Nevoja për qasje serioze ndaj arsimit ka qenë e kahershëm dhe duhet të jetë e përhershme, por le të jetë se paku kjo pandemi fatkeqe shkak për ti bërë këto ndërhyrje të pashmangshme, nëse nuk duam të marrim përgjegjësinë për shtimin e analfabetizmit dhe degradimit të mëtejme të sistemit arsimor. Qeveria duhet ta ketë të ditur se ndryshime të tilla dhe të ngjashme radikale në arsim na duhen jo vetëm për arsye të pandemisë
Nga Azis POLLOZHANI
Gjendja e krijuar nga pandemia Kovid 19 tani më gjatë kohë është objekt i debateve edhe i veprimeve konkrete për tejkalimin e vështirësive të mëdha që ajo i krijoi. Duke marrë parasysh shqetësimin kryesor, atë shëndetësor, që fatkeqësisht ka edhe pasoja tragjike, arsimi në të gjitha nivelet mund të thuhet se ishte njëri ndër sistemet që pati dhe vazhdon të ketë pasoja të konsiderueshme. Jorastësisht kjo temë, pas asaj të shëndetësisë dhe mbi ekonominë, arsimi, zuri vend të lartë në debatet dhe shqetësimet e të gjithë faktorëve të zinxhirit arsimor (të pedagogëve, prindërve, studentëve, nxënësve etj). Sado që ky shqetësim nuk mund ta anashkalonte vendin tonë, fitohet përshtypja se debatet për organizimin, suksesin dhe sidomos perspektivën e organizimit të arsimit në kushte pandemie është dashur të jenë më të sinqerta, më të argumentuara dhe me vizion më të qartë se si do ti përgjigjemi kësaj sfide të pashoqe deri tani, në vitin shkollor që kemi para nesh.
Forma e deritanishme që na u imponua nga pandemia edhepse me shumë lëshime serioze, është evidente se nuk mund të jetë formë standarde për të vazhduar edhe më tutje në këtë mënyre. Kjo ishte një reagim emergjent për të mos shkëputur vazhdueshmërinë e procesit edukativo arsimor dhe akademik gjë që do të ishte edhe më e dëmshme. Por tani, meqë jemi para fillimit të vitit të ri shkollor akademik dhe kur shkencëtarët eminent për çdo ditë të ardhmen e parashohin si “të jetuarit me virusin”, deshën apo nuk deshën autoritetet arsimore duhet të mendojnë dhe ofrojnë zgjidhje adekuate me modalitete alternative të imponuara nga situata epidemiologjike por edhe përvoja jonë sado e vogël e fituar gjatë këtij viti. Kjo qasje nuk duhet të ketë si pikënisje vlerësimet jo gjithmonë të bazuara se “situata me mësimin online në të gjitha nivelet e arsimit ka shkuar mire”. Ne të gjithë e dimë që kjo nuk është kështu!
Emergjenca e situatës, mospërgatitja e sistemit arsimor, mungesa e infrastrukturës teknologjike, krijoi hapësira të mëdha për improvizime dhe pamundësi të rrumbullaksimit të suksesshëm të programit në shumë shkolla sidomos në ambientet rurale. Të gjithë ne për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe realist për të mos lejuar degradimin e mëtejmë të sistemit arsimor, përkundrazi duhet bërë vlerësime reale dhe të argumentuara si parakusht për koncepte të qarta, të realizueshme dhe efikase. Vazhdimi i tendencave të pavolitshme nuk do të mund të mbështetet mbi argumentin e emergjencës apo ndonjë aspekti tjetër rrethanor. Nëse ndodh kjo, do të njihet si mungesë e politikave të mirëfillta që tani më duhet të ishin të përgatitura për adresimin e sfidave të kontekstit që po jetojmë. Nuk duhet të shtrohet pyetja se, a do të hapen shkollat por, kur dhe si do të kthehen nxënësit në shkolla?
Në shumë shtete ka debate dhe përgatitje serioze për të gjetur formën më të mirë dhe më të përshtatshme për ti kthyer fëmijët në shkolla dhe në universitete. Mësimi online ishte dhe mund të jetë një mundësi afatshkurte deri në adaptimin e një formë më të qëndrueshme, respektivisht deri në kthimin në shkollë, por i njëjti nuk mund ta zëvendësojë plotësisht shkollën dhe dimensionin edukativ të shkollës. Mbase në të ardhmen të mësuarit online do të jetë njëra nga mundësitë e natyrshme për nxënie, por sigurisht nën kushte të standardizuara si për mësim po ashtu edhe për vlerësimin dhe përcjelljen e zhvillimit të nxënësit.
