Si shembull për “manifestimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, merret edhe emërtimi i fëmijëve të porsalindur shqiptarë, që gjoja asocuakan “në qytete, male dhe lumenj nga Shqipëria”, por edhe të simboleve dhe heronjve kombëtar shqiptarë si: Tirana, Elbasan, Berat, Valon, Shkodran, Mat, Labinot, Flamur, Shqipe, Shqipkuqe, Martanesh, Kastriot, Kushtrim, Liridon, Arbnesh, Arbnesha, Alban, Albana, etj, që sipas analizës, ato emra “nxisin nacionalizëm e separatizëm”.
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Teksti i Propozim Ligjit, paraprakisht u shqyrtua nga trupat kuvendore, të cilat pa asnjë rezervë i dhanë vizë jeshile. Kështu Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale, pas mbledhjes së mbajtur më 11 dhjetor 1985, i raportoi Dhomës së Komunave dhe Dhomës Shoqërore-Politike për sa më poshtë vijon:
“Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale i dha mbështetje Propozimit për sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal me Propozim-Ligj… Gjatë debatit Komisioni vlerësoi se ndryshimet dhe plotësimet që propozohen do të kontribuojnë në pamundësimin e keqpërdorimit të emrit personal që sjell deri te shkaktimi i urrejtjes dhe revoltës nacionale në mjedisin ku jetojnë qytetarët. Gjithashtu, ndryshimet do të kontribuojnë që të pamundësohet edhe emërtimi i paautorizuar të emrave personale dhe do të kontribuoj në vendosjen e rendit më të mirë të komunikimit juridik. Në debat, thuhet më tej në raport, u bë fjalë për mënyrën dhe procedurën e përcaktimit të emrave të cilat shkaktojnë urrejtje nacionale, racore dhe fetare. I besuari i Këshillit Ekzekutiv sqaroi se dispozita më të përafërta të procedurës gjatë përcaktimit dhe ndryshimit të emrit personal sjell sekretari republikan për punë të brendshme, për çka është i autorizuar me Ligjin ekzistues për emrin personal”.
Në fund të raportit, thuhej se Komisioni për raportues të vetën në Dhomën e komunave e kishte emëruar Hajredin Mehmetin, ndërsa për Dhomën Shoqërore-Politike, Spiro Spirovskin. Ndërkohë, Komision Juridiko-ligjvënës, në mbledhjen e mbajtur më 11 dhjetor 1985, vlerësonte se “ekziston bazë” për miratimin e një ligji të tillë, dhe se dispozitat mbi të cilat mbështetej Propozimi “janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe sistemin juridik”. Lidhur me tekstin e Propozim – Ligjit, Komisioni i propozonte Kuvendit, përkatësisht Dhomës së Komunës dhe Dhomës Shoqërore-Politike, dy amendamente. Amendamenti i parë i përkiste nenit 2, në rreshtin e dytë të Propozim-Ligjit, fjalët “nuk do të” të zëvendësoheshin me fjalët “nuk mundet”, dhe amendamenti i dytë, kërkonte që neni 3 të riformulohet si vijon: “Ndryshimi i emrit personal përkatësisht i emrit apo i mbiemrit nuk mund të miratohet nëse me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale apo fetare ose ofendohet morali i opinionit publik”.
Vërejtje të vetme, nëse mund të thuhet kështu, ndaj Propozim-Ligjit pati vetëm nga ana e Këshillit për politikë të brendshme pranë Dhomës Shoqërore-Politike, i cili në mbledhjen e mbajtur më 10 dhjetor pasi konstatoi se “ka nevojë për sjelljen e ligjit”, njëkohësisht pati vërejtje se i njëjti nuk mund të sillej me procedurë të shkurtë, dhe se për zgjidhjet e propozuara “do të duhej të kryheshin konsultime më të gjëra”. Mirëpo, Këshilli në të cilin merrte pjesë edhe një shqiptar, Vehbi Haziri, si duket nga presioni politik, më 17 dhjetor 1985 mbajti sërish mbledhje, ku ndryshe nga mbledhja e parë, tashti e mbështeti pa asnjë rezervë miratimin e ligjit në fjalë: “Në ndërkohë, thuhet në raportin e Këshillit, mbledhje mbajtën trupat punuese të Kuvendit dhe të dhomave, të cilat e mbështetën miratimin e këtij ligji si dhe tekstin e Propozim-Ligjit. Bazuar në nenin 298 të Rregullores së Kuvendit të RSM-ës, Këshilli në mbledhjen, të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 1985 e shqyrtoi sërish Propozimin për sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal, me Propozim-Ligj së bashku me raportet e Komisionit për marrëdhënie ndërnacionale, Komisionit Juridiko-Ligjvënës të Kuvendit të RSM-ës dhe Këshillit për marrëdhënie shoqërore-politike të Dhomës së Komunave dhe e pranoi tekstin e Propozimit të Ligjit pa asnjë vërejtje. Këshilli, përfundonte raporti, i propozon Dhomës që ta shqyrtoj dhe miratol Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal”.
