Kur do të kthehet arsimi në normalitet?

84

Së pari, është vështirë të flitet për mposhtjen e virusit, madje ai merr hov të madh me sojin britanik, afrikan, indian apo të dikujt tjetër. Pritjet për kthim në normalitet të arsimit janë pozitive dhe pasqyrojnë një optimizëm të caktuar për shkak të parashikimeve pozitive, por megjithatë, arsimi nuk do të kthehet në nivelin e dëshiruar, për të cilën do të nevojiten më shumë se tre vite të ngritjes në nivelin që e ka pas

Nga Prof. Xheladin MURATI

Pandemia Covid-19 bëri që arsimi t’i nënshtrohet një kaosi të madh të dijes e të organizimit të shkollës. Një nga arsyet kryesore e këtij kaosi dhe kësaj krize është edhe mungesa e një strategjie korrekte për qasjen ndaj virusit dhe për organizimin e shkollës. Në fakt, pandemia virusale krijoi një katastrofë shkakësore dhe kjo solli një zemërim social dhe një agresion emocional dhe frikë te njeriu, në arsim, në jetë, në shoqëri. Pandemia mund të ndryshoj trupin dhe mendjen. Trupi ynë dhe mendja jonë e ndjejnë këtë ndikim të pandemisë. Kjo duket edhe në raportet njerëzore. Në Maqedoni, sipas të dhënave statistikore ka 187.240 nxënës në shkollat fillore dhe 69.980 në shkollat e mesme, ka shumë fëmijë të përfshirë në çerdhe dhe gjithsesi numër i madh i studentëve nëpër universitete.

PREMISAT

Kriza shëndetësore (pandemike) e preku arsimin dhe rrezikon shkatërrimin e tij.

Gjatë vitit të kaluar (2020) arsimi dhe shëndetësia kanë dalë në plan të parë, duke krijuar një botë tjetërfare.

Edhe e ardhmja edhe arsimi përballen me sfida të mëdha, duke përfshirë mposhtjen e pandemisë së korona virusit dhe frenimin e përhapjes së tij.

Shpresa na mban për kalimin sërish në gjendje normale të arsimit dhe një qasje shumplanëshe për ta trajtuar atë pas krizave të përjetuara.

Kthimi në normalitet i arsimit qëndron në mes (mos)besueshmërisë dhe nevojës.

Shkolla është vendi ku mësuesi ndihet i plotësuar.

Fundi i pandemisë? Ndoshta, nuk i dihet.

QASJET DHE ASPEKTET

Kur pritet kthim në normalitet? A thua na ka prekur faza apo vala e tretë e Covid-19? Nëse ka faza apo vale, por si duket se ka, atëherë shtrohet pyetja: sa faza ka dhe me çfarë karakterizohen? Unë mendoj se arsimi është plot me pasiguri megjithatë pritet që ai të stabilizohet dhe të kthehet në normalitet. Gjithsesi duke zbatuar edhe masat parandaluese. Kthimi në normalitet i arsimit tek ne dhe në rajon pse jo edhe në botë pritet të jetë i ngadalshëm dhe përplot sfida. Në shtete të ndryshme ka nivele të ndryshme të realizimit të arsimit mbase edhe masat që ndërmerren janë të ndryshme dhe varen nga shumë faktor. Në RMV treguesit dhe të dhënat, faktorët dhe indikatorët për kthimin në normalitet të arsimit do të varen nga disa momente, por në radhë të parë nga dy faktor: nga strategjia për tejkalimin e krizës dhe, strategjia për kthimin e punës normale nëpër shkolla e institucione arsimore.

Prandaj gjendja e rikthimit të shkollave do të jetë e ndryshme. Vlerësohet se gjendja e krizës në Maqedoni do të varet prej zhvillimeve pozitive në parandalimin e virusit, mposhtjen e tij dhe mëkëmbja ekonomike e vendit. Kur pritet të kthehet arsimi në normalitet? Unë nuk mendoj se kemi ende një përgjigje për këtë pyetje. Por shpresoj se kjo do të ndodh. Të dhënat statistikore nga infektimi i popullatës pretendojnë se çështja e fenomenit Covid-19 ilustron më së miri kompleksitetin e fenomenit virusal dhe transmetimin e tij të shpejt dhe se ky është një rast i rrallë ku edhe shëndetësia edhe politika vendosin drejtpërdrejti për kthimin e normalitetit të arsimit dhe jo vetëm këtu.

