Kire Trajkovski, Dejan Ilievski, Zlatko Serafimovski, Goran Trajkovski, Biljana Kotevska… janë shqiptarë! Kështu në vendimet për punë në shumë institucione shtetërore dhe lokale, maqedonas që deklarohen si “shqiptarë”, po zënë vendet e punës që janë hapur pikërisht për shqiptarët
Destan JONUZI
Shkup, 12 dhjetor – Në emër të shqiptarëve, në institucionet dhe organet shtetërore janë punësuar dhe po punësohen maqedonas. Janë disa raste të dokumentuar kohëve të fundit ku kandidatë të përkatësisë etnike maqedonase – punësohen në institucionet e vendit në emër të shqiptarëve, duke u thirrur në normën ligjore për përfaqësim adekuat. Edhe pse kjo normë është menduar si modus për arritjen e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucionet e shtetit, që duhet të jetë mbi 20 për qind, ajo shfrytëzohet në mënyrë brutale për t’u punësuar maqedonas në institucionet e vendit. Partitë politike dhe intelektualët shqiptarë e dënojnë aktin, ndërsa thonë se kjo është shkelje brutale e Ligjit për përfaqësim të shqiptarëve në institucionet e shtetit.
Nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive (MSPMB) për gazetën KOHA thonë se po e ndjekin këtë problematik me vëmendje të madhe. “Po ndiqet kjo problematik që është paraqitur gjatë realizimit të konkurseve për punësime në sektorin publik dhe njëkohësisht ju informojmë se në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po kërkohet zgjidhje në kuadër të mekanizmave ligjore. Njëkohësisht, MSPMB përkatësisht Qeveria e RMV është e përkushtuar në zbatimin e përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe të gjitha institucionet shtetërore janë të obliguara që t’i respektojnë të gjitha procedurat ligjore që parashihen për punësim në sektorin publik dhe njëkohësisht të respektojnë të gjitha mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si një nga shtyllat kryesore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit’, thonë për KOHA nga MSPMB.
Nga ana tjetër, nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) shprehen se çështja e punësimeve para zgjedhjeve është një model tashmë i njohur mirë për mbarë opinionin. “Në po të njëjtën mënyre ka vepruar edhe regjimi i kaluar VMRO-BDI edhe anarkia e tanishme e përbërë nga LSDM- BDI, po vepron njëjtë. Mirëpo, fakti që në vend të shqiptarëve punësohen maqedonas, derisa për afër dy dekada ende nuk është arrit përfaqësimi i plotë i shqiptarëve, është situatë sui generis dhe dëshmi absolutisht shumë e fuqishme që zhargonet e tipit ‘Shoqëri për të gjithë’ janë vetëm fjalë boshe sepse as kjo Qeveri nuk bën përpjekje as minimale për të ndërtuar shtet të barabartë për të gjithë, por përpiqet të ndërtojë shtet në të cilin si pronar do të jetë një etni dhe etnitë tjera do të konsiderohen pakica për të përmbushur boshllëqe numerike në Qeveri”, deklaroi për KOHA, Remzi Mehmeti, nënkryetar i ASH-së.
Ai thekson se ASH që nga themelimi i saj ka luftuar dhe vazhdon të luftojë kundër fenomeneve të këtilla dhe përpiqet të ndërtojë shtet të barabartë për të gjithë. Liridon Useini nga Lëvizja BESA thotë se kjo është një nga armët që përdor pushteti LSDM-BDI kundër shqiptarëve për t’i detyruar që të largohen nga vendi. “Ja edhe dëshmia e radhës se si pushteti aktual LSDM-BDI manipulon me vendet e punës, duke thënë që Kire Trajkovski, Dejan Ilievski, Zlatko Serafimovski, Goran Trajkovski, Biljana Kotevska… janë shqiptarë. Në bazë të kësaj mundohen të na bindin dhe me plot krenari e thonë që numri i punësimeve të shqiptarëve po rritet. Në fakt, me këtë veprim po na mohojnë të drejtën për aplikim të barabartë në vende pune, dhe me këtë, numri i të punësuarve shqiptarë në RMV ulet, ndërsa rritet në vendet e Evropës. Kjo është një nga ‘armët’ që përdorë LSDM-BDI kundër shqiptarëve për t’i detyruar që të largohen nga vendi”, deklaroi Usini.
Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik Shqiptar, potencon se kjo dukuri nuk është prej sot. “Tashmë sa duket u mbush kupa dhe doli në sipërfaqe kjo çështje. Kush e di se sa qindra janë nëpër institucionet e Maqedonisë e që janë paraqit në këtë mënyrë, me këtë mashtrim, pra që e hanë bukën e tjetër kujt. Për mua, kjo është e dënueshme dhe duhet të përdoren mekanizma kontrollues, mbikëqyrës dhe penal për njerëz të tillë. Nuk duhet të pranohen në vende pune njerëz ku sipas rregulloreve të punës, kërkohet individi i cili e njeh gjuhën shqipe. Duhet në mënyrë sistematike të kontrollohet dokumentacioni ose arkivat e instituteve dhe institucioneve. Jam i sigurt se nuk janë këto vetëm disa raste që dolën në media tash, janë qindra të tjerë që kanë zënë një vend pune, është futur dokumenti në arkiv atje dhe nuk e sheh askush. Duhet të zgjedhurit e popullit të merren më seriozisht me këtë punë, por ato kanë tjera punë mesa duket, këto janë punë të imta për ato”, shprehet për KOHA, Pollozhani. Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike në vend, Nijazi Muhamedi nënvizon se ky fenomen kërkon një analizë të thuktë para se të trajtohet. “Po që kur Qeveria ka themeluar një Agjenci për përfaqësim ‘adekuat’ të ‘bashkësive etnike’ ku i fut si lakra edhe shqiptarët aty, dhe vetë shqiptarët e mbajnë gojën plot me ‘komuniteti shqiptar’, dhe atë agjenci e drejton një nga ‘komunitetet lakra’, ky fenomen nuk është befasi. Por, nuk duhet marrë yrysh koti ndaj fenomenit pa e analizuar edhe një fakt: mund të ketë mes tyre edhe shqiptarë ortodoksë që përmes vendit të bukës, kthehen në origjinën e tyre të parë dhe kështu, pa i analizuar gjërat, mund të pengohet kthimi i tyre me fajin tonë…”, tha Muhamedi.
Ndryshe, kohë më parë shpërtheu skandali në Spitalin e Specializuat “13 Nëntori”, ku në emër të shqiptarëve – ishin punësuar disa maqedonas. Rastet e fundit kanë të bëjnë me punësimin e maqedonaseve në emër të shqiptarëve në Shërbimin e Zjarrfikësve në Shkup, punësime në zyrat rajonale të Gjykatës Themelore në Tetovë, Shtip, Koçan etj. Por këto janë vetëm disa raste të eksponuara në opinion. Jozyrtarisht flitet për qindra raste tjera ku ndër vite – maqedonas janë punësuar në institucionet shtetërore në emër të shqiptarëve.