Pasi mori dritë jeshile nga të gjitha trupat kuvendore, më 17 dhjetor të vitit 1985, Kuvendi i RS të Maqedonisë, në seancat e veçanta të Dhomës së Komunave dhe Dhomës Shoqërore-Politike, miratoi Ligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal të vitit 1972. I njëjti u publikua në “Gazetën Zyrtare të RSM-ës”, nr. 41/85, më datë 26 dhjetor 1985, përmbajtja e të cilit ishte për sa më poshtë vijon:
“LIGJI PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR EMRIN PERSONAL
Neni 1
Në Ligjin për emrin personal (“Gazeta Zyrtare e RSM-ës” numër 30/72) në nenin 1 pas pararafit 1 shtohet paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Në librin amzë të lindjes nuk mund të regjistrohet emri personal me të cilin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose me të cilin ofendohet morali i opinionit publik”
Neni 2
Në nenin 3 pas paragrafit 2 shtohet paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Ndryshimin e emrit personal,përkatësisht të emrit ose mbiemrit nuk mund të miratohet nëse me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose ofendohet morali i opinionit publik”.
Neni 3
Në nenin 8 pas paragrafit 1 shtohet paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Ndryshimi i emrit personal, përkatësisht i emrit ose i mbiemrit nuk mund të miratohet nëse me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose ofendohet morali publik”.
Neni 4
Në nenin 10 numri “500” zëvendësohet me numrin “30.000”, ndërsa numri “15” zëvendësohet me numrin “30”.
Pas paragrafit 1 shtohet paragrafi i ri me këtë përmbajtje: “Me dënimin nga paragrafi 1 të këtij neni do të dënohet për kundërvajtje edhe personi i cili në mënyrë të paautorizuar kryen ndryshimin e emrit personal të qytetarëve, përkatësisht vetëm të emrit ose vetëm të mbiemrit”.
Neni 5
Ky ligj hynë në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës Socialiste të Maqedonisë”.
Me miratimin e këtij ligji, siç u vu në dukje më lartë, prindërve shqiptarë u ndalohej t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emra që kishin karakter dhe domethënie nacionale shqiptare. Përveç kësaj, u ndërmorën masa ndëshkuese ndaj të gjithë prindërve që fëmijët e tyre mbanin emra burimor shqiptar. Komiteti komunal i Lidhjes komuniste të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 31 janar 1987, miratoi Konkuzionet për “zbatimin e procesit ideopolitik dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërnacionale në komunë”, ku në pikën 12 të tyre thuhej shprehimisht: “Ngarkohen organet kompetente t’i evidentojnë emrat e fëmijëve të porsalindur, që përmes simbolikës së emrit – në mënyrë të dukshme shprehen ndjenjat nacionaliste dhe aspiratat për motive e pozita armiqësore”.
I njëjti komitet partiak, në qershor të atij viti hartoi dokumentin me titull “Analizë për lëvizjet dhe situatat në marrëdhëniet ndërnacionale, arsyet dhe shkaqet nga veprimtaria e armikut nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe detyrat e Lidhjes së komunistëve në komunën e Tetovës”, ku ndër të tjerave, si shembull për “manifestimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, merret edhe emërtimi i fëmijëve të porsalindur shqiptarë, që gjoja asocuakan “në qytete, male dhe lumenj nga Shqipëria”, por edhe të simboleve dhe heronjve kombëtar shqiptarë si: Tirana, Elbasan, Berat, Valon, Shkodran, Mat, Labinot, Flamur, Shqipe, Shqipkuqe, Shqipdashnor, Martanesh, Kastriot, Kushtrim, Liridon, Arbnesh, Arbnesha, Alban, Albana, etj, që sipas analizës, ato emra “nxisin nacionalizëm e separatizëm”. Lidhur me këtë, udhëheqja komuniste e Tetovës kërkoi nga organet e punëve të brendshme që të bëjnë “identifikimin e prindërve” si dhe të bëjnë vlerësimin e “përgjegjësisë së tyre ideopolitike”. Në mesin e prindërve që kreu komunist tetovar i akuzonte se ishin përcaktuar që fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emra shqiptarë, krahas veprimtarëve të shquar shqiptarë, si punëtor të arsimit, ish të burgosurit politik, gazetarë dhe intelektual të fushave tjera, përmendeshin edhe një numër i konsiderueshëm të personave me përgjegjësi shoqërore-politike.