Në kushte tona, vendimi për ti hapur shkollat nuk duhet të jetë edhe aq i vështirë sa po duket. Këtu kam parasysh faktin që arsyeja kryesore për ndërprerjen e mësimit ka qenë mungesa e kushteve për distancim fizik mes nxënësve si një nga masat preventive ndaj pandemisë. Por nëse ministria do të paraqiste disa të dhëna mbi numrin e paraleleve ku nuk ka më shumë se 10-12 nxënës si dhe numrin e klasave dhe hapësirave boshe nëpër shkolla (që janë rezultat i zhvillimeve demografike) do të konstatonim se në fakt, përkundër asaj që raportohej në media, ka qenë e mundur të organizohet mësimi me prezencë fizike sepse numri i nxënësve në krahasim me hapësirat ka qenë i mjaftueshëm për mbajtjen e mësimit duke respektuar distancën sociale dhe masat e rekomanduara.
Nisur nga premisa se ne duhet ta konceptojmë mënyrën e jetës në bashkëjetesë me virusin, gjë që do të duhet të llogaritet edhe sikur të zbulohet vaksina, duke marrë parasysh paralajmërimet se në një botë të globalizuar, sipas raporteve të shumë faktorëve të fuqishëm, ky “lloj i luftës” do të jetë një nga sfidat globale nga e cila nuk do të jetë i kursyer askush. Prandaj një qasje serioze, me argumente në tavolinë mbi gjendjen dhe mundësitë reale të sistemit arsimor, mbi nevojat e tij në këtë kontekst të ngjarjeve të mundshme, do të jetë detyra e parë e politik-bërësve tanë. Këtu edhe organizatat ndërkombëtarë mund të luajnë rolin e tyre harmonizues dhe përgatitor brenda mandateve të tyre.
Krijimi i mundësive për kyçje të gjithë fëmijëve parashkollor në edukimin përkatës, krijimin urgjent të infrastrukturës shkollore ku nuk do të ketë më asnjë shkollë ku mësohet në dy e tre ndërrime, trajnimi i arsimtarëve dhe forcimi në cilësi dhe në sasi i stafit mësimdhënës në të gjitha nivelet, duhet të jetë prioritet parësor i qeverisë në krijim. Krijimi i mundësive për të avancuar dhe nxitur barazinë dhe mundësitë e barabarta në këtë kohë pasigurie është e domosdoshme sidomos në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Mësimi online vetëm tregoi disa nga pabarazitë themelore në shoqëri, është e rëndësishme që të njëjtat të adresohen dhe të përmirësohen që çdo fëmijë të ketë perspektiva të barabarta të arritshërisë. Moszgjidhjet ose zgjidhjet joadekuate të procesit edukativo-arsimor (sikurse e përjetuam) kanë ndikim në organizimin dhe mbarvajtjen e të gjitha segmenteve shoqërore dhe ekonomike. Kurse dëmi dhe përgjegjësia për degradimin e sistemit arsimor dhe tkurrjen e potencialit human aq të nevojshëm për synimet e kësaj gjenerate, do të jetë i pafalshëm.
Nevoja për qasje serioze ndaj arsimit ka qenë e kahershëm dhe duhet të jetë e përhershme, por le të jetë se paku kjo pandemi fatkeqe shkak për ti bërë këto ndërhyrje të pashmangshme, nëse nuk duam të marrim përgjegjësinë për shtimin e analfabetizmit dhe degradimit të mëtejme të sistemit arsimor. Qeveria duhet ta ketë të ditur se ndryshime të tilla dhe të ngjashme radikale në arsim na duhen jo vetëm për arsye të pandemisë. Jo kot thotë populli se “ra ky mort e u pamë” – thënie e moçme që sado të duket si humor i zi, në rrjedhat tona aktuale, fatkeqësisht paraqet realitet, dhe në skenarin pozitiv do të përfaqësonte mundësi. (koha.mk)
(Autori është rektor i Universitetit “Nënë Tereza”)