Kryetari i Komunës së Milanit, Giuseppe Sala, i ka inkurajuar Milanin dhe Interin të bashkëpunojnë me autoritetet lokale, duke thënë se zvogëlimi i kapacitetit të ulëseve në San Siro do të ishte një zgjidhje e mirë. Dy klubet rivale, Interi dhe Milani, e prezantuan planin e tyre ambicioz për ta rrëzuar San Siron aktual dhe për ta ndërtuar një të ri vetëm pak metra më larg, aty ku tani është parkingu i stadiumit, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Këshilli lokal i qytetit i përkrahi planet për ta rinovuar atë zonë të qytetit, mirëpo e kundërshtoi synimin e dy klubeve për ta eliminuar plotësisht San Siron aktual.
“Zgjidhja më e mirë për San Siron do të ishte një kombinim: hapësira komerciale për zhvillim, por edhe zvogëlimi i kapacitetit të zonës së përdorshme për qytetin”, ka thënë Sala.
“Ne duhet ta vlerësojmë aspektin financiar, por kjo do të ishte gjëja më e mirë për qytetin, pasi që futbolli në Milan nuk i takon vetëm Serisë A, por edhe futbollit të vajzave dhe ekipeve të të rinjve. Në këtë aspekt, zvogëlimi i kapacitetit të San Siros do të ishte një zgjidhje e mirë. Nuk e di nëse është e mundur, por unë u kërkoj klubeve të tentojë me të vërtetë ta gjejnë një jetë të re për San Siron”.
Kjo nuk do të thotë se Interi dhe Milani nuk mund ta ndërtojnë një stadium të ri, mirëpo stadiumi ekzistues duhet të qëndrojë në një mënyrë apo tjetër. Megjithatë, kjo gjë i vështirëson planet arkitekturale të stadiumit të ri, pasi që planet e deritashme ishin bërë pa stadiumin aktual në këtë zonë. Kjo do t’i rriste shpenzimet e dy klubeve, pasi që rrëzimi i stadiumit aktual do të kushtonte rreth 45 milionë euro, ndërsa përshtatja e tij për një qëllim tjetër mund të kushtojë 200 deri në 250 milionë euro. /Gazeta Express/