Kështu edicioni i sivjetshëm është i 109-ti në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm të skuadrave përfaqësuese sa i përket tenisit të meshkujve. Për këtë edicion është menduar që të ndryshohet edhe struktura, duke i ndarë ekipet pjesëmarrëse në 2 kategori. Pra do të zëvendësohen nivelet e mëparshme rajonale 1 dhe 2, e në këtë mënyrë klasifikimi i përgjithshëm i Kupës Davis nuk do të përdoret më për të përcaktuar apo influencuar grupin apo ndarjen ku do t’i luajnë ndeshjet ekipet kombëtare. Spanja përfaqëson ekipin kampion në fuqi dhe vendi iberik do të ketë gjithashtu edhe statusin e vendit organizator, sa i përket fazës finale të këtij eventi. Formati tani ndryshon ndjeshëm, pasi fillimisht krerët e Federatës ITF kishin rënë dakord për t’i zhvilluar ndeshjet në kompleksin “Caja Magica”, në Madrid, nga data 22 deri më 28 nëntor, në një sipërfaqe të shpejtë dhe në një ambient të mbyllur, pra ‘hard court indoor”.
Në fundin e muajit qershor të vitit të kaluar drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit vendosën që 24 ndeshjet kualifikuese në Grupin e Parë dhe të Dytë Botëror të këtij aktiviteti të shtyheshin për në mars, apo qoftë edhe për në muajin shtator të vitit 2021, natyrisht për shkak të frikës së përhapjes së Virusit Covid – 19, madje edhe sfidat në grupin e tretë dhe të katërt u mor vendim që të zhvendoseshin për t’u luajtur pikërisht gjatë këtij viti.
18 skuadrat përfaqësuese, që kishin fituar të drejtën për të marrë pjesë në fazën finale, do ta ruajnë këtë renditje edhe për vitin tjetër. Kështu në Grupin Botëror të 18 skuadrave kryesore Rusia, Kanadaja, Spanja dhe Britania e Madhe u kualifikuan si gjysmëfinaliste nga edicioni i fundit. Francës dhe Serbisë iu ofrua nga një ftesë, ndërsa 12 ekipet e tjerë u përcaktuan nga sfidat kualifikuese të marsit të kaluar, pikërisht përpara se të shpërthente pandemia e koronavirusit dhe janë: Kroacia, Hungaria, Kolumbia, Shtetet e Bashkuara, Australia, Italia, Gjermania, Kazakistani, Republika Çeke, Austria, Ekuadori dhe Suedia. Projekti I ardhshëm përcakton mundësinë e zhvillimit të Kupës Davis në tre qytetet të ndryshme. Në vitin 2019 Spanja mundi Kanadanë 2-0 duke koleksionuar për herë të 6 në histori Kupën Davies. Trofeu i parë për Spanjën në këtë kompeticion që nga viti 2011, një edicion tepër i veçantë, që u shtri për herë të parë në fazën finale me pjesëmarrjen e 18 ekipeve kombëtare.
Rafael Nadal u shpall edhe lojtari më i vlefshëm i Kupës Davies për vitin 2019, duke marrë në konsideratë faktin që Rafa fitoi 8 nga 8 ndeshjet e zhvilluara. Disa ndeshje patën shikueshmëri fare të ulët, ndërsa ngjeshja e kalendarit bëri që dueli Shtetet e Bashkuara – Itali të përfundonte në orën 5 të mëngjesit. Pas shtyrjes së edicionit të vitit 2020 Federata ITF ka pranuar tashmë dy propozime nga partneri kryesor Kosmos.
Nëse edicioni hapës me 18 ekipe u mbajt në harkun e një jave, këtë herë bëhet fjalë për një aktivitet që do të shtrihet në një periudhë kohe prej 11 ditësh, nga data 25 nëntor deri më 5 dhjetor, sidoqoftë 18 skuadrat pjesëmarrëse do të reduktohen me 2, kështu që në vitin 2022 pritet që të përfshihen në fazën finale vetëm 16 ekipe kombëtare. Dy qytetet e tjera, përveç Madridit, pritet të përcaktohen në muajin mars dhe shumë do të varet edhe nga përballimi i situatës së pandemisë së Koronavirusit. Në këtë mënyrë, dy qytetet europiane që do të përzgjidhen do të kenë privilegjin për të pritur fazën e grupeve dhe nga një çerekfinale, ndërsa peshën kryesore do ta mbajë sigurisht Madridi, ku do të luhen dy ndeshje çerekfinale si dhe takimet e “final four”.
Problemi i vetëm qëndron në faktin që me një shtyrje të tillë të kalendarit tenistët do të jenë të shtrënguar për të pushuar vetëm katër javë në momentin e mbylljes së sezonit, pra afërsisht vetëm një muaj kohë për të përgatitur sezonin e ri që nis në Australi, megjithatë Federata ITF dhe Grupi Kosmos janë duke bërë përpjekje dhe kanë shprehur dëshirën që Kupa Davies të zhvillohet gjatë muajit shtator.