Shkup, 14 gusht – Skuadra e Shkëndijës sot (e martë) në “Filipi i dytë” përballet me Red Bull Sallzburgun e Austrisë në kuadër të ndeshjes kthyese të xhiros së tretë eliminatore të “Champions League”. Cekim, kuqezinjtë kanë negativë prej 3-0 nga ndeshja e parë e cila u zhvillua javën e kaluar në Austri, derisa nga tabori i skuadrës tetovare shpresojnë në befasi përkundër faktit se kanë rezultat negativ.
“Edhe pse kemi rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe përkundër diferencës së thellë, në Shkup kemi të drejtë të shpresojmë. Megjithatë duhet të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë. Në futboll ndodhin befasitë, kështu që Shkëndija do të jetë maksimalisht e mobilizuar dhe e angazhuar për të treguar lojën më të mirë të mundshme. Mund të kemi ndryshime të vogla në formacion, problemi i vetëm është lëndimi që pësoi Mevlan Murati në takimin me Vardarin. Gjithsesi në këtë moment gjithë vëmendja jonë është për sfidën me Red Bull Sallzburgun, ndërsa pas takimit do të shikojmë se në çfarë drejtimi do të duhet të mendojmë për të ardhmen”, deklaroi para mediave shefi i stafit teknik i KF Shkëndija, Qatip Osmani.
Derisa, mbrojtësi i kuqezinjve, ai dhe shokët e tij do të japin maksimumin që të bëjnë sensacion. “Neve në ndeshjen e parë na mungoi pak eksperienca nga ndeshje të nivelit të këtillë evropian, duke bërë gabime që na kushtuan me pranim të golave. Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe besoj se jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit. Do të kërkojmë të tregojmë në radhë të parë karakter kampioni dhe pastaj do të shohim se cili do të jetë rezultati final”, shprehet mbrojtësi kuqezi, Visar Musliu. Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Red Bull Sallzburgut do të fillojë në ora 20.15.