Kundërmon qendra e Tetovës

133

Përderisa pritet që Ndërmarrja Publike të aktivizohet që të pastron këtë gjendje, qytetarët vazhdojnë të lëvizin në një trotuar përplot me mbeturina prej shpezëve dhe nëpër erë të rëndë

Urim HASIPI

Tetovë, 26 shtator – Erë e rëndë kundërmon në trotuarin e rrugës “Marshall Tito” në Tetovë. Një situatë e këtillë vjen nga shpezët të cilët kanë ndërtuar foletë e tyre në drunjtë në këtë pjesë të Tetovës. Papastërtia dhe era e rëndë kanë qenë prezent gjatë tërë verës, kurse situata është rënduar më shumë pas reshjeve të shiut, kur në trotuar është krijuar një gjendje e padurueshme për kalimtarët e shumtë që frekuentojnë këtë bulevard. Bëhet fjalë për një trotuar ku përgjatë tij ndodhen bankat, shitore dhe biznese tjera, por dhe ka ndërtesa kolektive ku jetojnë me qindra banorë. Banorët e kësaj pjese të Tetovës janë të revoltuar që kjo papastërti nuk është pastruar deri më tani. “Erë e rëndë vjen në këtë pjesë gjatë tërë verës. Nuk e kemi të qartë se pse nuk është pastruar dhe pse drunjtë nuk janë krasitur që të largohen shpezët prej tyre. Pse është stërzgjatur kjo gjendje nuk e dimë, por e shohim se Komuna apo autoritetet përgjegjëse nuk janë marrë me këtë problem aspak”, thonë banorë të kësaj zone.

Qytetarët thonë se përgjegjësit për higjienën në Tetovë nuk duhet që të presin që të krasiten drunjtë dhe të pastrohet papastërtia që është krijuar. “Është turp për një qytet që të vjen në këtë gjendje, sepse këtu nuk duhet shumë angazhim, duhet që të lahet me ujë dhe menjëherë gjendja përmirësohet, por nuk ka vullnet të mirë për një gjë të këtillë, sepse po të kishe, situata do të ishte ndryshe”, shprehen të revoltuar qytetarët e Tetovës.

Nga zyra për komunikim me media në Komunën e Tetovës thonë se ky trotuar lahet një herë në javë, kurse aktivitete më të mëdha për sanimin e situatës do të ketë këtyre ditëve. “Trotuari do të pastrohet këtyre ditëve, kurse drunjtë do të krasiten gjatë vjeshtës kur edhe është koha për krasitje jo vetëm në këtë pjesë. Këtyre ditëve do të ndërmerren aktivitete konkrete në atë pjesë të qytetit”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Përderisa pritet që Ndërmarrja Publike të aktivizohet që të pastron këtë gjendje, qytetarët vazhdojnë të lëvizin në një trotuar përplot me mbeturina prej shpezëve dhe nëpër erë të rëndë. Gjendja është alarmuar kohëve të fundit për shkak se në këtë pjesë ndodhen disa banka, kurse përpara tyre ka me qindra qytetarë që presin radhë me orë të tëra për të kryer punë, por pritjet e tyre gjatë kësaj kohe janë të shoqëruara me erë të rëndë dhe papastërti të madhe. Ata janë të revoltuar, kryesisht me ndërmarrjen e cila përkujdeset për higjienën në Tetovë dhe shprehen se pikërisht në zonën më të frekuentuar të Tetovës pastërtia është katastrofale. (koha.mk)

Comments are closed.