Kur do të lëshohen dokumentet me emrin e ri të shtetit

Shkup, 11 shkurt – Dokumentet e identifikimit mund të nxirren me “Republika e Maqedonisë” edhe pasi të futet në fuqi këtyre ditëve emri i ri kushtetues me shpalljen e tij në Gazetën Zyrtare, sepse MPB ende nuk ka shpallur tender për formularët, transmeton koha.mk

Pasaportat, letërnjoftimet, lejet e vozitjes me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” do të lëshohen në përdorim vetëm në periudhën pasi të përfundojë i tërë procesi i tenderimit dhe do të realizohet furnizimi, ndërsa deri atëherë mbetet procedura aktuale. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski për “Meta” është përgjigjur se pasi të dërgohet nota dhe të shpallet në Gazetë Zyrtare, pastaj MPB duhet të shpallë furnizim publik për dokumentet e reja.

“MPB duhet të sigurojë pasaporta të reja, dokumente të reja. Nuk ka kufizime për atë nëse qytetarët do të mund të pajisen me dokumente të reja derisa të zgjatë shpallja e furnizimit, sepse do të lëshohen dokumentet sipas procedurës së vjetër, të cilat pastaj do të duhet t’i ndërrojnë në afat prej pesë viteve”, është shprehur Boshnjakovski. Për momentin, nuk ka informacione se sa do të zgjasë procedura për sigurim të dokumenteve të reja. (koha.mk)