Menjëherë pas çlirimit të qytetit të Dibrës, u vendos pushteti shqiptar, që përbëhej prej dy krahëve, atij nacionalist dhe komunist. Kjo politikë për komunistët jugosllavë ishte e papranueshme, prandaj Tempo me 1 tetor 1943 i dërgoi një letër Haxhi Lleshit, nga i cili kërkoi që të ndërmerr masa të rrepta ndaj drejtuesve të Bashkimit Dibran, të cilët siç shprehet “janë bartësit e reaksionit shqiptaro-madh në Dibër”
Nga Qerim LITA
Krerët e komitetit të porsaformuar ftuan edhe udhëheqjen e PKSH-së së Dibrës, që t’i bashkëngjiten të njëjtës, për një veprim të koordinuar, mirëpo e njëjta e refuzoi, duke deklaruar se: “…ka me veprue vetëm simbas instruksioneve qi do t’i jepen prej qendrës së saj…”. Në informatën plotësuese të policisë shqiptare, vihej në dukje, ashpërsimi i marrëdhënieve midis parisë nacionaliste dhe asaj komuniste:
“Qëllimi i Partisë Nacionaliste, – thuhej në informatë – asht të punojë në qetësi dhe të përgatitet që në nji eventualitet zbarkimi të fuqive anglo-amerikane në Ballkan të fillojë veprimin e saj përkundër fuqive të Boshtit dhe deri në atë kohë, qi ata shpresojnë të jetë e afërt, të pregatisi popullin moralisht dhe materialisht për luftimin…”.
Dalja në skenë, e dy opsioneve politike: Bashkimi Dibran dhe Fronti Nacionalçlirimtar me në krye PKSH-në, e cila vepronte sipas diktatit të PKJ-së, ishte e qartë se shqiptarët në Maqedoninë Veriperëndimore të sotme, përfshi këtu edhe Dibrën e Madhe, masovikisht do të mbështesin opsionin e parë, sepse për ta nuk kishte alternativë tjetër përveç Bashkimit Kombëtar. Komiteti, siç edhe u emërtua, synonte bashkimin e mbarë drejtuesve shqiptarë në krahinën e Dibrës, pa marrë parasysh ideologjinë e tyre. Nisur nga kjo, drejtuesit e komitetit, mbajtën disa takime edhe me Aqif dhe Haxhi Lleshin, dhe për rrjedhojë – më 2 gusht u formua Shtabi i përbashkët midis Komitetit “Bashkimi Dibran” dhe aradheve partizane që vepronin në Dibër. Shtabin e udhëhiqnin Fiqiri Dine dhe Hysni Dema si përfaqësues të nacionalistëve, ndërsa Esad Ndreu përfaqësonte komunistët. Duhet të vihet në dukje se ky shtab, qysh në fillim hasi në mosmarrëveshje, të cilat vinin nga shkaku se krahu nacionalist, kërkonte që forcat e bashkuara shqiptare të shpallnin zonë të lirë tërë krahinën e Dibrës, përfshi edhe Dibrën e Madhe dhe Peshkopinë, ndërsa Esat Ndreu, i cili përfaqësonte Frontin Nacionalçlirimtar, kërkonte që zonë e lirë të shpallej Peshkopia dhe krahinat përreth saj, pa e përfshirë Dibrën e Madhe. Mirëpo, pas insistimit të krahut nacionalist, edhe forcat partizane (që numerikisht në atë kohë ishin disa herë më të pakta se ato nacionaliste) u detyruan të marrin pjesë në çlirimin e Dibrës (8 shtator 1943).
Menjëherë pas çlirimit të qytetit të Dibrës, u vendos pushteti shqiptar, që përbëhej prej dy krahëve, atij nacionalist dhe komunist. Kjo politikë për komunistët jugosllavë ishte e papranueshme, prandaj Tempo me 1 tetor 1943 i dërgoi një letër Haxhi Lleshit, nga i cili kërkoi që të ndërmerr masa të rrepta ndaj drejtuesve të Bashkimit Dibran, të cilët siç shprehet “janë bartësit e reaksionit shqiptaro-madh në Dibër”, dhe se “ky reaksion reflektohet edhe në Kërçovë”. Në vazhdim, Tempo i sugjeronte mikut të tij që mundësisht të shkaktoj “përçarje mes tyre, duke përfituar ndonjë prej tyre, gjithnjë duke pas parasysh që menjëherë të lëshohen propaganda për etiketimin e të tjerëve”, si dhe të formoj një batalion të ri “me ushtarë të përzier shqiptaro-maqedonas”, krejt kjo të bëhet “në frymën e vëllazërim-bashkimit, ku pushteti i ri i cili do të vendoset të jetë kryekëput pushtet komunist…”. “Batalioni – shkruante më tej Tempo – të udhëhiqet prej maqedonasve dhe shqiptarëve vendas, si dhe të zbatojë me përpikëri, marrëveshjen e nënshkruar mes Shtabit të Përgjithshëm të LNÇSH-së dhe atij të LNÇM-së… sipas së cilës në ato territore duhet të vendoset pushteti jugosllav….”.
