“Kuponët e turizmit mund të përdoren deri më 15 dhjetor të 2020, ndërsa paratë nga kuponët e papërdorur do të kthehen në buxhetin e shtetit dhe të njëjtat do të përdoren për masa të tjera për sektorin e turizmit apo të hotelerisë”, deklarojnë për KOHA nga Ministria e Ekonomisë
Arbër KADRIU
Shkup, 21 nëntor – Qytetarët kanë shfrytëzuar vetëm gjysmat e kuponëve turistik që kohë më parë i ndau qeveria. Prej sektorit turistik për ndihma janë ndarë një shumë parash prej 4.2 milionë euro. Qytetarët prej kësaj platforme të Ministrisë së Ekonomisë kanë marrë 100.289 kuponë apo kartela, ndërsa prej tyre janë shfrytëzuar vetëm 42.992. Kuponët turistik ishin në vlerë prej 100 euro, të planifikuara për qytetarët me të ardhura minimale prej 15 mijë denarë. Me këto kuponë, qytetarët më së shumti gjatë këtij sezoni veruan në rajonin Ohër-Strugë, apo 40% e kuponëve shkuan në këto dy qytete. Ndërsa, 35% e kuponëve të tjerë janë shfrytëzuar në qytetet si në Dojran, Manastir, Prespë, Kumanovë, Strumicë, Krushevë… Përderisa 25% prej tyre ishin harxhuar në destinacione turistike malore në Mavrovë, Kodër të Diellit, Berovë dhe Pelister.
Gjatë periudhës së muajit janar-shtator të këtij viti, në dallim prej vitit të kaluar, numri i turistëve është zvogëluar për 60.4%. Pra gjatë vitit 2020 ka 20% më pak turistë vendas për dallim prej vitit të kaluar, dhe 83% më pak turistë nga jashtë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, numri i turistëve në shtator të këtij viti, për dallim prej shtatorit të 2019 është zvogëluar për 63.9%, ndërsa numri i pansioneve nëpër hotele është zvogëluar për 57.5%. Numri i turistëve vendas në shtator të këtij viti për dallim nga viti i kaluar është rritur për 33.7%, kurse sa i përket numrit të turistëve që vijnë nga jashtë, numri i tyre është zvogëluar për 92.3%.
Nga kartelat e ndara nga Qeveria, 30% nuk janë shfrytëzuar fare, kështu që nga Ministria Ekonomisë theksojnë se kartelat apo kuponët do të mund të përdoren deri më 15 dhjetor, ose në të kundërtën – nëse nuk shfrytëzohen, të gjitha paratë e mbetura do t’i kthehen buxhetit të shtetit. “Kuponët e turizmit mund të përdoren deri më 15 dhjetor të 2020, fondet nga kuponët e papërdorur do të kthehen të gjitha në buxhet të shtetit dhe ato do të përdoren për masa të tjera për sektorin e turizmit apo të hotelerisë”, deklarojnë për KOHA nga Ministria e Ekonomisë. Ndryshe, kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga Covid-19 ka goditur gjithë globin, jo vetëm Maqedoninë. Së fundmi, në vend si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës, me kërkesë të Këshillit për Siguri Kombëtare dhe me miratim të Qeverisë, është shpallur gjendje e krize me kohëzgjatje prej 30 ditësh. (koha.mk)