“Meselenë e ustait” që përgatiste takëme për njëthundrakët si dhe atë vakinë e “tyxharit” ma shpjegonte gjyshi im me fiqir të veçantë, i cili asokohe ndoshta fare “nuk kishte haber” se unë një ditë do të bëhem një kopje e zbehtë e tij dhe këto dy ndodhi do t’i nxjerr në gazetë
Nga Fadil LUSHI
Miku im i dashur! Këtë vështrim timin me “titull të gjymtuar, me brendi të zbehtë dhe me për-fundim të paqartë”, mos e merr si personale, konceptoje vetëm si një shkrim të radhës për gazetë dhe kurrgjë tjetër, por, ama, mos harro se në përditshmërinë tonë monotone, ngandonjëherë në kulmin e acarit e të vapës, bën vaki që të na ikë “fiqiri” dhe kur ai na braktis, atëherë mund të shndërrohet në “teneqe” dhe në “tavan prej dërrase!”. Problemi nuk qëndron vetëm në këtë. Ai, herë-herë, bëhet “havale”, madje e bezdisshme dhe, kur bëhet e tillë, paraqet problem për fisin, për familjen, domosdo edhe për rrethin, qoftë ai fushor a malor. Shpesh herë ndodh që ky “fiqir prej teneqeje” dhe prej “dërrase”, të gënjen, të bën të dalësh nga vetvetja, të bën mendjemadh dhe, në fund, të bën “rrip daulleje!”
Dikur moti në kasabanë e gjyshërve të mi nga babai jetonte një zejtar i cili përgatiste takëme për kuaj, gomerë dhe për mushka. Bashkëkohësit si dhe dëshmitarët pamorë dhe dëgjimorë të tij thoshin se ai ishte një usta i mbaruar, por ama edhe një marifetçi i madh, i bezdisshëm, zemërngushtë, madje njeri provincialist. Shpesh ia donte “xhani” që të fuste hundët edhe aty ku nuk e kishin vendin. Duke u plakur filloi t’i pëlqente” surrati”, po edhe “fiqiri” i tij. Çuditërisht, në këtë moshë “një pas një filluan ta zaptojnë të këqijat dhe dertet”. Të keqen e parë e përjetoi që kur “kryeustai” i tij ra nga fiku i fqinjës lëneshë, lëre që u rrëzua, por u lëndua keq, theu qafën dhe boshtin kurrizor, njëkohësisht iu dëmtuan rëndë “topat e kandarit”… dhe krejt kjo i solli që “peshorja e burrërisë së tij” të shkojë në dreq të mallkuar?! E keqja e dytë u hetua në “vaktin e sabahut”, kur para se të merrte avdes “çiçin nuk e bënte me tamam dhe si pasojë avdesi nuk i dilte ashtu si duhet!” E keqja e tretë i nxori telashe edhe më të mëdha, kur i ikte pordha në mexhlise të burrave, po edhe në gjysmë ndeja grash. Meqenëse nuk arrinte që turbullimin a hutimin e tij ta mbulonte me shoshë, me gjysmë goje thoshte: “Ju, miq të mi të nderuar, më ndjeni për këto veprime të mia të pahijshme…, unë jam i papërmbajtur.., tekefundit, bytha ime – pordha ime, brekët e mia, fenda ime…,”, ndërsa kur i thoshin: “Usta, pse nuk bën kujdesin atëror dhe atë të rrobaqepësit për kafshët njëthundrake!”, ai u përgjigjej: “Ehe, ju me atë dijeninë që keni, edhe pordhës i thoni se qenkësh marrëzi e (pa)zakonshme!” Ndonëse ky “terziu” nuk e kishte “ndërmend” të ndryshonte në mendje, bashkëqytetarët kishin vendosur që të merren me kurimin e tij. “Kleri mysliman” nga katundi fillimisht i “vari në qafë hajmalinë” që t’i sillte mbarësinë, ndërsa “heqimi i shehrit”, i jep “ilaçe” për rikthimin e higjienës të fiqirit…, për arsye se ky njihej si një “mjeshtër” me aftësi mendore të kufizuara! Që kur “kleri mysliman” nga katundi dhe “heqimi nga shehri”, kishin konstatuar se ky “samarxhiu” nuk mund të shërohej nga mendja, nga sjellja e vrazhdë si dhe nga kompleksi i të qenit provincial, i kishin parashtruar pyetjen: “Pa na trego, çka do të bëhesh!” Ai kishte parapëlqyer të bëhej aristokrat dhe kryeparë i prefekturës ku jetonte. Për fat të keq, asnjëherë nuk vuri prapanicën në kryeminderin e njësisë më të madhe administrative… dhe, në fund, përtej dëshirës së tij, kishte “degdisë” në mëhallën e evgjitëve për të bërë pordhën e radhës aty ku lahet leshi prej xhami dhe leshi me qime…, “dhe e dini ç’e gjeti samarxhiun kur u mundua të pjerdh sa aristokrati i shehrit…, thjeshtë, iu shqye b…”. Toptan qe (zh)gënjyer nga shpresa e fundit, nga sytë, nga daullja e veshit të djathtë dhe nga fiqiri i tij prej teneqeje! Njerëzit e mençur thonë se vesi i keq mbetet përgjithmonë i keq, dhe atë nuk e ndryshon dot “kollaj”.
