Shkup, 8 gusht – Skuadra e Shkëndijës sot (e mërkurë) do të zhvillojë përballjen e parë me Sallzburgun në kuadër të raundit të tretë të Ligës së kampionëve. Kuqezinjtë janë në gjysmë të rrugës për të arritur deri te caku i dëshiruar, plasmani në plej-of edhe pse rivali i tyre është një skuadër e madhe, kampionia e Austrisë, dhe e cila sezonin e kaluar në “Europa League” arriti deri në gjysmëfinale. Pas TNS-së dhe Sheriff Tiraspolit, për djemtë e trajnerit Qatip Osmani kjo përballje është një sfidë e madhe, por ata nuk ndjejnë presion pasi nuk kanë se çfarë të humbin, por munden vetëm të fitojnë. E themi këtë pasi edhe në rast të eliminimit nga Liga e kampionëve, Shkëndija do të luajë në ‘play-off’ të Liga Evropës, për herë të dytë pasi më herët ata u eliminuan nga skuadra belge Gent.
Mbrojtësi i krahut të majtë Mevlan Murati, thotë se atë dhe shokët e skuadrës i pret një përballje e vështirë, por pranon se janë maksimalisht të përgatitur dhe se besojnë në kualitetet e tyre. “Me Sallzburgun na presin dy ndeshje të vështira. Duhet të jemi maksimalisht të përgatitur për këto ndeshje. Si ekip kemi analizuar kundërshtarin dhe jemi përgatitur mjaftë mirë. Besojmë në kualitet tona sepse nuk jemi rastësisht këtu dhe do japim më të mirën nga vetja që të kalojmë në ‘play off’ te Çampionist. Atmosfera është në nivelin e duhur, jemi të vetëdijshëm për ndeshjen dhe rëndësinë e saj dhe vet fakti që jemi këtu motivimi është në maksimum dhe jemi të përgatitur mirë për tu përballur me Sallzburgun”, deklaroi për gazetën KOHA, Murati. Ndryshe, kuqezinjtë do të jenë edhe më të fortë për këtë përballje, pasi në kombinim për këtë sfidë do të jetë përforcimi i fundit Gledi Mici, i cili mori lejen e duhur nga UEFA për të luajtur.
Në anën tjetër futbollisti nga Mali në radhët e Sallzburgut, Diadi Samaseku thotë se e respektojnë Shkëndijën dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ti nënçmojnë ata. “Nëse dikush flet për ‘play’off’-in, atëherë gabon. Shkëndija ka shumë kualitet, sidomos në pjesën e sulmit. Duhet patjetër të jemi maksimalisht të koncentruar nëse dëshirojmë të plasohemi në fazën tjetër në Ligën e kampionëve”, deklaroi Samaseku.
Përballja mes Sallzburgut dhe Shkëndijës fillon në ora 19.00.