Sipas ekspertëve ekonomik dhe përfaqësuesve të biznesit, thënia “JO” BE-së dhe NATO-s do të reflektohet drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, sepse derisa kompanitë vendore dhe ato të huaja nuk do të përmirësojnë konceptin e rrogave të ulta, jo vetëm të rinjtë – por edhe të punësuarit në numër të konsiderueshëm do të braktisin vendin qoftë edhe për periudha të shkurta në vendet e BE-së për rrogë më të mëdha
Zejnulla VESELI
Shkup, 4 tetor – Integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO apo mbetja jashtë këtyre dy institucioneve ndërkombëtare edhe për shumë vite tjera, nuk do mund ta ndalon procesin e shpërnguljes se shtetasve të Maqedonisë drejt vendeve evropiane e në veçanti të rinjtë si fuqi punëtore profesionale, shkruan gazeta KOHA. Kjo, sipas ekspertëve ekonomike dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit nga sektori privat, thënia “JO” BE-së dhe NATO-s do të reflektohet drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, sepse derisa kompanitë vendore dhe ato të huaja nuk do të përmirësojnë konceptin e rrogave të ulta, jo vetëm të rinjtë, por edhe të punësuarit tjerë në numër të konsiderueshëm do të tentojnë ta braktisin konceptin e rrogave të ulëta me produktivitet të ulët që e kemi tani, dhe do të ikin të punojnë qoftë edhe për periudha të shkurta në vendet e BE-së për rroga më të mëdha.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) vlerësojnë se në rast të ngecjes eventuale apo dështimit eventual të Maqedonisë drejt integrimeve në NATO dhe Bashkimin Evropian, sigurisht se kërcënohet largimi i një numri të madh të fuqisë punëtore profesionale.
“Njëra prej arsyeve për largimin e të rinjve profesional është për shkak të pasigurisë ekonomike me të cilën mundë të ballafaqohet Maqedonia. Padyshim që mungesa e kuadrove profesional dhe cilësor do të ndikojë rëndësishëm në produktivitetin e kompanive dhe në përgjithësi në ekonominë e vendit, prandaj ne vlerësojmë që përveç integrimit në NATO dhe BE, që do të sillte stabilitet dhe prosperitet në vendin tonë, duhet të fokusohemi edhe në krijimin e kushteve të volitshme për mbajtjen apo zvogëlimin e numrit të rinjve që po largohen masovikisht jashtë vendit”, thonë nga OEMVP-ja.
Nga kjo odë ekonomike shprehen optimistë edhe përkundër bojkotit të referendumit se Qeveria do të gjejë modalitetin që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s, përndryshe do të ketë turbulenca politike si që kemi pas në të kaluarën.
“Jemi dëshmitarë nga e kaluara se kur vendi ballafaqohet me ndonjë krizë apo turbulencë politike dhe institucionale, komuniteti i biznesit nuk është i anashkaluar dhe ajo padyshim që ndikon në mënyrë direkte dhe indirekte në stagnimin apo zvogëlimin e produktivitetit të biznesit”, thonë nga OEMVP-ja.
Profesori i ekonomisë pranë Kolegjit Amerikan në Shkup, Marjan Petreski, thotë se Maqedonia me hyrjen në BE dhe NATO, do të fitonte një siguri më të madhe jo vetëm në aspektin e sistemit afarist, por edhe në vendosjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të sundimit e drejtësisë.
“Problemi kyç që kemi një rritje ekonomike anemike, në parim ka të bëjë me paaftësitë institucionale, potencialit kadrovik të determinuar, si dhe mosbesim e qytetarëve dhe kompanive në këto institucione. BE dhe NATO janë garanci se institucionet shtetërore do të përforcohen dhe përsëri do të sundojë drejtësia. Njëherazi, ky është edhe parakushti kryesor që ekonomia e një shtetit të ketë rezultate pozitive dhe rritjen e standardit jetësor të qytetarëve”, thotë Petreski, ekspert ekonomik.
Në anën tjetër, edhe eksperti ekonomik Fatmir Bytyqi, është i mendimit se me anëtarësimin në NATO, për shtetin do të thotë siguri më e madhe që në aspekt gjeopolitik – do të thotë që për investitorët e huaj është një shtytje e jashtëzakonshme dhe siguri për investimet e tyre. “Shembujt e shteteve të tjera që kane kaluar në situate te ngjashme është shumë pozitive. Rritje e BPV në mënyrë të konsiderueshme. Hyrja ne BE, nga ana tjetër përveç përparësisë qe jep vete anëtarësimi dhe fondet e mundshme te cilat janë në sasi të konsiderueshme ose nëse tani kemi ne dispozicion 664 milion, atëherë mund te presim diku rreth 10 herë më shumë fonde. Ky është rast tipik me Kroacinë. Për ekonominë, gjithashtu kjo do të thotë treg më i madh me rreth 520 milionë konsumatorë të mundshëm”, shprehet për KOHA, Bytyqi.
Ndërsa me mos anëtarësimin BE dhe NATO, Bytyqi thotë se realisht Maqedonia privohet nga mundësia për të shfrytëzuar të gjitha këto mundësi.
“Komunitetit i biznesit mendoj se sfidën kryesore në këtë periudhë do ta ketë ngritjen e konkurrueshmërisë se tyre përkundrejt sfidave të tregut të rri dhe sfidave te reja. Mendoj se kompanitë tona duhet në kohë të fillojnë të mendojnë për të investuar në inovacione dhe ngritjen e konkurrueshmerisë së tyre globale jo duke u nis nga nevojat lokale, por nga sfidat globale dhe sfidat dhe kërkesat e konsumatorëve në tregun më të gjerë të Bashkimit Evropian”, thotë Bytyqi. (koha.mk)