Kur do të ndëshkohen “të fortit” e politikës dhe gjyqësisë?

Tek ekspertët, deri më tani ka dominuar mendimi se Maqedonia nuk mund të jetë përjashtuese sa i përket ndëshkimit të “të fortëve të politikës” nga vendet tjera të Ballkanit, përfshirë Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Rumaninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë. Kohëve të fundit, policia financiare vetëm se ka nisur proceduara ndaj funksionarëve të lartë shtetëror dhe disa biznesmenëve të përfshirë në larjen e parave

 

Fatos RUSHITI

Shkup, 16 korrik – Qeveria këto ditë tërësisht është e dhënë pas festës lidhur me ftesën për anëtarësim në NATO. Të gjithë faktorët përjashto VMRO-në e Hristijan Mickovskit, kanë përgëzuar Qeverinë si për marrjen e ftesës për në NATO ashtu dhe për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të çelë negociata me Maqedoninë në qershor të vitit të ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Të martën, në Shkup do të vjen për vizitë Komisari evropian për fqinjësi të mirë dhe politikat për zgjerim Johanes Han, përmes të cilit dhe do të fillojë skriningu për Maqedoninë, gjegjësisht analizimin e gjendjes në Maqedoni për të filluar më pas përshtatjen e plotë të legjislacionit vendor me legjislacionin evropian, me direktivat, rregulloret, vendimet dhe udhëzimet që i nxjerr Këshilli i Bashkimit Evropian.

Siç dihet, edhe tek plotësimi i kushteve për në NATO do të preken sektorët që lidhen edhe me kushtet e BE-së, sidomos në atë të sigurisë, inteligjencës, ushtrisë, doganave.  Gjatë fundit të këtij viti, pas mbajtjes së referendumit dhe sidomos nga fillimi i vitit të ardhshëm, më gjasë mund të vijë në shprehje edhe llogaridhënia politike, për të korruptuarit, personat e lidhur me krimin, keqpërdoruesit e organeve të inteligjencës dhe personat tjerë që kanë dëmtuar shtetin dhe qytetarët. Tek ekspertët deri më tani ka dominuar mendimi se Maqedonia nuk mund të jetë përjashtuese sa i përket ndëshkimit të “të fortëve të politikës” nga vendet tjera të Ballkanit, përfshirë Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Rumaninë, Bullgarinë dhe fundmi – Shqipërinë. Te kjo e fundit, ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri u detyrua të japë dorëheqje si rezultat i ndjekjes së prokurorisë italiane në bashkëpunim me prokurorinë shqiptare si i dyshuar për lidhje  kriminale, konkretisht me transportuesit  e drogës nga Shqipëria në Itali. Në Kroaci kishim kryeministrin në detyrë, Ivo Sanader, i cili u detyrua të japë dorëheqje si i dyshuar për përfshirje në larjen e parave.

Shqipëria, megjithëse ende mbahet e përkëdhelur sa i përket politikanëve kryesor, në këtë vend fqinj ka nisur një proces tejet serioz i ashtuquajtur Veting, për verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve prokurorëve, policisë dhe funksionarëve qeveritar. Ky proces pritet të pastrojë shtetin dhe politikanë nga të inkriminuarit, sekserët, keqpërdoruesit e ndryshëm. Në Maqedoni, me raste ka pasur ndëshkim të korrupsionit në gjykata, por nuk është ndërmarrë asgjë që të verifikohet prejardhjen e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Me ndryshimet e fundit është bërë një përparim i vogël, duke i hequr mundësinë gjykatave, gjegjësisht Këshillave penal që të kërkojnë përgjegjësinë e gjyqtarëve, por atë do ta bëjë Këshilli Gjyqësor.

Ajo që është e vërtetë është se askush nuk kërkon llogari se filan gjyqtari apo prokurori, por edhe ministri a drejtori si ka ardhur deri tek pasuria, tek disa marramendëse, ku me pagë prej 1 mijë euro nuk kanë pasur asnjë mundësi të kursejnë dhe të blejnë shtëpi luksoze, vetura luksoze dhe gjëra tjera super të shtrenjta. Ish-prokurori Aleksandar Nakov për TV21, ka thënë se me ndryshimet eventuale ligjore, vetingu i gjykatësve lehtë do të zbatohej në vend.

“Kjo është mënyrë e kontrollimit dhe freskimit të gjyqësorit, si një mënyrë për reforma në vetë gjyqësorin. Me këtë bëhet shqyrtim i gjendjes materiale të gjykatësve, integritetit dhe kapacitetit të tyre personal, por edhe i rezultateve të arritura gjatë punës së tyre”, thotë ish-prokurori Nakov.

Si shembull për këtë hap, më së shpeshti përmendet Shqipëria. Edhe nga Koalicioni për Gjykim të Drejtë, kanë thanë se në kushte në të cilat gjendet sistemi gjyqësor në Maqedoni, përmirësimi i vetëm i gjendjes, e cila për vite me radhë kritikohet në raportet vendore dhe ndërkombëtare, është kontrolli i gjykatësve. “Shembulli më i afërt të cilin do ta kisha përmendur është Republika e Shqipërisë. Reformat e fundit të cilat i kanë bërë ata si shtet, është procesi i vetingut të gjykatësve, i cili për fat të keq tek ne nuk u lejua dhe nuk u zbatua. Mendoj se për të bërë ndonjë reformë thelbësore, kjo është një nga mënyrat më të përshtatshme në kushtet në të cilat është gjyqësori në Maqedoni për momentin”, ka deklaruar nga Koalicioni për Gjykim të Drejtë, Natali Petrovska.

Nevojën për një hap të tillë, Petrovska e arsyeton edhe me Raportin e Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin janë cekur një sërë parregullsish gjatë shpërndarjes kompjuterike të lëndëve nëpër gjykata. Por sa i përket veprimit politik të shumicës qeveritare, shumë gjëra po i vonon për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit. Ka katër muaj që anëtarët e Komisionit për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit ka dhënë dorëheqje dhe në Parlament ende nuk janë votuar të rinjtë. Një element negativ që i bën hije të zezë Qeverisë është dhe afrimi i personave si këshilltar të kryeministrit me të kaluar negative si Zoran Verushevski ish drejtor i Shërbimit Sekret i etiketuar në opinion me rastin “Sopoti” dhe Lube Boshkovski ish ministri i Policisë gjatë konfliktit të vitit 2001. Po ashtu në poste qeveritare aktualisht ka persona që përfliteshin për keqpërdorime të mëdha edhe atë jo vetëm maqedonas por ehe shqiptar nga aradhet e BDI-së duke i dëgjuar bisedat mes tyre gjatë materialeve të përgjuara. (koha.mk)