Nga Emin AZEMI
Duhet të shqyrtohet lista e prioriteteve reformuese, kurse Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është në mesin e tyre, paska thënë ambasadori francez në Shkup, Kristijan Timonie, dhe paska bërë apel që të lihen anash presionet partiake.
“Maqedonia ka prioritete reformuese, ligji i gjuhëve nuk është një nga ato, nuk është pjesë e agjendës europiane”, ka thënë ambasadori francez në intervistën për tv 24. Sipas ambasadorit ky ligj qenka aktualizuar gjatë kohës së zgjedhjeve, kurse në anën tjetër ka një mori ligjesh të tjera që përbëjnë agjendën europiane, por të cilët janë bllokuar. Ambasadori francez ka zbuluar se mund të ndodhë që këto ligje të mos votohen së shpejti në Parlament dhe me këtë mund të rrezikohet e ardhmja europiane e Maqedonisë.
Prandaj, sipas tij, duhet të rishqyrtohet lista e prioriteteve, ku gjithsesi ligji për gjuhët as që do të duhej të merrej parasysh tani.
Çka duan të arrijnë këta diplomatë që mundohen të hallakasin në Maqedoni barin e pakositur të BE-së, duke mos dhënë as edhe një miligram mund për tejkalimin e problemit kryesor që ka aktualisht Maqedonia – tejkalimin e kontestit me Greqinë. E kemi të qartë se këta diplomat të pisipillosur, që e lëvizin kokën nevojë e pa nevojë, duhet të merren me punë që për ta janë më të lehta, duke hedhur ndonjë cung në rrugën e vështirë të miratimit të ligjit të gjuhëve, sepse për punë të rënda janë kolegët e tyre amerikanë.
Retorika e ambasadorit të Francës është në valë të njëjta me atë të politikanëve të VMRO-DPMNE-së. Edhe ata kanë kërkuar tërheqjen e versionit të tanishëm të Ligjit të gjuhëve dhe në vend të tij të përgatitet një version tjetër, por me kusht që t’u jepet përparësi ligjeve reformuese. Këtë e kanë kushtëzuar me tërheqjen e mbi 30 mijë amendamenteve për Ligjin e gjuhëve. Pra, Ligji i gjuhëve, sipas ambasadorit francez dhe politikanëve të VMRO-së, nuk qenka reformues dhe nuk qenka në kurrfarë agjende europiane.
“Interesat e partive shqiptare duhet të lihen anash….” , ka thënë, mes tjerash, Timonie.
Ky ambasadori qenka bë më francuz se që ç’është, mirëpo nuk e kemi të qartë ku e bazon ai këtë nonshalancë për të sjellë konkludime kaq kuturu dhe pa kurrfarë sensi diplomatik. Kush e ka autorizuar atë t’iu tregoj shqiptarëve se cilat na qenkan prioritetet e tyre nacionale dhe në cilën libër zoologjie e ka mësu se çështjet e përdorimit zyrtar të gjuhës amtare qenkan një farë flete pastike me të cilat mund të flladisim prapanicat e majmunëve të nervozuar në kafazin e ngushtë.
Deklaratat e pamatura si kjo e ambasadorit Timonie vijnë në kohën kur Maqedonia ka nevojë më së shumti për konsensus të brendshëm kombëtar për çështje mjaft të ndjeshme, siç është dialogu me Greqinë, dhe do të ishte përgjegjësi e madhe që fryma e pajtimit politik të merrte ndonjë kahje tjetër, gjegjësisht të bëhet zëvendësimi i prioriteteve sipas tekeve të diplomatëve që janë të paaftë të japin ndihmesë në tejkalimin e ngërçeve të mëdha, siç është kontesti me Greqinë, prej të cilit varet shumë çka në Maqedoni.
Me seriozitetin e çështjeve që burojnë nga nxjerrja e Ligjit për gjuhët, këtyre ditëve është marrë edhe një zonjë mjaft serioze nga Foreign Office Angelz, Ketrin Barns, e ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, e shoqëruar nga ambasadori anglez në Maqedoni, z. Çarls Garet, të cilët me shumë vëmendje kanë dëgjuar elaborimin e kryetarit të Komisionit parlamentar për Çështje Europiane, z. Artan Grubi, i cili në mënyrë të detajuar ka sqaruar se pikërisht fryma e Ligjit të gjuhëve është e rëndësishme për kohezionin e brendshëm ndëretnik, por edhe për demokracinë, për vlerat europiane dhe për të ardhmen europiane të vendit.
Në Maqedoni do të ketë edhe në të ardhmen diplomat hajgarexhi, si ky Timonie, por nuk besojmë që një diplomat serioz i lejon vetes të jap sugjerime të cilat shumë shpejt mund të përfshihen në ndonjë meny ushqimesh të bajatshme. (koha.mk)