Driton ZENKU
Gostivar, 5 mars – Mbeturina të hedhura e të shpërndara gjithandej, shishe plastike, erë e rëndë, pamje e pahijshme, shkruan gazeta KOHA. E gjithë kjo panoramë gjendet vetëm disa hapa afër dy bulevardeve kryesore të qytetit të Gostivarit, pas disa ndërtesave kolektive rrugës për te Stacioni Policor. Deponia e egër që është krijuar në këtë lokacion, u shkakton makth banorëve, sidomos kur fillon ngrohja e motit, pasi aroma e padurueshme fillon të shpërndahet gjithandej. Pastaj vetë banorët akuzojnë njëri-tjetrin për gjendjen e krijuar, thonë se nga katet e larta hedhen mbeturinat. Dëshmi për këtë ishte një pemë ku vëreheshin qese plastmase të mbushura e të hedhura, ndërsa kishin ngecur nëpër degë. “Unë banojë në këtë ndërtesë që nga viti 1966, por derisa nuk e kishim këtë ndërtesën këtu që u ndërtua më vonë, ishim mirë. Por me ndërtimin e saj dhe mbushjen me banorë, ne jemi në hallë të madh. Të gjitha mbeturinat e veta me qese plastmase i hedhin nga dritarja, dëshmi është kjo pema këtu ku duken qeset e varura. Por, më e keqja, ata hedhin gjithçka që mbërrin. Sillen sikur nuk ka këtu kontejnerë. Vërtetë këto banorë karshi që kemi janë njerëz të pandërgjegjshëm, njerëz të ligë kërkojmë që ata të sanksionohen për atë që bëjnë”, shprehet për KOHA, Bllagorodna Krsteska.
Banorët edhe pse janë falënderues ndaj aksionit të ndërmarrë për pastrim nga ana e Ndërmarrjes Publike “Parkingje dhe Gjelbërim”, thonë se duhet ndryshuar mentaliteti tyre, pasi shtojnë, pandërgjegjshmëria nga vet ata, deponia do të krijohet sërish. “Të vini përsëri vitin tjetër dhe të shihni se përsëri do të kenë hedhur. Ata janë mësuar, prandaj do të hedhin prapë. Pse nuk ndodh te ndërtesa jonë? Edhe te ne ka 30 banesa me banorë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Vjen vera do na mbysë era e rëndë, ndërsa këtu ka edhe shumë fëmijë, të cilët mund të marrin ndonjë sëmundje nga kjo papastërti”, shton Krstevska.
Pastrimi i kësaj deponie të egër ka zgjatur plot dy ditë. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Memetali Emro, apeloi banorët nga ndërtesat kolektive që të ndalojnë hedhjen në të ardhmen, pasi do të ndërmerren masa ndëshkuese. Problem shtesë në këtë lokacion është një shtëpi e pabanueshme ndër vite, e ku, sipas banorëve, orëve të mbrëmjes shndërrohet në çerdhe narkomanësh. Ata së bashku me drejtorin Emro kanë apeluar policinë që të ndërmerr masa dhe ata persona të largohen nga aty. Pas aksioni për pastrim, mbete në vet ndërgjegjen e banorëve se si do veprojnë, pasi deponia e krijuar ishte shumë pranë dritareve të banesave të tyre, gjë e cila mund të sjellë në ndonjë sëmundje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.