Nga Fatos SALLIU
Tashmë është vërtetuar historikisht. Esnafët e Elbasanit hodhën bazat e ekonomisë së tregut në Perandorinë Osmanë. Për të kuptuar më mirë atë shkallë të lartë civilizimi dhe organizimi gjatë Mesjetës në qytet kryesore të Shqipërisë në përgjithësi, e sidomos të Elbasanit në veçanti, është e rëndësishme të njihen marrëdhëniet e prodhimit, llojet e mallrave që prodhoheshin, shitja e tyre, rregullat e vendosura etj. Në këtë kuadër, një vend të rëndësishëm zinin edhe bashkimet mbi baza profesioni të zejtarëve vendas, ose e thënë ndryshe, Esnafët. Ky fenomen në Evropën Mesjetare kishte nisur që nga vitet 1200. Por çfarë ishin esnafët, çfarë përfaqësonin ata, kur kanë ekzistuar dhe si ishin organizuar?? Një qind vjet pas themelimit të qytetit të Elbasanit nga pushtuesit osmanë, vihet re një zhvillim i vrullshëm i tregtisë dhe zejtarisë në këtë qytet. Kjo bëhet e kushtëzuar edhe nga pozita e favorshme e qytetit të Elbasanit si nyje lidhëse ndërmjet të gjitha trevave shqiptare e veçanërisht të funksionimit të transportit përgjatë rrugës tokësore Egnatia që zinte fill në portin e Durrësit dhe përshkonte gati të gjithë Ballkanin, jugperëndimor (Durrës, Qaf Thanë, Ohër , Strugë, Manastir, Selanik e më tej).
Nga ana tjetër qetësia e siguria që garantohej nga garnizoni ushtarak osman i fortesës së re, Kalasë së Elbasanit, që u rindërtua në vitin 1446 nga sulltan Mehmet II Fatiu i mbiquajtur “Ngadhënjimtari”. Sipas të dhënave të kohës, Elbasani i kësaj kohe numëronte mbi 900 dyqane dhe punishte. Por, zhvillimi i tregtisë dhe i zejtarisë do të shoqërohet edhe me format më të përsosura të organizmit (korporativë) të esnafëve. Gjurmët më të hershëm të organizmit esnafor të fazës embrionale, i takojnë gjysmës së dytë të shekullit XVI. Për herë të parë në vendin tonë në vitin 1580 në qytetin Elbasanit hasen esnafët (tajfat) e tabakëve (lëkurëregjësve), terzinjve, çullhenjve (leshpunuesve) takixhinjëve, fespunuesëve, shpataxhinjëve, gëzoftarëve etj. I tillë ishte Esnafi i Tregtarëve të Elbasanit i kryesuar nga disa kryepleq, që kishin krijuar prej shumë kohësh rregullat (besëlidhjet, marrëveshjet)e tyre. Veçanërisht një rëndësi e jashtëzakonshme mori Esnafi i Tabakëve. Kjo del edhe nga statuti (Sexhereja) i këtij esnafi i hartuar nga Sheh Seid Mustafa Sulejmani në 14 maj 1657. Statuti i Tabakëve të Elbasanit u bë shembull i të gjithë esnafëve të Rumelisë (pjesa evropiane e Perandorisë Osmane). Organizimi i esnafëve ishte e tillë: detyrimisht anëtarët ishin mjeshtri të së njëjtës zeje dhe të të njëjtit besim fetar. Në shekullin XVII Elbasani kishte 30 esnafë, përfaqësues të 60 lloje zejesh të ndryshme. Kronikani turk, Evlija Çelebiu, që ka vizituar vilajetet shqiptare në vitet 1660-1670 dhe ka lënë shënime të vlefshme historike, duke folur për zejtarët Elbasanit shkruan: Në këtë qytet punojnë me mjeshtëri shumë të hollë dhe me elegancë…” dhe më tej autori vijon përsëri : “… përgatitja e mirë profesionale e artikujve ushqimorë ku dalloheshin sidomos furrxhinjtë dhe gjellëbërësit (akçinjtë) e Elbasanit”. Duke folur për shijen e bukëve, ai thotë se : “…çyreku i bardhë, franxholla e ëmbël dhe simitja me qiqër janë më të përmendura”. Në kuadrin esnafor ishin të përfshirë edhe banorët me ngjyrë. Ata kishin esnafët e tyre si hekurpunues, sazexhinjtë etj.
ÇMIMET “ELBASAN PAZAR”
Me anën e dispozitave (kanun-nameve) të statutit, rregulloheshin marrëdhëniet e shkëmbimit të prodhimeve të ndryshme, përcaktoheshin taksat, çmimet, peshat, masat. Udhëzohej tregtia e jashtme, doganat, shitja e skllevërve, organizoheshin panairet lokale me mallrat e tyre, festat kolektive në vende piktoreske të quajtura ndryshe teferriçe, si në Bushek, Manastiri i Shën Joan Vladimirit, Kroi i Kalit, etj. Esnafet unanimisht vendosnin çmime fikse për mallrat e tyre në çdo vend ku tregtonin dhe caktonin me marrëveshje zonat e tregtisë dhe vendet e shitjes. Kudo mbizotëronte ndershmëria. Termi, i përdorur gjer në Selanik, “Elbasan Pazar” nënkuptonte çmim të pandryshuar. Brenda vendit esnafët luajtën një rol të rëndësishëm në çështjet organizative, ekonomike, politike, shoqërore, ushtarake të vendit.