Historiografia komuniste, si ajo shqiptare, ashtu edhe ajo jugosllave, Dibrën si tërësi, me pa të drejtë dhe në mënyrë tendencioze e paraqesin si “vatër” të lëvizjes komuniste. Është fakt i pamohueshëm se komunizmi jugosllav, gjatë LDB-së, hasi në mbështetje te një shtresë e vogël e popullsisë shqiptare të kësaj krahine, e cila ishte rrjedhojë e propagandës së fuqishme të komunistëve jugosllav, në krye me Svetozar Vukmanoviq – Tempo
Nga Qerim LITA
Hapja e shkollave të para kombëtare shqiptare, në historiografinë më të re shqiptare konsiderohet si Rilindja e dytë për shqiptarët e këtyre trojeve. S’do mend se për këtë meritë të madhe patën mësuesit shqiptarë, të cilët me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, përkatësisht ministrit Koliqi, që të kyçen në procesin e hapjes së shkollave në viset e liruara, me kënaqësi pranuan të vijnë në këto vise, duke i lënë të gjitha privilegjet që i gëzonin atje, vetëm e vetëm që t’ju dalin në ndihmë vëllezërve të tyre, të cilët posa ishin çliruar nga robëria tridhjetëvjeçare serbe. Shumë mësues me prejardhje nga Dibra e Madhe, të cilët për shkaqe politike ishin detyruar të vendoseshin në Tiranë e në qendra tjera të shtetit shqiptar, i shkruanin Ministrisë së Arsimit që t’ua mundësoj kthimin e tyre në vendlindje, me qëllim që të japin kontributin e tyre në ngritjen e vetëdijes kombëtare në ato toka të çliruara shqiptare. Me këtë rast e pamë të arsyeshme ta veçojmë letrën e doajenit të arsimit shqiptar të Dibrës, Remzi Pustina, i cili asaj kohe punonte si mësues në ShF. Në Vlorë:
“…Me rastin gazmuer të çlirimit qytetit t’im…., e mbas 2 vjet shërbimi në qytetin e Vlorës, lutem përunjësisht që në vitin e ardhshëm shkolluër 41-42 të transferohem në qytetin e Dibrës së Madhe ku kam shtëpin e pasunin e trashëgueme prej prindërve të mi, gja e cilla, jo vetëm do të më ndihmonte në pikëpamjen ekonomike, porë, do të më jepte kurajon për me punuë me vullnet të pa thyeshëm për dritën e Arsimit Kombëtar për të cilën ky vend vuën edhe sod…”. Kjo kërkesë e Pustinës u mbështet edhe nga kryetari i Misionit të Jashtëzakonshëm Shkollor për Prefekturën e Dibrës. Prof. Fadil Repishti, i cili më 25 gusht 1941 i shktuante Ministrisë së Arsmit Kombëtar me sa vijon:
“Gjatë kohës së Misjonit Shkolluer në Qarkun e Dibrës mësuesi Z. Remzi Pustina vullnetarisht ka shërbye në organizimin e rinisë, dhe ka tregue nji aktivitet të gjallë, e do t’ishte shumë i përshtatshëm transferimi i tij në këtë qendër”. Veprimtaria e mësuesve shqiptarë në Tokat e Liruara, përveç punës edukativo-arsimore, u dallua edhe në vetëdijesimin nacional te popullsia shqiptare, duke krijuar një plejadë të kuadrit rinor, i cili pas mbarimit të Luftës së Dystë Botërore, përkundër dhunës dhe terrorit komunist jugosllav arriti ta mbajë gjallë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, të cilës i printe Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare.
“Inteligjenca që erdhi gjatë kohës së okupacionit, – thuhet në një dokument të UDB-së jugosllave – ishte drejtuesja e më shumë ngjarjeve irredentiste dhe shoviniste. Nga këta mësues u krijua Organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Mendimet e veta shoviniste dhe irredentiste, mësuesit i përcillnin sistematikisht dhe me shkathtësi të shtresat. Vetë detyra e NDSH-së ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe…”.