Për rrjedhojë, H. Lleshi, së shpejti organizoi një takim të fshehtë me krerët e familjes Ndreu, përkatësisht me Cen Elezin, Xhetan e Beshir Ndreun, nga të cilët kërkoi ta braktisin Komitetin Bashkimi Dibran, për t’ju bashkuar forcave të FNÇSH-së. Njëkohësisht, Haxhi Lleshi, kërkoi nga Cen Elezi, që xhandarmëria të shkrihet në “Ushtrinë Nacionalçlirimtare”, të nisen të gjitha forcat për luftë kundër parisë nacionaliste shqiptare, të bashkëpunojnë ngushtë me forcat e LNÇM-së, ndërsa zgjidhja e çështjes së kufijve ti lihet “Kartës së Atlantikut dhe Traktatit të Londrës”. Takimi u mbyll pa ndonjë përfundim, me atë që ju mundësua Cen Elezit 24 orë kohë, që të këshillohet me shokët e Komitetit. Të nesërmit, Cen Elezi, e refuzoi ofertën, duke pohuar se do t’i tërheq forcat e veta, sepse nuk dëshiron të bëhet komunist dhe se: “nuk do të jetë shkaktar i vëllavrasjes”. Për dallim nga Ceni, politikës vëllavrasëse të iniciuar nga Tempo, iu bashkuan disa krerë si: Faik Shehu, Hilmi Karahasani, Xhevdet Kumbaraxhia, Ali Ndreu si dhe të gjithë Lleshët.
Në ato rrethana, krerët nacionalistë, për t’iu shmangur vëllavrasjes, i tërhoqën forcat e tyre nga Dibra e Madhe, me çka ky qytet ra në duart e pushtetarëve komunist maqedonas. Pushtimi i Dibrës nga aleanca komuniste jugosllavo-shqiptare, shkaktoi pakënaqësi tek shqiptarët e këtij qyteti, sepse pushteti nuk administrohej nga shqiptarët por nga jugosllavët. U mbyllën të gjitha shkollat shqipe dhe në vend të tyre u hapën shkolla maqedonase, në vend të flamurit shqiptar u vendos flamuri jugosllav me yllin e kuq pesërremësh që simbolizonte komunizmin. Ndërkohë, Tempo në një tubim të mbajtur në Kërçovë pohoi se: “së shpejti do të ngrihet flamuri Maqedhonas dhe në rast se do të kundërshtojnë reaksionarët atë do ta mbroj Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare.” Kjo deklaratë e Tempos, për Haxhi Lleshin ishte: “shumë me vend”, mirëpo sipas tij: “reaksionarët gjetën rast për të ba propagandë kundra nesh si komunista që bashkohemi me kombe tjera…..”. Tërë kjo situatë në Dibër të Madhe, zgjati deri më 16 nëntor 1943, kur forcat vullnetare të Komitetit Bashkimi Dibran, triumfalisht u futën në këtë qytet, duke i dëbuar partizanët në drejtim të Karaormanit, me çka Dibra e Madhe sërish u shndërrua në qendër kryesore politike, arsimore, kulturore, ekonomike e ushtarake të tokave lindore shqiptare.
Dëbimi i njësive pushtuese komuniste jugosllave nga tokat e liruara shqiptare, përkatësisht nga Dibra e Madhe dhe Kërçova, krijoi një stabilitet të përkohshëm. Autoritetet shqiptare të Prefekturës së Dibrës, për t’iu shmangur rrezikut të serishëm, kërkuan nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, të themeloj njësi të rregullta ushtarake. Rrjedhimisht, më 28 nëntor 1943, në Tetovë u themelua njësia e parë e rregullt ushtarake, Batalion Luboten, i cili komandohej nga Gajur bej Derralla, ndërsa në shtabin komandues ishin edhe disa figura të shquara ushtarake të Dibrës: kapiten Burhan Kodra, agjutant, kapiten Qemal Mejdani, itendent batalioni, kapiten Vehap Daci, nëntoger Hilmi Leka etj. Përveç batalionit të më sipërm, në këto troje u themeluan edhe njësi ushtarake vullnetare shqiptare, që njiheshin si “Forca kreshnike”. Komandat i përgjithshëm i këtyre forcave ishte ushtaraku dhe atdhetari i shquar shqiptar Xhemë Gostivari, ndërsa zëvendës të tij ishin: Mefail Zajazi, Arif Dragomanci, Uke Cami, Faik Dobovjani dhe Aqif Reçani.