Shpejtësia e kthimit të arsimit në normalitet dhe shkalla e arritjes të stabilitetit pandemik në vend do të varet prej zhvillimeve të tij si dhe nga largimi i virusit. Edhe pse viti 2020 kaloi me problemet shëndetësore dhe të organizimit të shkollave, aktualisht edhe viti 2021 dhe viti shkollor 2020/2021 do të mbaroj kështu si ka filluar. Një stabilizim i gjendjes pritet që nga vjeshta nëse nuk ndodhin valë të reja të përhapjes së virusit.

Gjithashtu, vlerësimet e organizatave ndërkombëtare si UNESCO, UNICEF, Banka Botërore dhe të tjera flasin për mosmbylljen e shkollave e të arsimit gjatë pandemisë.

Kthimi në normalitet i arsimit do të varet edhe nga këmbëngulja e organizimit institucional për arritjen e nivelit normal të arsimit duke kompensuar atë që u humb gjatë pandemisë. Kthimi në normalitet i arsimit do të varet edhe nga avancimi i vetë arsimit dhe kushteve plotësuese. Mendoj se në procesin e kthimit në normalitet të arsimit mbeten rreziqet e kohës së largimit definitv të virusit dhe shpalljes së pandemisë si e tejkaluar. Megjithatë, edhe pas kthimit në normalitet të arsimit e të shkollës ku mësimi do të zhvillohet me kushtet normale, distanca fizike, mosgrupimi, mbajtja e maskës etj. do të mbeten edhe më tutje si masa mbrojtëse. Kthimi në normalitet i arsimit varet edhe nga një faktor i tretë. Ai është menaxhimi i vazhdimit të krizës, menaxhimi do të jetë prioritet kryesor si preventivë për pengimin dhe frenimin e virusit. Deri më tash menaxhimi ka dështuar. Vlerësoj se rruga për t’u kthyer në gjendjen normale të arsimit është plot rreziqe ndaj të cilave duhet të kemi konsiderata. Normaliteti në arsim, sipas gjitha gjasave duke marrë parasysh gjendjen e tanishme epidemiologjike dhe treguesit nga përditshmëria pritet të mos ndodhë shpejt.

Por, çka i solli pandemia arsimit? Pandemia tregoi se shkolla dhe arsimi kanë hyrë në një krizë të thellë dhe se shoqëria me institucionet e saja është e papërgatitur për përballje me kriza të këtilla. Mund të regjistrojmë një varg të problemeve, por do të ndalemi në ato kryesor: ndodhi mbyllja e shkollave dhe filloi modeli i ri i organizimit të mësimit “shkolla në shtëpi”; pandemia ndryshoi edhe mënyrën e të mësuarit; bëri dezorganizimin total të procesit mësimor; solli uljen e motivit për punë, nxiti depresionin, stresin, ankthin, solli privimin social; solli paraqitjen e depresionit, ankthit dhe frikës tek nxënësit; solli uljen e suksesit të nxënësve; e uli cilësinë e të mësuarit; shkatërroi shkathtësitë dhe shprehitë për punë mësimore; solli zbatimin e mësimit në largësi, për të cilin shkollat,mësuesit dhe nxënësit nuk ishin të përgatitur; solli izolimin e nxënësve dhe mbajtjen e distancës; si rezultat i karantinimit dhe izolimit është vërejtur ndikimi më i madh në çështjet e shëndetit mendor.

Covid-19 lidhet edhe me rrezikun e sëmundjeve mendore, me shëndetin mendor të nxënësve. Besoj se ky kthim do të jetë më i ngadalshëm, me shumë maturi. Kjo edhe për arsye se rreziqet që ekzistojnë për masat e marra përfundojnë para kohe dhe kjo krijon hapësirë për kthimin e serishëm të virusit. Në këtë drejtim, unë kam tri këshilla për të ardhmen: Së pari, pushteti dhe politika duhet të bartin përgjegjësi për problemet e krijuara me mbylljen e shkollave pa plan dhe pa arsyetime të mjaftueshme. Së dyti, duhet bërë investime në kushtet bazë të punës digjitale apo mësimit në largësi, të sigurohet infrastrukturë digjitale dhe infrastrukture fizike për punë normale. Së treti, politika arsimore dhe politika në përgjithësi duhet të sigurojnë kushte për daljen nga kriza pandemike.