Historiografia komuniste, si ajo shqiptare, ashtu edhe ajo jugosllave, Dibrën si tërësi, me pa të drejtë dhe në mënyrë tendencioze e paraqesin si “vatër” të lëvizjes komuniste. Është fakt i pamohueshëm se komunizmi jugosllav, gjatë LDB-së, hasi në mbështetje te një shtresë e vogël e popullsisë shqiptare të kësaj krahine, e cila ishte rrjedhojë e propagandës së fuqishme të komunistëve jugosllav, në krye me Svetozar Vukmanoviq – Tempo, i cili gjatë vitit 1943 për disa muaj qëndroi në hapësirat shqiptare në cilësinë e të deleguarit të Lidhjes komuniste të Jugosllavisë (LKJ-së). Gjatë asaj periudhe kohore, arriti ta bindë kreun e PKSh-së, për arritjen e një marrëveshja politike dhe ushtarake, e cila u nënshkrua më 25 qershor 1943 në Korçë nga ana e tij si përfaqësues i PKJ-së dhe Koçi Xoxes si përfaqësues e PKSh-së. Marrëveshja politike, do të realizohej “me ndihmën e ndërsjellët” për t’u ngritë siç thuhet në dokument: “pakica nacionale në luftë kundër okupatorit, shumica e së cilës sot qëndron në shërbim të okupatorit; në radhë të parë është pakica shqiptare e Maqedonisë…”. Me kërkesë të Tempos, Enver Hoxha, lëshoi një qarkore, deri te komunistët shqiptarë, që punonin në Trevat Lindore, që ta “rekomandojnë politikën komuniste” dhe në këtë drejtim, ata në mesin e popullsisë vendore shqiptare: “ta propagandojnë vëllazërim bashkimin mes popullit shqiptar me ato jugosllav…”.
Në anën tjetër, marrëveshja ushtarake, obligonte FNÇSH-në “të dërgojë çeta shqiptare, të cilat do të jenë nën komandën e Haxhi Lleshit në Zonën operative I të Maqedonisë…”. Çetave shqiptare, sipas marrëveshjes, do t’u jepej detyrë speciale të propagandojnë në rajonet shqiptare me këto parulla:
“1. Pakica shqiptare për interesat e veta, duhet që bashkërisht me maqedonasit të luftojë kundër okupatorit dhe kundër të gjithë bashkëpunëtorëve të saj.
2. Pakica shqiptare për interesat e veta, duhet të ndërpresë luftën vëllavrasëse, të cilën e inspiron okupatori dhe shërbëtorët e tij.
3. Pakica shqiptare për interesat e veta, duhet që bashkërisht me popullin maqedonas, të krijojnë UNÇ-në e përbashkët nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të LNÇ-së maqedonase.
4. Vetëm në këtë rrugë pakica shqiptare, bashkërisht me popullin maqedonas, do të marrë garancinë që me të vërtetë lirisht do të vendosë për fatin e vet në të drejtën e vetëvendosjes …!”.
Marrëveshja për bashkëpunim politik dhe ushtarak që u arrit mes Tempos dhe udhëheqësit e PKSH-së, fillimisht do të kontestohet nga Haxhi Lleshi, i cili në një letër dërguar SHP të Frontit Nacionalçlirimtar, shkruante:
“Në një dokument që na tregoi shoku Tempo, të firmosur nga shoku Koçi Xoxe, thuhet se disa krahina megjithëse shumica janë shqiptare, si për shembull Dibra, mvaren nga Shtabi Maqedhonas për organizimin etj. (ky dokument ka edhe firmën e Tempos dhe të një përfaqësuesi grek)….Nëse kjo krahinë, do të mvaret prej Shqipnisë mejtojmë, natyrisht, dhe të mirën e popullit maqedhonas simbas parimit t’onë (K). E mvarmja e Dibrës nga Shtabi Maqedhonas bën përshtypje të keqe edhe në krahinat e tjera si, për shembull, në Kërçovë, në Gostivar, në Strugë e tjera, ndërsa, e kundërta, ban përshtypjen ma të mirë meqë neve jemi të njohur në ato anë dhe i mbyllet rruga njëherë e përgjithnjë (deri sa të forcohemi ne) çdo rruge reaksionare….”.
Nga reagimi i Haxhi Lleshit, shihet qartë se kishin nisur përplasje dhe mospajtime edhe në shtabin e tij, prandaj ai kërkonte që përkohësisht, siç thekson në letër “deri sa të forcohemi “, krahina e Dibrës të jetë e varur prej Shtabit të Përgjithshëm të LNÇSH-së.
Nëse shikohet përmbajtja e marrëveshjes në të cilën Partia Komuniste Shqiptare obligohej që, krahas propagandimit politik të dërgojë edhe çeta ushtarake, të cilat do të vepronin sipas direktivave të Shtabit Kryesor të LNÇJ-së për Maqedoni, nuk mund të kuptohet ndryshe veçse futja e vëllavrasjes në këto treva. Koha kur është nënshkruar kjo, përputhet me bisedimet e Mukjes, andaj nga kjo del se Fronti Popullor, Mukjen nuk e konsideronte si një projekt me karakter afatgjatë mbarëkombëtar, por si një reklamë para opinionit shqiptar, që me kalimin e kohës ajo të hidhet poshtë. Ndikimi jugosllav ishte tepër i madh, andaj Tempo, Popoviçi dhe Mugosha nuk patën vështirësi t’i imponojnë projekte antishqiptare krahut komunist shqiptar.
