Përfaqësues të Qeverisë, ditë më parë – në bisedë me shoqatat e mediave paralajmëruan ndryshime ligjore sa i përket fushatave qeveritare në media. SHGM nuk është kundër, por vetëm nëse të njëjtat janë me interes publik dhe që do të emitohen pa pagesë. Shoqatat e mediave kanë frikë nga keqpërdorimet e mundshme dhe ndërhyrje në politikat redaktuese të mediave, derisa pronarët e televizioneve dëshirojnë që kjo të jetë me pagesë
Xhenur ISENI
Shkup, 8 mars – “Bëhu i përgjegjshëm, rri në shtëpi”, “Dëshiron përsëri të përqafosh? Nga ty varet”, “Të gjithë jemi në këtë bashkë, ejani të ndalojmë përhapjen e Kovid-19”. Këso lloj fushatash me të cilët synohet të ngritet vetëdija te qytetarët për Kovid-19, mund t’i shohim në mediat e rajonit, por edhe në botë, pa marrë parasysh se janë media private apo shtetërore. Te ne, këso lloj porosi nga fushatat qeveritare mund t’i shohim vetëm në servisin publik, por jo edhe te mediat private, sepse para disa viteve – një gjë e tillë u ndalua me ligj, përkatësisht nuk lejohen reklama qeveritare në mediat private.
Sipas direktivës për shërbime mediatike të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian nga viti 2010, “kumtesat për shërbime publike” të cilat shfrytëzohen për promovim të politikave publike, paraqesin reklama jo komerciale (pa parapagesë) ose shpallje kushtuar për informim të publikut për çështje konkrete ose problem shoqërorë. Këtu – në të shumtën e rasteve përfshihen fushatat për shëndetin publik (kundër alkoolit, drogës…), ekologji (ndotja e ajrit), arsim, sigurinë publike, ndërsa mediat ndajnë hapësirë pa pagesë në suaza të programit të tyre.
Për shembull, disa media në Britaninë e Madhe kanë bërë grafikë me mbishkrim “Rri në shtëpi”, e cila emitohej gjatë gjithë programit. Gjithashtu, dhe shumë sportistë janë kyçur në fushatën e kanalit sportiv “Sky Sport”, e cila u bënë thirrje dashamirëve të sportit të vazhdojnë aktivitetet sportive në kohën e pandemisë, por këtë ta bëjnë vetë ose në shtëpitë e tyre. Televizioni “Sky” si pjesë e programit të saj, madje ka zhvilluar një rubrikë edukative “Mëso nga shtëpia”, e qasshme për shikuesit në moshë më të re të televizionit, me qëllim që t’ju ndihmojë në procesin arsimor familjeve, të cilat obligoheshin që kohën më të madhe ta kalojnë në shtëpi gjatë pandemisë. Shikueshmëria e televizioneve gjatë vitit të kaluar në nivel global është ngritur për 20%, tregojnë të dhënat nga raporti “Trendet nga fushatat reklamuese gjatë kohës së pandemisë me Kovid-19”.
QEVERIA MENDON PËR FINANCIM TË REKLAMAVE NË MEDIUMET
Përfaqësues qeveritar para disa ditëve me disa shoqata mediatike kanë biseduar për konceptin si të ndryshohet neni 102, në të cilën ndalohen të ndahen para shtetërore në media përmes reklamave. Nga Qeveria thonë se për shkak të procesit të ardhshëm të imunizimit, paraqitet nevoja nga ndryshime të ligjit, respektivisht reklamat qeveritare si të tilla të mbeten edhe më tej të ndaluara, por të mundësohen fushata nga karakteri publik. “Ndryshimi i nenit 102 është me qëllim që institucionet të kenë mundësi të realizojnë fushata me interes publik në tema të cilat janë të rëndësisë vitale për qytetarët dhe shtetin, siç është për shembull vaksinimi, antikorrupsioni, ballafaqimi me dezinformatat dhe të tjera”, kumtuan nga Qeveria.
Megjithatë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë thonë se nuk kanë aspak kundër që Qeveria të bëjë fushatë në interes publik, por të njëjtat të jenë pa parapagesë. Ata thonë se televizionet më të mëdha vendore nëse kanë përgjegjësi shoqërore, nuk duhet të kërkojnë pagesë për fushatat në interes publik. “Jemi për zhvillimin e gazetarisë lokale, por kundër propagandës lokale. Kjo do të thotë se ne dëshirojmë të mbështesim dhe jemi të gatshëm të bisedojmë për konceptin e mbështetjes së projekteve të interesit publik, ku të gjitha mediat do të mund të aplikojnë dhe do të mund të ofrojnë përmbajtje kualitative e cila do të jetë në interes të qytetarëve. Ndërkohë jemi kundër fushatave publike, të cilat Qeveria do t’i dizajnojë dhe pastaj do t’i paguajë, ose do ju jep mjete (para) mediave që t’i emitojnë. Konteksti i dytë është se ne nuk themi që Qeveria nuk guxon të bëj fushatë për interes publik siç thonë ata. Vlerësojmë se këto duhet të jenë pa pagesë, sepse nëse vërtetë janë në interes publik, atëherë mediat sidomos televizionet më të mëdha, duhet të kenë përgjegjësi shoqërore dhe këto fushata t’i emitojnë pa parapagesë”, thotë për gazetën KOHA, Dragan Sekullovski, drejtor i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
Ndërkohë, Asociacioni Mediatik Maqedonas (AMM) në të cilën anëtare janë pesë televizionet nacionale Kanal 5, Sitel, Telma, Alsat-M dhe Alfa, e mbështesin idenë e Qeverisë. Në kumtesën e përbashkët potencojnë se për shkak të punës një vjeçare në kushte të pandemisë, është e nevojshme ndryshimi i nenit 102 të ligjit me të cilën ndalohen paratë shtetërore për informim të qytetarëve përmes radiodifuzerëve. “Duke marrë parasysh praktikën pozitive evropiane e cila lejon dhe rekomandon emetim të fushatave jo partiake në interes publik, siç janë fushatat për masat mbrojtëse nga Kovid-19, në kuptimin e mbajtjes së distancës, mbajtja e maskave dhe të tjera, vlerësojmë se si opinioni evropian ashtu edhe ai vendor, duhet që në kohë të duhur të jetë e informuar për tema dhe çështje në interes publik të cilat kanë efekt të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve maqedonas si për shembull, antikorrupsioni, lufta kundër lajmeve të rreme, integrimi i vendit në BE, lufta për ajër të pastër dhe të tjera”, thuhet në kumtesën e AMM.
