Parkingu në kate është premtuar që në mandatin e parë të kryetares aktuale, Teuta Arifi, por pritet të realizohet në fund të mandatit të saj të dytë
Urim HASIPI
Tetovë, 4 maj – Komuna e Tetovës ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e parkingut në kate. Pritet që ky parking të ndërtohet në pjesën mes ndërtesave në zonën qendrore të Tetovës, kurse në mesin e tetovarëve ky vend njihet si pjesa pas hotel restorant Tivoli. në këtë pjesë ekziston një parking me pagesë, por nuk i plotëson kushtet elementare për një parking me më shumë vende. Vlera e ndërtimit të këtij parkingu është 824 mijë euro. Parkingu në kate që planifikohet të ndërtohet në këtë pjesë të Tetovë, pritet që të ketë 167 vende për parkim dhe është më i madh se parkingu aktual. Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, shprehet se punët pritet që të fillojnë shumë shpejt, sepse kontrata është nënshkruar me realizuesin e punëve. “Plani për furnizime publike ka kaluar në disa faza dhe është përmbyllur me nënshkrimin e kontratës me realizuesin, dhe pasi që dihet se paraprakisht ky propozim ka kaluar në Këshillin e komunës dhe në instanca tjera dhe presim që shumë shpejt edhe të fillojnë punimet. Komuna e Tetovës disa herë ka premtuar se do të rregullohen parkingje në kate, dhe tashmë është koha që ky projekt të fillojë”, thotë Memeti.
Ndërkohë, banorët e kësaj lagje kanë kundërshtuar ndërtimin e parkingut në kate me arsyetimin se ky lokacion nuk është i përshtatshëm për parking, pasi që hyrja në këtë zonë është shumë e ngushtë dhe nuk i plotëson kushtet elementare për një parking me përmasa më të mëdha. Krahas kësaj, banorët që janë ankuar janë shprehur se ndërtimi i parkingut në kate do të ndryshojë planimetrinë dhe pamjen estetike të lagjes. Krahas kësaj, banorët thonë se në pjesën nëntokësore ku do të ndërtohet parkingu në kate ka një strehimore e ndërtuar në vitet e kohës së komunizmit. Nuk përjashtohet mundësia që banorët e kësaj zone të grumbullojnë nënshkrime për të anuluar ndërtimin e parkingut. Nga ana tjetër, nga komuna theksojnë se ky projekt u është premtuar banorëve të Tetovës dhe duhet të realizohet. “Dëshiroj të apeloj tek qytetarët që të mos ndërpresin punimet, sepse është në të mirë të tyre pasi ky parking është kërkuar kah moti nga ana e qytetarëve dhe është shumëpritur për një projekt të këtillë”, deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.
Parkingu në kate është premtuar që në mandatin e parë të kryetares aktuale, Teuta Arifi, por pritet të realizohet në fund të mandatit të saj të dytë. Në qytetin e Tetovës problemi me parkingun është i kahmtoshëm dhe krahas parkingut zonal që funksionon në disa rrugë kryesore, në pjesët tjera ka mungesë të theksuar të vendeve të parkingjeve. Gjatë verës, për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve, Komuna e Tetovës oborret e shkollave fillore dhe të mesme në pjesën qendrore i shndërron në parkingje, por edhe kjo nuk mjafton. (koha.mk)