Në ndër kohë, në këtë pjesë shqiptare, me insistimin e të deleguarit të KQ të PKJ-së, Svetozar Vukmanoviq – Tempo, u formua Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së) për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë. Në kuadër të këtij komiteti ishin përfshi edhe disa komunist shqiptar, si vëllezërit Agolli, Hamdi Dema etj. Përveç komitetit krahinor u formuan edhe disa aradha partizane maqedonase, të cilat bashkëvepronin me aradhën partizane të Haxhi Lleshit. Në janar të vitit 1944, Komiteti Krahinor i PKM-së për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, lëshoi një Thirrje në gjuhën shqipe, përmes së cilës ftoheshin shqiptarët për t’iu bashkangjitur “Luftës Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë” kundër okupatorit gjerman, ndërsa për çështjen e kufirit do të vendosej më vonë, nga vetë popullsia e atyre krahinave:
“…A asht Tetova e maqedonasve ose e shqiptarve, e kujt asht Kërçova…, atë do ta zgjidhni Ju vehtë mbas lufte, kurrë s’do të jetë okupatori gjakatar dhe kurrë lirisht do të mundeni t’i shprehni dëshirat e veta dhe të kërkoni të drejtat e veta…”.
Një afishe me përmbajtje të ngjashme, ky komitet lëshoi edhe gjatë muajit shkurt 1944, përmes së cilës ftohej rinia shqiptare e Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe e Strugës që të organizojnë “kudo komitete të Rinis antifashiste vllaznore Shqiptaro-Maqedonase”.
“Tradhtarët e popujve – thuhej në afishe, të cilët edhe deri më sot e shitën popullin, Mynyr Tërshana, Shaban Saliu, Osman Azizi, Shuaip Kamberi, Fiqiri Dine, Ali Maliqi…mobilizojnë rininë Shqiptare gjoja për mbrojtjen e Shqipnis. Bajnë gjindarmëri dhe polici fashiste, për ta mbledh rininë që të mund ta turbullojnë me propagandën e tyne helmuese dhe ta vënë në shërbim të interesave të veta…”. Afishja përfundonte me parullat e njohura komuniste: “Rrënoftë Ushtrija Nac. Çlirimtare Maqedone e Shqiptare! Rrënofshin repartet Partizane Shqiptaro-Maqedone Nacionalçlirimtare, hakmarrësit e sotshëm të popullit! Rrënoftë Ushtrija e Kuqe fitimtare dhe prisi, mësuesi i saj marshall i URSS-it J. V. STALIN!…etj.”.
Rrjedhat e më vonshme dëshmuan të kundërtën nga ajo që thuhej në dy dokumentet e cituara më lartë, përkatësisht, se të njëjtat, nuk patën asnjë qëllim tjetër, përveçse mashtrimin e popullit shqiptar në krahinën e Dibrës së tërësi, i cili asaj kohe qëndronte fuqishëm në linjën e politikës së “Bashkimit Dibran”, e cila politikë ishte në frymën e Lëvizjes Nacional Demikratike Shqiptare, e themeluar në Gjakovë, me ndërmjetësimin e Misionit Anglez, në mbarim të vitit 1943. Në këtë linjë, krahas Kryezinjve, qëndronin edhe figurat e shquara të Lumës e të Dibrës siç ishin: Muharem Bajraktari, Zenel Lita, Dostan Rexhepi, Cen Elezi, Fiqiri Dine, Uke Cami, Shemsi Hatipi, Osman Cami, Qeram Zllatku, Medat Tërshana, Fik e Ali Maliqi etj. Kjo provohet nga letrat e shumta të krerëve politik e ushtarak jugosllav, që me këtë rast po i referohemi letrës së anëtarit të Sh.K. të LNÇM-së, Cvetko Uzunovski -Abas, dërguar më 18 maj 1944, ShK të LNÇSh-së, përmes së cilës kërkohej vendosja e brigadave komuniste shqiptare në territorin e Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës:
“Thyemja e reakcionit – thuhej në letër – në Shqipninë e Mesme dhe në terrenin e Dibrës, Kërçovës, Strugës, Tetovës dhe Gostivarit, do të thotë me e izolu okupatorin gjerman dhe me e sulmue kur të duesh dhe si të duesh. Kjo do të thotë edhe më tutje: të krijosh kondita për me shvillue luftën në Shqipninë e Veriut dhe në Kosovë, dhe lidhjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipnisë me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë…”. (vijon)