Ndeshje e nxehte sot në Strugë në kuadër të “Kupës së Maqedonisë” mes Klubit Futbollistik Struga dhe KF Pobedës. Struganët edhe pse garojnë në Ligën e Dytë të Futbollit në Maqedoni në këtë ndeshje do të japin më të mirën nga vetja. Shumë përkushtim dhe futboll të mirë para shikuesve të cilët do t’i përkrahin në stadiumin vendas. Por duke mos harruar edhe Pobedën e cila garon në Ligën e Parë të Futbollit në Maqedoni, me një ekip mjaftë të mirë dhe lojë cilësore.
Për gazetën “KOHA” ka folur drejtori sportiv i F.C Struga, Besar Isaku, i cili tha: “Kundër ekipit të Pobedës presim rezultat pozitiv edhe pse kemi shumë respekt ndaj kundërshtarit. Një ekip cilësor i cili mund të bëjë shumë problem. Po ashtu nuk duhet harruar faktin se është një ekip i cili garon në elitën e futbollit në Maqedoni. Kalimi në fazën tjetër do të jetë motivim shtesë për futbollistët tanë dhe mendoj se ne kemi kualitet të përballemi me çdo kundërshtar të Ligës së Parë. Kemi besim në vetvete dhe jam i bindur se mund të arrijmë edhe më lartë me këtë fond futbollistësh”. Ndeshja zhvillohet sot në “Stadiumin e Qytetit” në Strugë me fillim nga ora 17:00. (koha.mk)