Njësoj si ky “rrobaqepësi” për kafshët njëthundrake, në kasabanë time jetonte një tregtar i madh. Me shumë vonesë u bë i pasur edhe përtej faktit që pronën shoqërore e shndërroi në pronë private! Të gjithë fukarenjtë në hall si dhe tregtarët e vegjël e shëtitës i qëndronin rreth e rrotull këtij “tyxhari” pavarësisht se ua pinte gjakun. Kur i ikte qejfi, ua përcillte nga një “selam” prej…, ishte “kallëp” i veçan-të. Edhe ky një ditë kishte vendosur që të ndërronte “bajrakun, dinin e imanin dhe së fundi edhe zanatin” nga babai. Në vend të “tyxharllëkut”, filloi të shiste flamuj shtetesh të ndryshme. Dhe, kur veprimtaria tregtare filloi t’i shkonte drejt falimentimit, tha me gojën plot: “Ore, miku im, si thua, të bëj aktorin e teatrit dhe atij të komikut!” Fatkeqësisht, në këtë lëmë lëre që nuk i eci “zari”, ashtu siç kishte menduar, por edhe nuk i dolën “hesapet” e shtëpisë. Në fund ngeli me gishtin në gojë dhe me atë të mesmin në…, shumë vonë e kuptoi se aktrimi dhe aktori komik bëhen në teatër dhe jo në pazare. Asnjëherë nuk u hetuan prova karshi atdhedashurisë së tij, përkundrazi edhe atë pak që e kishte e dha “veresie”, për arsye të panjohura. Për këtë, lëre që nuk u bë “pishman”, por edhe hiç nuk u “s(i)ëkëlldis!”.
Në “shehrin e samarxhiut dhe tyxharit” dikur jetonte një mësues (komunist). Ç’është e vërteta punën e bënte me shumë zell e pasion, saqë kolegët e tij e kishin inat, ndërkaq prindërit kërkonin me ngulm që çunat dhe çupëlinat e tyre, dijen, shkrimin dhe këndimin fillestar ta merrnin a ta mësonin nga ky mësues me përvojë të vyer. Gjithmonë kishte vend të merituar në kuvendin e arsimdashësve. Por ama, autoriteti, zelli dhe pasioni filloi t’i zbehet dhe zgjati deri në momentin kur “fiqiri” iu shndërrua në “ulluk prej llamarine”…, derisa nuk e propozuan për deputet të zonës…, derisa nuk filloi të merrej me thashetheme politike, me punë shtrigërie si dhe me përgojime gjithandej rrugëve dhe skutave të mëhallës së tij. Një ditë ishte ngatërruar me një protokollist! Fillimisht, kryeparit të partisë politike, ia shau mamanë, pse ky i fundit ia kishte zëvendësuar “opingat e tij prej lëkure të lopës, me këpucë allafrënga prej Stambolli…, por ja që, fatkeqësisht, këto këmbë të tij të shtrembëruara dhe gishtat të gjithë çatall, me thonj të deformuar keqas nuk ishin për ato këpucë prej Konstantinopoje…,” edhe sekretarit të partisë ia shau fisin, pse ky i fundit i kishte thënë: “Kur do bësh muhabetin dhe kur do e trashësh atë, hiq gishtin nga hunda…”. Edhe kadrovikut të partisë ia shau targën e automjetit, pse ky i fundit i kishte thënë: “Nuk bëhesh deputet, sepse partisë nuk i duhet kaçak mali…”, edhe nënkryetarit ia shau katundin pse ky i fundit i kishte thënë: “Ti nuk bëhesh diplomat, sepse britmat i ke si të çakallit!” Nuk harroi ta shajë edhe shoferin e shefit, pse ky i fundit nuk i ka çuar “selame tezes së tij”, e të tjera të shara të rënda.
“Meselenë e ustait” që përgatiste takëme për njëthundrakët si dhe atë vakinë e “tyxharit” ma shpjegonte gjyshi im me fiqir të veçantë, i cili asokohe ndoshta fare “nuk kishte haber” se unë një ditë do të bëhem një kopje e zbehtë e tij dhe këto dy ndodhi do t’i nxjerr në gazetë.
Paragrafi i fundit i kësaj “shkarravine” është pronë imja mendore, e shkruar në pikë të vapës tetovare… Se ç’kuptim kishin llafet “teneqe dhe ulluk prej llamarine”, unë nuk e mora vesh! Miku im, unë besoj se edhe ti nuk do t’i kuptosh! (koha.mk)