Kupa e Italisë luan sot në mbrëmje aktin final, sepse në “Olimpico” të Romës Atalanta e Lazio përballen në finalen që për herë të parë pas 4 vitesh nuk sheh protagonist Juventusin, triumfues prej 2015. Atalanta, surpriza e bukur e sezonit në Itali, e ka fituar Kupën vetëm një herë, para 56 vitesh, ndaj kërkon të kurorëzojë një rrugëtim spektakolar, që mund të mbyllet me vendin e katërt në Serinë A këtë sezon. Ndërkaq, Lazio është praktikisht pa asnjë objektiv në kampionat dhe kupa është si një shpëtim për sezonin e dështuar.
FAKTORI STRAKOSHA – Kupa e Italisë duket si kupa e Strakoshës, sepse portieri kuqezi ka fituar trofe me Lazion pa debutuar ende në ekipin e parë. Më 26 maj 2013, me Petkovic në stol, Thomasi ishte në stol për finalen e kupës kundër Romës.
Atë ditë, në derbin e vetëm roman që ka vlejtur një trofe, Strakosha nuk luajti, por mori medaljen e artë në fund, falë fitores 1-0 me gol të Senad Lulic.
Pikërisht kupa është turneu që i merr maksimumin Strakoshës, i cili ka fituar edhe një kupë me ekipin Primavera, sërish me Romën në finale, ndërsa ka fituar Superkupën e Italisë në vitin 2017, duke qenë protagonist i madh në suksesin 3-2 ndaj Juves.
Edhe në finalen e luajtur pak muaj para Superkupës, ku Juve fitoi 2-0, Strakosha ishte heroik, me dy pritje ndaj Dybalas dhe 3 ndaj Higuain. Kjo është arsyeja pse Simone Inzaghi nuk rrezikoi, e la pushim Strakoshën javën e shkuar në Cagliari, pasi Strakosha është një garanci dhe një hajmali, duhej ruajtur patjetër për finalen e kupës.
FORMACIONET – Gasperini do të hedhë në fushë formacionin që ka pasur sukses kohët e fundit, me portierin Gollini që tashmë nuk e lëshon më vendin dhe me Palomino, Masiello e Gjimshiti në mbrojtje.
Simone Inzaghi kthen në formacion Strakoshën, i cili u la pushim javën e shkuar edhe për faktin se kishte një dëmtim të lehtë. Po ashtu, kthehen edhe Lucas Leiva e Immobile, por Milinkovic-Savic është në dyshim dhe pritet ta nisë nga stoli.
ATALANTA – LAZIO (ora 20.45, Olimpico, Romë)
ATALANTA (3-4-1-2): Gollini; Masiello, Palomino, Djimsiti; Hateboer, De Roon, Freuler, Castagne; Gomez; Ilicic, Zapata. Tr. Gasperini
LAZIO (3-5-2): Strakosha; Luiz Felipe, Acerbi, Bastos; Romulo, Parolo, Lucas Leiva, Luis Alberto, Lulic; Correa, Immobile. Tr. Inzaghi