Kryetari i po këtij komiteti, Vaso Spasovski, në referatin me titull “Rreth Analizës për lëvizjet dhe situatat dhe marrëdhëniet ndërnacionale në komunën e Tetovës”, lexuar në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë së KK LKM-ës – Tetovë, e cila u mbajt më 13 korrik 1987 në Tetovë, ndër të tjerave shprehet: “…Në territorin tonë është shpeshtuar dukuria që fëmijëve të porsalindur nga kombësia shqiptare t’u jepen emra që asocojnë në simbole të ndryshme armiqësore, personalitete dhe qytete në Shqipëri. Në mesin e prindërve të cilët janë përcaktuar për emra të këtillë për fëmijët e tyre ka pasur dhe ka edhe bartës të detyrave me përgjegjësi, persona të punësuar në arsim, mjetet e informimit dhe në veprimtari tjera shoqërore, por edhe persona që tashmë e kanë dëshmuar veprimtarinë e tyre armiqësore. Kryesia e Komitetit komunal të LKM-së, duke debatuar për këtë çështje me qëllim të miratimit të konkluzionit të Komitetit komunal, kërkoi kjo çështje të zbardhet deri në fund. Procedura për identifikimin e prindërve të cilët janë përcaktuar për emra të këtillë është në përfundim e sipër dhe në njërën nga mbledhjet e ardhshme Komiteti komunal do të informohet detaisht dhe do të ndërtojmë qëndrim për ekzagjerimin dhe tejkalimin e kësaj dukurie…”.
Në debatin që u zhvillua po në atë mbledhje, ndër të tjerave u theksua se “vite me radhë fëmijëve të porsalindur të kombësisë shqiptare u janë dhënë emra që asocojnë me emra gjeografik të vendbanimeve në Shqipëri, me çka nxehet ndjenja nacionale”. Madje, disa nga pjesëmarrësit në debat, kërkuan të identifikoheshin prindërit dhe të “vlerësohet përgjegjësia e tyre ideopolitike…”.
Ngjashëm si udhëheqja komuniste tetovare, vepruan edhe udhëheqësitë tjera lokale si në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë dhe në rrethet tjera ku jetonin shqiptarët. Komiteti komunal i Lidhjes komuniste të Kërçovës, i rekomandonte organizatës bazë të LK-ës pranë Organizatës komunale të Kërçovës, që ta “vlerësoj shkallën e përgjegjësisë ideo-politike” të sekretarit të asaj organizate, Esat Bajrami, për shkak se siç thuhej “ka mbajtur qëndrim skajmëshirsht indiferent dhe neutral”, madje ka treguar edhe “sjellje oportuniste” ndaj “aksionit të maqedonasve – myslimanë”, pastaj ndaj “ndryshimit të emrit personal” si dhe ndaj “regjistrimit të fëmijëve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, edhe pse gjuha amtare e tyre është gjuha maqedonase…etj.”. Ndërkohë, Kryesia e KQ të LKM-ës, në Informatën e hartuar në qershor të vitit 1988, duke e përshkruar veprimtarinë “nacionaliste e separatiste shqiptare” në komunën e Strugës, ndër të tjerave vlerësonte se: “…emërtimi i fëmijëve që paraqet simbol të emrave të personaliteteve dhe emra gjeografik të shtetit të Shqipërisë dhe presione dhe ndikime tjera të ndryshme ndaj maqedonasve dhe të kombësive tjera jo shqiptare, përbën pjesë nga strategjia dhe metodat e veprimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar…”. Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, në raportin vjetër për vitin 1988, theksonte se gjatë atij viti nga ana e qytetarëve shqiptarë ishin dorëzuar 40 kërkesa për emërtimin e fëmijëve të porsalindur, të cilat emra ishin refuzuar të regjistroheshin në librin amzë të lindjes, me pretekst se ato “ishin në kundërshtim me Ligjin për emrin personal, e të cilët asocojnë ose simbolizojnë nacionalizmin shqiptaro-madh…”.
Në përmbyllje të këtij punimi studimor, më duhet të them se ky ligj racist e antishqiptar, ngeli në fuqi edhe pas shpërbërjes së komunizmit, përkatësisht deri më 9 shkurt të vitit 1995 kur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, solli Ligjin e ri, i cili për dallim nga ai i mëparshmi nuk përmbante dispozita raciste e antishqiptare. (fund)