Neni 102 i Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele thotë se: “Organet shtetërore, organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet publike, njësitë e vetëqeverisjes lokale, institucionet publike si dhe personat juridik me autorizime publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi të plotë të shtetit, nuk guxojnë të parashikojnë mjete për informim dhe njoftim të opinionit me shërbimet e tyre ose aktivitete përmes radiodifuzerëve privat”. Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave thotë se nuk është i sigurt nëse neni 102 ndalon reklamimin, edhe pse është me emrin “ndalim për reklamim”. Sipas tij nëse e lexojmë me vëmendje këtë nen, çon në konkludimin se gjithë institucionet e cekura nuk guxojnë që në buxhetet e tyre të parashikojnë mjete për atë qëllim, gjegjësisht të ekziston një linjë buxhetore që do të quhej reklamim ose blerje e kohës mediatike.
TË MOS PËRSËRITEN SHEMBUJT E KALUAR
“Harxhimi për atë qëllim nuk është rreptësishtë i ndaluar. E dimë që qëllimi nuk ishte i tillë, por ajo që shkruhet në nenin 102 nuk e pasqyron plotësisht atë qëllim. Vlerësoj se termi ‘reklamim qeveritar’ është oksimoron. Nuk ka çfarë të reklamojnë qeveria dhe institucionet tjera. Ata mundet të organizojnë në pjesën e aktiviteteve për promovim të fushatave të interesit publik. Kjo do të thotë se na duhet definicion dhe listë të lëmive që do të vlerësohen si lëmi të interesit publik si arsimi, shëndetësia, siguria publike etj”, shprehet ai. Në raport të asaj nëse duhet të paguhet ose jo, gjegjësisht nëse emetimi do të jetë pa pagesë ose me pagesë, Georgievski thotë se eksperiencat nëpër botë janë të ndryshme. “Është çështje që duhet seriozisht të ulemi dhe të bisedojmë, ndërsa personalisht jam në qëndrimin që nuk duhet të paguhet por detyrimisht të emitohet në servisin publik, ndërsa mediat komerciale të emitojnë nëse dëshirojnë, për shembull, ti mbushin blloqet e zbrazëta reklamuese me këto lloj të fushatave”, ka deklaruar për KOHA, Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave.
Para një viti, rrjeti social Facebook u obligua ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë se pa parapagesë do të publikon fushata të cilët kanë të bëjnë me informimin e shfrytëzuesve të rrjetit për Kovid-19, për masat e veçanta me virusin, por edhe se do ti largon informatat e rrejshme që transmetohen përmes rrjetit për koronavirusin. Financimi qeveritar i mediumeve përmes reklamave ishte simbol i Qeverisë së ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Por kur LSDM erdhi në pushtet me ligj ndaloi institucionet të harxhojnë para nga buxheti për reklama dhe marrëveshje për informim në mediume. Reklamimi qeveritar ishte shlyer pikërisht me miratimin e nenit 102 dhe ndryshimet ligjore që u sollën në vitin 2018, por tani pikërisht Qeveria aktuale e Kryeministrit Zaev ndryshon mendje, dhe dëshiron ndryshim të këtij neni. Ndryshe, fushatat për tatimin e sheshtë, kartelat pagesore, shoqërinë informatike, turizmin, për fuqinë e arsimit, kundër korrupsionit, kundër abortit, për etikën dhe të tjera, ishin një pjesë nga fushatat e cila qeveria e kaluar i trajtonte si fushata me interes publik dhe me ato i financonte mediumet private.
Në kushte kur pronarët kërkojnë që këto fushata t’i emitojnë me pagesë sipas Dragan Sekullovskit, paraqet rrezik sepse mundet të vlerësohet që me para publike po kryhet ndërhyrje në politikën redaktuese të mediumeve. “Në të kaluarën ne kemi pasur shembuj ku shuma të mëdha parash përmes fushatave publike kanë hyrë në mediume dhe në këtë mënyrë qytetarët nuk kanë pasur benefite. Benefite ndoshta kanë pasur një pjesë e menaxherëve të mediumeve, por jo edhe qytetarët. Dhe duke pasur parasysh praktikën e tillë vlerësojmë se ai koncept duhet të largohet. Ne kemi qëndrime të ndryshme me pronarët e mediumeve por të shohim se si do të zhvillohen. Ne mbrojmë koncepte të caktuara, ndërsa ata dëshirojnë të kenë benefite financiare nga mjetet publike dhe mendojmë se këtu ajo politikë nuk do të jetë e mirë në plan afatgjatë për askënd për ne”, ka përfunduar për KOHA, Dragan Sekullovski, drejtor i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.