Ndërkohë, Tempo, me ndihmën e H. Lleshit dhe Mehmet Hoxhës (në atë kohë prefekt i Dibrës), përvetësoi komandantin e xhandarmërisë së Nënprefekturës së Kërçovës, Hamdi Demën, i cili kah mbarimi i korrikut u arratis në mal së bashku me 42 xhandar e disa nëpunës të asaj nënprefekture. Atij iu bashkangjit edhe prefekti M. Hoxha, i cili njihej si njëri ndër më besnikët e politikës komuniste jugosllave.
Mirëpo, sado që fryma komuniste gjeti strehë në këtë qytet me traditë të lashtë jo vetëm ushtarake, por edhe kulturore e arsimore, e njëjta ishte tepër minore përballë frymës properëndimore, përkatësisht, asaj anglo-amerikane, në ballë të cilës krahas mësuesve shqiptar, për të cilët u bë fjal më lartë, qëndronin edhe intelektual të fushave tjera, personalitete të shquara të dijes e të pushkës, siç ishin: Shemsi Hatipi, Qeram Zllatku, Munir Shehu, Uke Cami, Osman Cami, Edip Tërshana, Medat Tërshana, Esat Mezexhiu, Ibrahim Tërshana, Fiqiri Dine, Fik e Ali Maliqi e shumë personalitete tjera. Historiani i mirënjohur ameriakan, Bernd Fischer, në librin e tij me titull: “Shqipëria 1943-1945 – një vështrim përmes dokumenteve perëndimore”, e publikon në tërësi Raportin e Misionit të Departamentit të Shtetit në Tiranë, që më këtë rast po i referohemi pjesës ku bëhet fjalë për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, ku ndër të tjerave thuhet se shqiptarët janë më pro-amerikan se në çdo vend të Ballkanit:
“..burimi i rëndësishëm i kësaj ndjenje pro-amerikane – thuhet në raport – është rezultat i aktiviteteve të shkollës teknike shqiptare që u mbajt për dymbëdhjetë vjet në Shqipëri nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe qeveria shqiptare, nën drejtimin e z. Harri T. Fulc (Hyrry T. Fultz). Gjatë ekzistencës së kësaj shkolle, ajo u ndoq nga më shumë se 5.000 shqiptarë, kurse gati njëmijë prej tyre u diplomuan…Ka edhe një grup më të vogël pro-amerikan, që përbëhet nga të diplomuar të shkollës bujqësore, e cila funksionoi dhe u mbajt për disa vjet në Kavajë nga Fondacioni i Lindjes së Afërme dhe së fundi, ka edhe një grup më të vogël zyrtarësh apo ish-zyrtarësh që punonin në Fondacionin Rokfeler në veprimtaritë e shëndetit publik dhe kontrollit malaries…”.
Iu referova këtij dokumenti, për arsye se një numër i konsiderueshëm i nxënësve të kësaj shkolle ishin me prejardhje nga Dibra e Madhe, të cilët sikurse edhe mësuesit për të cilët u bë fjalë më lartë, edhe ata posa Dibra e Madhe iu bashkua shtetit shqiptar, u kthyen në qytetin e tyre të lindjes, për të dhënë kontributin e tyre kombëtar. Në mesin e tyre duhet veçuar veprimtarin dhe atdhetarin e shquar shqiptar, Osman Cami, i cili pas mbarimit të LDB-së, së bashku me dr. Qeram Zllatkun, do të jenë themeluesit dhe udhëheqësit kryesor të Komitetit të NDSH-së për Qarkun e Dibrës, një organizatë antikomuniste, e cila qe themeluar në janar të vitit 1945 në Shkup, nga intelektualët e atëhershëm shqiptar: Azem Marana, Hasan Bilalli dhe Mahmut Dumani.
Pikërisht nga kjo plejadë intelektuale e atdhetare shqiptare të Dibrës, në verën e vitit 1943 u iniciua dhe u themelua Komiteti Kombëtar i njohur me emrin “Bashkimi Dibran”. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shqiptare, me 1 gusht 1943 njoftonte Ministrin e Punëve të Brendshme me sa vijon: “Kohët e fundit, asht krijue nji bashkim interesash në mes të Cen Elezit, Muharrem Bajraktarit, Myftar Kaloshit, Ali Maliqit e të Këshillatarit Epruer Fiqiri Dine, me qëllim qi me çue mbrenda nji kohe të shkurtë popullsinë kundër gjendjes së tashme…Ata janë marrë vesh që kjo aleancë të shtrihet edhe në qendrat e tjera, për çka dy të parët duhet të mësyjnë Prizrenin tre të tjerët Dibrën e Peshkopinë…”. (vijon)