Heshtja e faktorit ndërkombëtarë inkurajoi edhe më shumë qarqet hegjemoniste serbo-madhe, që të vazhdojnë politikën e tyre të dhunshme kundër shqiptarëve të pambrojtur. Burimet e Komitetit të Kosovës bëjnë me dije se brenda harkut kohor dhjetor 1918 – dhjetor 1920, në tokat e Shqipërisë “aneksue Serbisë më 1912-1913 në konferencë të Londrës”, ushtria pushtuese serbe e malazeze kishte vra mbi 80.000 shqiptarë të pafajshëm
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Po ky komitetit, më 27 shkurt, njoftonte se forcat pushtuese serbe e malazeze kishin djegë tërësisht Pejën, Rugovën, Plavën dhe Gucinë, dhe se rreth 15.000 vetë, numri më i madh i të cilëve ishin gra, pleq e fëmijë, ishin detyruar t’i lënë vatrat e tyre, ndërsa pjesa tjetër e cila nuk kishte mund të arratiset “i kanë masakrue dhe plaçkitë pasuninë e të gjithve…”.
Po atë ditë, Komiteti i Kosovës, përmes një letre protestuese, drejtuar përfaqësuesit të Fuqive Aleate në Shkodër, në mënyrë të hollësishme e përshkruante krimin dhe barbarizmin serbe e malazeze në këto krahina shqiptare:
“Serbët – theksohej në letër-, qi në saje të fitores qi siguruen Fuqiët e Mëdha Aleate, invaduen për herën e dytë Kosovën, qysh në vigjilen e hyrjes së tyne në Kosovë, ndoqën rrugën e çfarosjes së racës Shqiptare, me qëllim qi t’ja ndryshojë fizjonominë kombëtare të Kosovës. (Në pesëmbëdhjetë katunde të krahinës së Podgoricës, zhuridiksioni i Pejës kanë djegë 420 shtëpi, kanë masakrue 231 vetë. Gjithashtu, në rrethin e Rugovës të Zhuridiksionit të Pejës kanë djegë krejtësisht 13 copë katunde qi kishin 410 shtëpi dhe i kanë plaçkitë edhe kanë vra 846 vetë. Në qytetet e katundet e Plavës të Gusinës kanë djegë 489 shtëpija e kanë vra pesë qind vetë e tjera…)”.
Përveç se në Shkodër, numër shumë i madh i të arratisurve qenë strehuar në Malsi të Shkodrës e të Gjakovës. I deleguari i Komitetit të Kosovës, Beshir Vokshi, nga Malsia e Gjakovës, njoftonte udhëheqjen qendrore të Komitetit, se pas “disfatës që psuen Rrugova, Plava e Gucija” me mira banorë të këtyre krahinave kanë ardhë në Malsi të Gjakovës. Sipas tij situata atje nuk ishte e mirë, për shkak se siç bënte me dije komandanti serb në Has i kishte ftuar krerët e Malsisë së Gjakovës, që të takohen me të, për arsye sesiç vë në dukje “mbassi ai don me ardhë në katund të Bytyçit me një fuqi ushtarake dhe me vu katër posta në Malci të Gjakovës”. Malsia, theksonte më tej Vokshi “jo vetëm se s’mundet me u mprojtë pse s’ka armë” porse qeveria serbe ka nisë për në Beograd gjashtë malësorë, përkrahës të Esat Pashës, dhe se ekziston mundësia që brenda këtyre dy ditëve“serbët të ngrehin qeveri në Malci”. Ndërkohë, komanda ushtarake serbo-malazeze në Kotor, për t’i fsheh t’i gjitha ato mizori të kryera mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, në takimin e zhvilluar me komandantin e forcave Aleate, fajësonte shqiptarët, se gjoja paskan sulmuar të parët. Tërë kjo, sipas Komitetit të Kosovës, nuk ishte asgjë tjetër veçse se një përpjekje e serbëve për t’i mbuluar veprat e tyre kriminale. Pretendimet serbe u hodhën poshtë nga Komiteti i Kosovës, i cili përmes një promemorie drejtuar, përfaqësuesit politik të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ofronte fakte e dëshmi të pakontestueshme, të cilat nxitën trazirat në Rugovë, Plavë e Guci: “Serbët e malazezët – thuhej në Promemorie – si pjellë e pansllavizmit dhe e politikës ruse, u treguen shumë të zotët me mëshefë ose shtrembnue krimet e barbarizmat që kryen që nga data e ekzistencës së tyne…. Serbët, të cilët kanë ardhë n’atë shkallë saqë, i ban me besue qarqet diplomatike europjane se Shqiptarët nuk janë veçse grumbuj aventurjerash që banojnë në nji vend qi shtrihet prej Tirane deri në Tepelenë e se Kosova asht e banueme fund e maje prej Serbësh, t’ue mëshefë kështu eksistencën e një miljon banorëvet shqiptarë në vilajet të Kosovës”.
