Nga Emin AZEMI
Me ratifikimin e Marrëveshjes “për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”, Maqedonia po mundohet të tregojë se politika e “zero problemeve” me fqinjët nuk do të mbetet edhe pa përfitimet e saja, sidomos në raport me frymën eurointegruese të diplomacisë së Brukselit. Megjithatë, po t’i referohemi shtypit maqedonas, edhe marrëveshja me Bullgarinë nuk ka kaluar pa kontestime, sidomos nga ata që po kërkojnë njëfarë simetrie në trajtimin e çështjeve të ndryshme identitare. Bile njëri prej deputetëve të shumicës, filozofi Ferid Muhiq, u përmbajt në votimin e tij, duke e cilësuar këtë marrëveshje jo shumë parimore dhe që ka qasje asimetrike në marrëdhëniet në mes të dy shteteve e popujve.
Bullgaria, si anëtare e BE dhe NATO, është një prej fqinjëve më me peshë që i siguron Maqedonisë disa parakushte për të hequr animozitetet që vijnë nga mendësia ballkanike e status-quos. Duke qene shumë e varur nga rrethanat e fqinjësisë, Shkupit zyrtar i është dashtë të korrigjojë politikat pararendëse të izolimit, dhe të tregojë një frymë më kooperuese dhe tolerante në trajtimin e çështjeve të ashtuquajtura të vështira.
Por, kjo nuk po mjafton, sepse Maqedonia ka edhe fqinjë të tjerë që paraqesin, gjithashtu, faktor me peshë në rrugëtimin e saj eurointegrues. Nëse marrëdhëniet me Bullgarinë mund të quhen të shtendosura, hë për hë, kjo nuk mund të thuhet edhe për Greqinë. Kjo e fundit, madje është guri kilometrik më me relevancë në rrugën e gjatë të Maqedonisë në proceset euro-integruese. Mbase, punët, si duket, nuk po shkojnë ashtu siç e kishin menduar në fillimi autoritet e Shkupit, për arsye se çështja e emrit nuk ka gjasa të zgjidhet shumë shpejt. Masa kritike që po vjen duke zënë vend gjithnjë e më shumë në diskursin politik të Athinës zyrtare, tani më po manifeston një refuzim më të hapur ndaj të gjitha atyre ofertave që ata i konsiderojnë si irredentiste.
Ndodhja e shqiptarëve të hutuar në këtë gjeopolitikë rajonale, meriton vëmendjen e një shqyrtimi paksa më shterrues. Në radhë të parë, cilat kanë qenë efektet kthyese të politikave parimore që kanë patur shqiptarët ndaj fqinjëve. Ose, a ndodhi ndonjëherë që shqiptarët ti kalkulojnë paraprakisht këto politika parimore, përpos rasteve individuale kur aparatçikë të ndryshëm partiakë kanë përfituar nga ato politika.
Në anën tjetër, të villet kur lexon alamet emra akademikësh të cilët pa fije turpi mohojnë një të drejtë elementare të shqiptarëve, siç është përdorimi zyrtar i gjuhës së tyre, ndërkohë që po të njëjtit akademikë tregohen shumë të matur e pragmatikë ndaj grekëve e serbëve që janë mohuesit më të drejtpërdrejtë të identitetit etnik e fetar maqedonas.
Gjeopolitika e re, që ende nuk po i jep frytet e saja në marrëdhëniet fqinjësore të Maqedonisë, sidomos në raport me Greqinë, nuk do të jetë e plotë pa u shkundur të gjitha paragjykimet dhe refuzimet ballkanike. Në këtë gjeopolitikë do të duhej të kalkulohen edhe qëndrimet e shqiptarëve, mirëpo jo gjithmonë jemi treguar të zgjuar të përfitojmë, sepse jo rrallë avansin e shndërrojmë në veresi. (koha.mk)