PO A KA VEND PËR T’U SHQETËSUAR?

Mendoj se ka, madje ka shumë. E kush nuk e kuptoj pandeminë dhe gjendjen që na solli ajo? Nuk duhet të mendojmë me ankth për të ardhmen pasi në këtë kohë po kalon një faze e tranzicionit e cila do të mundësoj ndryshime të mëdha në arsim. Besoj se shqetësimi është bërë i domosdoshëm, madje edhe për alarm. Kjo gjendje kërkon strategji afatmesme dhe afatgjatë për ta tejkaluar krizën. Kthimi në normalitet të arsimit është edhe mundësi e pengimit të përhapjes së pandemisë dhe shpërthimit të saj të ri. Me një fjalë t’i kthehemi jetës normale, lulëzimit dhe të ardhmes. Të hiqet kjo zymtësi që e ka pllakosur arsimin dhe shkollën. Efektin që pandemia pati dhe ka tek nxënësit, sesi ato e perceptojnë jetën, shkollën, organizimin e mësimin, reflektimet tek nxënësit mbyllja në shtëpi, izolimi e të ngjashme janë të shumta. (Për të gjitha këto në librin tim: “Arsimi dhe shkolla përballë sfidave të pandemisë”, Tetovë, 2020.

Por sa janë gjasat e kthimit në normalitet? Sipas shumë ekspertëve nuk pritet shpejt normaliteti, madje siç thonë ata me ritmin e sotëm të vaksinimit kthimi në normalitet pas 2, 3 apo 7 vitesh. Madje ekspertët viral deklarojnë se virusi korona nuk do të zhduket kurrë, por do të shndërrohet në bezdi të lehtë. Ndërkohë që disa ekspert theksojnë se imunizimi i posa filluar përmes vaksinimit është e vetmja mënyrë për të mposhtur virusin dhe të kthehet jeta e arsimi në kushte normale vitin e ardhshëm. Edhe ekspertët kanë dilema, ndryshojnë mendim dhe opsione për virusin dhe pandeminë. Skepticizmi është aty. Nevojitet ndërgjegje qytetare për zbatimin e rregullave. Megjithatë pandemia Covid -19 nuk kalon vetëm me një vaksinë dhe kjo nuk e përshpejton kthimin në normalitet. Me siguri duhet aktivitete shtesë dhe masa plotësuese.

PËRFUNDIM

Së pari, është vështirë të flitet për mposhtjen e virusit, madje ai merr hov të madh me sojin britanik, afrikan, indian apo të dikujt tjetër. Pritjet për kthim në normalitet të arsimit janë pozitive dhe pasqyrojnë një optimizëm të caktuar për shkak të parashikimeve pozitive, por megjithatë, arsimi nuk do të kthehet në nivelin e dëshiruar, për të cilën do të nevojiten më shumë se tre vite të ngritjes në nivelin që e ka pas.

Së dyti, edhe e ardhmja edhe arsimi përballen me sfida të mëdha në luftën për parandalimin e pandemisë dhe krijimin e kushteve normale për punë arsimore. Prandaj në këtë përzierje të sfidave arsimore dhe pandemike, së pari, duhet mos ta nënçmojmë virusin dhe së dyti, mos të harrojmë përgjegjësitë dhe disiplinën.

Së treti, nga kriza që përjetoi arsimi dhe masat që u ndërmorën për pengimin e përhapjes së virusit, institucionet duhet të bëjnë analiza çka ishte mirë, e nevojshme dhe çka gabuam që të dështojmë.

Së katërti, shpresoj që kjo pandemi të mbaroj sa më shpejt dhe të na bashkoj të gjithëve, të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të kemi një fillim të mbarë në jetë, në arsim dhe besoj se morëm një mesazh të forte botëror. (koha.mk)