“Një hetim – përfundonte Promemoria – mjafton me qitë në shesh se cilët janë shkaktarë të kësaj gjendje. Prandaj nga ndjenjat e larta e fisnike të Shkëlqesës s’uej lusim me marrë masa të ngutshme me këthye refugjatët e mjerë ndër vende të veta nën garancinë e shtetëvet të mëdha për t’i shpëtue nga vdekja, dhe me i vu ato vise, deri në kohën e paqës, nën nji administratë ndërkombëtare tue i detyrue shkaktarët me iu shpërblye edhe damet…”.
Një ditë më pas, përkatësisht më 28 shkurt 1919, Komiteti i Kosovës, përmes një shkrese i drejtohej edhe komandantit të Fuqive Aleate, përmbajtja e së cilës është me sa vijon: “Populli i Plavës dhe i Gusinjës, duke qenë i bindur në urdhërin e kryekomandantit të armatave të Lindjes, rinte i qetë, këtë herë pa pritmas, u sulmu nga ushtëria e serbëve dhe malazezëve. Pas një mbrojtje heroike, që vazhdoi 5 ditë një pjesë e popullsisë që mundi të shpëtojë nga zjarrmet dhe masakrat, me kalamaj e me gra, dhe me ato kafshë që mundi ti shpëtoj, po vijnë në Shkodër. Këtë ndodhinë gjakpirëse, që është përsëritje nga krimet e tmerrëshme të ushtërisë serbe e malazeze, e protestojmë më rreptësisht, dhe kërkojmë që pa drejtësinë e keqe që bëri kjo administratë vrasëse mbi racën tonë ta shpërblejë. Njëkohësisht lusim nga zotnia e juaj, që për të shpëtuar nga uria ata që shpëtuan nga ato pësime, të merren masat e duhëshme”.
Letra, protesta e promemorie, lidhur me ngjarjet tragjike të popullsisë shqiptare në Rugovë, Plavë e Guci, Komiteti i Kosovës u dërgoi qarqeve të shumta diplomatike e ushtarake europiane e botërore, përmes së cilave kërkonte ndërprerjen e menjëhershme të terrorit dhe masakrimit të popullsisë shqiptare në ato krahina, krijimin e kushteve për kthimin e popullsisë së shpërngulur, si dhe dëmshpërblimi i dëmeve të shkaktuara nga ushtria pushtuese serbo-malazeze, që me këtë rast po e paraqesim letrën dërguar Vatikanit, përmbajtja e së cilës ishte me sa më poshtë vijon: “Selisë së Naltë të Shejtërisë së Papës, Parashtrojmë: Komiteti i Kosovës kërkon të fala për guximin që po mer me i paraqitë Selisë së shejtë të Papatit statistikat përmbledhëse të autoritetevet të qeverisë së Beligradit kundra racës shqiptare. Sikur dijenija e juej që përfshinë ruzullimin ka me premtue me kuptue prej këtyne statistikavet, Serbët kanë nisë me iu dhanë nji karakter dhe ma të tmerrshëm e ma tragjik barbarizmave të tyne të fillueme qysh prej luftës së Ballkanit asht me sllavizue Kosovën, e cila asht atdheu i Shqiptarëvet qysh nga epokat prahistorike, dhe me çbi një pjesë të Shqiptarëvet myslimanë e katolik dhe një pjesë tjetër m’e shtrëngue t’emigroj. Kjo barbarizëm nuk identifikohet vetëm kundra myslimanvet, pse nuk bahet nji dallim në mes elementit mysliman e katolik kur piksynimi asht me çfarosë Shqiptarët. Qeverija e Beligradit tue marrë guximin nga heshtja e Europës përpara ngjarjeve tragjike të Serbëvet në Tërgovishtë, në Podgor, në Rugovë, në Plavë e në Guci ka fillue tashti me vu në zbatim programin e çfarosjes s’elementit shqiptar dhe në Prishtinë, në Ferizoviq, në Vuçitërn, në Mitrovicë e në vise të tjeratë Kosovës në qoftë se Europa nuk ka me naltësue zanin njerzor të kunrështimit, Serbët kanë me ba masakra që kanë me i vu një njollë të amshueme turpi fytyrës së njerëzimit. Me përvujtni lutë Selinë e shenjtë të Papatit Komiteti i Kosovës që të ketë mëshirën Shejtënija e tij me ngrejtë zanin përpara qarqeve diplomatike t’Europës për t’u dalë para këtyne vepravet barbare dhe për të shpëtue kështu nga çfarosja racën shqiptare.”.
Kjo letër, sikurse edhe shumë letra tjera protestuese që Komiteti i Kosovës asaj kohe u dërgoi qarqeve të atëhershme vendimmarrëse botërore, nuk u morën fare në konsideratë. Pikërisht kjo heshtje e faktorit ndërkombëtarë, inkurajoi edhe më shumë qarqet hegjemoniste serbo-madhe, që të vazhdojnë politikën e tyre të dhunshme kundër shqiptarëve të pambrojtur. Burimet e Komitetit të Kosovës bëjnë me dije se brenda harkut kohor dhjetor 1918 – dhjetor 1920, në tokat e Shqipërisë “aneksue Serbisë më 1912-1913 në konferencë të Londrës”, ushtria pushtuese serbe e malazeze kishte vra mbi 80.000 shqiptarë të pafajshëm. (vijon nesër)