo kjo nuk është zgjidhje për shkak se këto dy rrugë në masë të madhe janë të shkatërruara.
Vozitësit apelojnë që komuna duhet në kohë dhe në mënyrë të rregullt të kontrollojë problemet në infrastrukturë brenda në qytet, sidomos në hapësirat publike që të vërtetojnë dëmtimet dhe në kohë të sanohen. Sipas vozitësve, kjo dukuri nuk është e panjohur në qytetin e Tetovës, pasi shpeshherë gropat që duhet të sanohen – me ditë të tëra qëndrojnë të prera dhe mbulohen me asfalt me shumë vonesë, ndërkohë ata kanë shumë vështirësi, por edhe dëmtojnë automjetet e tyre. Këtë gjendje edhe më tepër e rëndon parkimi i veturave, të cilat në mënyrë jo të rregullt parkohen përgjatë këtyre dy rrugëve dhe për pasojë – pengojnë si qarkullimin e automjeteve, por edhe të këmbësorëve, prandaj qytetarët apelojnë që autoritetet përkatëse të vënë dorë edhe në këto rrugë.
Në një përgjigje me shkrim nga Komuna e Tetovës thonë se mbulimi i gropave me bekatona është bërë për shkak se ende nuk janë hapur bazat e asfaltit. “Arsyeja e mbulimit të gropave në të gjitha rrugët me bekatona është preventive, derisa të hapen bazat e asfaltit dhe të hyjmë në sezonin e pranverës që të mund të fillojmë me asfaltimin. Pra, kjo është masë e përkohshme që është ndërmarrë dhe menjëherë sa të lejojnë kushtet klimatike, do të fillohet edhe me rikostruimin, por edhe me sanimin e gropave”, thonë nga shërbimi për informim në Komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, nga Sektori për Tokë Ndërtimore dhe Komunikacion në Tetovë kanë thënë se është hapur tenderi dhe pritet që muajin e ardhshëm të fillohet me sanimin e gropave. “Janë ndarë mjetet e nevojshme për sanimin e gropave në rrugët e qytetit dhe në rrugët tjera që janë në kompetencë të Komunës së Tetovës. Kur të lejojnë kushtet, do të fillohet me mbushjen e këtyre gropave dhe kjo është në bazë të programës për punë për këtë vit”, thonë nga ky sektor. E njëjta situatë paraqitet edhe në rrugën mbi Gjykatën Themelore të Tetovës, ku edhe kjo rrugë edhe pse më pak e frekuentuar, në masë të madhe është e amortizuar dhe prej vitesh është kthyer në një shqetësim për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët që kalojnë atypari pasi të njëjtët janë të detyruar të kalojnë nëpër gropat e shumta. Ajo që është më problematike, në vazhdimësi gropat hapen në ato rrugë edhe ku janë asfaltuar jo më shumë se një vit, siç është rruga nga Shkolla e Muzikës e deri tek stadiumi i qytetit, ku sërish hasen gropa.
Situata e këtillë përsëritet gati se çdo vit pas shkrirjes së borës. Edhe pse çdo pushtet lokal në Tetovë ka ndarë mjete për sanimin e gropave, megjithatë të njëjtat janë prezente në çdo rrugë dhe njëkohësisht befasojnë vozitësit ngase mungojnë edhe paralajmërimet se rruga është e dëmtuar apo e njëjta është me gropa. (koha.mk)