Bujar KURTAJ
Shkup 4 mars – Shkëndija do të luajë këtë fundjavë kundër Shkupit, në përballjen që konsiderohet si derbi shqiptar. Objektivi i kuqezinjve është i qartë, tre pikë për të vazhduar “luftën” për titullin kampion me Vardarin. Nga ana tjetër tre ose eventualisht një pikë, duke marr parasysh kualitetin që e ka skuadra tetovare, synon të fitojë edhe skuadra shkupjane, duke marr parasysh se po “lufton” për mbijetesë.
Futbollistët nga të dyja taborët thonë se respektojnë për njëri tjetrin, por atyre nuk u mbetet asgjë tjetër, vetëm se ti realizojnë synimet që i kanë. Kështu, Ardian Cuculi nga radhët e kuqezinjve thotë se ndeshja me Shkupin është një ndeshje e rendësishme, por atyre nuk u mbetet asgjë tjetër vetëm se të mendojnë fitoren. “Ndeshje e rëndësishme për ne, takim interesant i cili vendos përballë dy ekipe shqiptare. Respekt për skuadrën e Shkupit që në radhët e tyre kanë lojtarë cilësorë, një pjesë e të cilëve në të kaluarën kanë qenë pjesë e Shkëndijës, por dihen synimet tona dhe në bazë të tyre nuk na mbetet gjë tjetër veç se të mendojmë fitoren. Normal do të hyjmë në lojë pa nënvlerësuar aspak kundërshtarin, të japim gjithë maksimumin dhe të zbatojmë detyrat e stafit teknik. Shpresoj të ketë numër sa më të madh të shikuesve për të ndjekur këtë ndeshje dhe për të na përkrahur. Në një lojë korrekte nga të dyja palët, shpresojmë se ne do të jemi në fund fitues të këtij takimi dhe të vazhdojmë rrugën drejt kreut të renditjes”, deklaroi për KOHA, Ardian Cuculi.
Në anën tjetër, Florian Kadriu pohon respektojnë Shkëndijën, por në Tetovë do të shkojnë për të kërkuar rezultatin pozitiv. “Kemi punuar mirë gjatë gjithë kësaj jave dhe mendoj se jemi në formë të mirë që të vazhdojmë me paraqitje të mira edhe në ndeshjen ndaj Shkëndijës. Ne luajtëm mirë në dy duelet e fillim sezonit, si ndaj Vardarit ashtu edhe ndaj Rabotniçkit, por që për fat të keq morëm vetëm një pikë. Do të udhëtojmë drejt Tetovës me gjithë respektin që kemi ndaj Shkëndijës, por gjithmonë në kërkim të rezultatit pozitiv. Skuadra nga java në javë po avancon dhe po tregon lojë kolektive dhe jemi skuadër që gjatë 90 minutave sulmojmë duke kërkuar golin”, deklaroi për faqen zyrtare të klubit bardhekaltër, Kadriu. Ndryshe, skuadra e Shkupit edhe në ndeshjen ndaj Shkëndijës do të ketë mungesa. Shkaku i lëndimit edhe këtë javë është jashtë skuadrës Filip Janevski, ndërsa në dyshim është edhe paraqitja e Sedat Berishës, i cili nga e enjtja ka lënduar akilin e këmbës së djathtë. Gjithashtu jashtë skuadrës kanë mbetur edhe Mbella dhe Iliç, të cilët vazhdojnë të rregullojnë statusin e tyre me ndërmjetësim të FIFA-s. Në anën tjetër, trajneri Tomas Brdariç në përjashtim të Armend Alimit, në dispozicion të dielën do ti ketë të gjithë futbollistët.
Ndërkohë, kampioni aktual dhe lideri momental Vardari do të sfidohen nga skuadra e Pobedës. Në këtë ndeshje ata hynë me dy fitore të njëpasnjëshme, ndërsa futbollistët e këtij ekipi, paralajmërojnë vazhdimin e serisë së fitoreve edhe në këtë përballje.
Derisa, skuadra tjetër shqiptare Renova, sot (e shtunë) do të sfidojë Rabotniçkin në “Telekom Arena”. Në këtë ndeshje djemtë e trajnerit Qatip Osmani do të udhëtojnë pa ndonjë ngarkesë psikike, duke marr parasysh se gjenden në mesin e “artë” të tabelës së klasifikimit.
Të gjithë ndeshjet e javës së 21, në përjashtim të atij në Shkup ndërmjet Rabotniçkit dhe Renovës, që luhet sot (e shtunë), do të zhvillohen të dielën në ora 14.00.
Java e 21, takohen:
sot (e shtunë)
Rabotniçki – Renova
E Diel
Shkëndija – Shkupi
Bregallnica – Sileksi
Pobeda – Vardari
Mak.Gj.P. – Pelisteri