Ylli kosovar i futbollit, Shefki Kuqi, që është shqiptari i parë i Kosovës që ka luajtur në Premierligë, ka folur ekskluzivisht për “Sportin në KTV”, përcjell gazeta Koha. Aty e ka pranuar se nuk kishte pranuar që të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë, meqë i kishin kërkuar para.
“Thoshin nëse e do pasaportën, nëse do me luajt në kombëtare… unë s’kam qenë i interesuar për aso gjërash dhe zgjodha Finlandën”, ka thënë Kuqi.
Ka folur edhe për Milot Rashicën, edhe për faktin që të dy janë nga Vushtrria. “Miloti për mendimin tim e ka gjet veten shumë mirë, e ka kuptuar se kush është dhe çfarë mund të bëjë në Werder Bremen”, ka thënë Kuqi.
Kuqi ka kaluar nëpër disa skuadra angleze. Fillimisht në Sheffield, më pas në Ipswich Town, e më pas në Blackburn, Crystal Palace e kah fundi i karrierës edhe në Newcastle United. “Nëse fizikisht dhe mentalisht nuk je i përgatitur në futbollin anglez nuk mund të mbijetosh”, ka thënë Kuqi, derisa ka shtuar se më lehtë e ka pasur në Premierligë se sa Championship. Në Premierligë futbolli është në tjetër nivel, më teknik. Ndërsa ndeshjet në Championship janë më të forta fizikisht”, ka thënë Kuqi. “Fakti pse unë kam ndërruar shumë skuadra është sepse unë nuk kam pranuar që të bëj stërvitje gjatë gjithë javës dhe në ditën e ndeshjes të ulem në publik, pa marrë parasysh pagës. Natyrisht nuk kam kërkuar siguri të plotë se do të luajë në çdo ndeshje, por nëse e kam lexuar nga trajneri se nuk jam në planet e tij ose për t’u angazhuar në ndeshje ose për të qenë në bankën rezervë, unë nuk kam qëndruar në atë ekip”, ka thënë Kuqi.
Kuqi është në rrugë për t’u bërë trajner i futbollit, derisa ka thënë se zeja e trajnerit është krejt ndryshe nga të qenit futbollist. Për Kuqin është shkruar edhe një libër në Finlandë, që mban emrin “Demi i Kosovës”, e ku përshkruhet gjithë karriera e tij në futboll.