Shkup, 15 shtator – Të mërkurën janë zhvilluar ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Maqedonisë së Veriut në futboll. Ekipet e mëdha nuk është se hasën në probleme, ndërsa si rezultate surprizë, mund të konsiderohen ato në Shkup, ku Fortuna e Hasanbegut që garon në Ligën e tretë, eliminoi deri dje ekipin e elitës, Borecin, dhe ai rezultati në Gostivar, ku ekipi vendas që mban të njëjtin emër u eliminua nga Pelisteri, të cilën skuadër në fundjavë e mundi në Manastir me shifrat 3:1 në kuadër të xhiros së katërt në Ligën e Dytë.
Kampionët në fuqi të FC Shkupit mundën Bellasicën në Strumicë me rezultatin 3:1, me të gjithë golat që u realizuan vetëm në pjesën e dytë.
Shkëndija falë golave të shënuar nga Gonçalves (10’), Nafiu (73’) dhe Elezi (90+1’), mundi Karaormanin në Strugë, derisa ekipi lider në kampionat, Struga Trim Lum falë golave të shënuar nga Abdylhadi Jahja dhe Miklovan Pere eliminoi Vardar Negotinën me shifrat 1:2, Akademia Pandev dhe Pobeda ishin shumë bindëse, duke mundur me rezultatin 6:0 Karbincin, gjegjësisht Teteksin.
Rabotniçki me rezultatin 5:0 eliminoi ekipin e Konjarit,fitore të sigurta edhe për Vardarin dhe Bregallnicën (3:0), duke eliminuar Sasa-n, gjegjësisht Slloga Vinicën, Pelisteri falë golit të shënuar nga Nikolla Naumoski në minutën e 90-të eliminoi Gostivarin, ndërsa Fortuna e Hasanbegut bëri surprizën më të këndshme të kësaj faze, duke eliminuar me rezultatin 5:3 Borecin, skuadër kjo që deri edicionin e kaluar bënte pjesë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.
Ndërkohë Voska Sport, Skopje dhe Ljuboteni pa fare luftë u kualifikuan për në ndeshjet e 1/8 së finales, pas tërheqjes nga kjo garë të skuadrave si Zajazi, Crno Buki dhe Renovës, me këta të fundit që para fillimit të kampionatit u tërhoqën edhe nga Liga e Parë. Pa luftë, në raundin e 1/8 së finales do të garojnë edhe Makedonija GJ.P, fituese e edicionit të kaluar të Kupës, si dhe ekipi finalist, Sileksi.