Mbledhja e OZN-ës zgjati dy ditë ku folën Llazar Kolishevski, Kërste Cërvenkovski dhe shumë të tjerë, në mesin e tyre edhe Qemal Sejfulla, i cili gjatë diskutimit paraqiti kritika të ashpra kundër Bashkësisë Fetare Islame
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Më tej, Zllatku pohon se kontaktet e tij me Oranën kishin vazhduar edhe pas mbarimit të LDB-së, dhe se në Dibër kishte ardhë me ftesë të tij, për të qenë mysafir special i tij për ditën e Shëngjergjit. Gjatë qëndrimit disaditor në atë qytet, përveç Zllatkut, atë e shoqëronin edhe Osman Cami dhe Femi Ballçishta, për të cilët Zllatku thekson se ishin dy figura më të afërt dhe më të besuarit e tij. Në bisedat e zhvilluara, Orana i ka njoftuar bashkëbiseduesit për qëllimin e ardhjes së tij, i cili lidhej drejtpërdrejti me organizimin e një kongresi mbarëshqiptar, i paraparë të mbahej në Shkup, e në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha krahinat shqiptare nën pushtimin jugosllav. Një hap i tillë, sipas tij, kishte ardhë për shkak politikës diskriminuese të udhëheqjes komuniste jugosllave ndaj shqiptarëve. Si rrjedhojë e një qëndrimi të tillë të pushtuesve komunist jugosllav “shqiptarët kanë formuar komitete, kudo si në Kosovë po ashtu edhe në Maqedoni ku jetojnë shqiptarët”, dhe se në këtë drejtim “vetëm Dibra” ka ngelë prapa.
Lidhur me qëndrimin e Halim Oranës në Dibër të Madhe, Osman Cami, në procesin e hetuesisë ndër të tjerave shprehet:
“…Halim Orana në Dibër erdhi në prag të Shëngjergjit dhe me të më njoftoi Qerami. Nga aty shkuam në fidanishte ku mbajtëm mbledhje. Në mbledhje ishim prezentë: unë, Qerami, Halim Orana dhe Femi Ballçishta. Halim Orana filloi të flet: ‘Ku është kufiri këtu’, i tham se këtu afër. ‘Shumë afër qenka’ tha Halimi ‘aq afër saqë është turp për ne, duhet të jetë më larg dhe të gjitha ato treva me 60% popullsi shqiptare duhet të jenë nën Shqipëri, për këtë duhet të punohet, të organizohemi dhe të fillojmë të krijojmë këshilla nëpër qytet e fshatra. Këshillin duhet ta përbëjnë një sekretar, një kryetar dhe dy këshilltar’. Filloi të tregoj se si ‘në Kosovë gjithçka është organizuar, prandaj edhe këtu duhet të përshpejtohet që të organizoheni, vetëm se nevojitet të keni elemente ndaj të cilave duhet të keni besim për t’u organizuar. Për këtë do të merrni direktiva ashtu siç punohet në Kosovë ashtu edhe ju këtu do të punoni, do të filloni të grumbulloni ndihma materiale…”.
Është me interes të vihet në dukje fakti se për ardhjen e Oranës në Dibër të Madhe, përveç Camit dhe Ballçishtës, Qeram Zllatku njoftoi edhe Medat Tërshanën, të cilin e ftoi të merr pjesë në një ndeje të organizuar me rastin e ditës së Shëngjergjit, e në të cilën do të merrnin pjesë edhe Halim Orana dhe Osman Cami. Ja se si e përshkruante tërë këtë, Medat Tërshana, në procesin e hetuesisë të mbajtur kundër tij më datë 20 shtator 1946:
“…Unë me Dr. Qeram Zllatkun nga Dibra kisha raporte miqësore. Me të takoheshim herë pas here, zhvillonim biseda miqësore, ndërsa nga ndonjë herë bisedonim edhe për tema politike…Ndërkohë, tash së afërmi, gjatë muajit maj të këtij viti, me doktorin për herë të parë zhvilluam biseda, të cilat ishin në kundërshtim me pushtetin e tanishëm në Jugosllavi. Tërë ajo çështje u zhvillua në Dibër rreth Shën Gjergjit. Unë nuk e dija se te doktori ka ardh një mik i tij nga Kosova, siç më tregoi ai me emrin Halim Orana. Bisedën që doktori e kishte zhvilluar me Halimin për nga natyra, kishte qenë politike, shumë me interes. Për këtë arsye, doktori, duke më konsideruar si mik i mir i tij më propozoi që së bashku me familjen me bashkëshorten, për Shëngjergj të dalim jashtë qytetit dhe ta kremtojmë sëbashku. Më tha se atje gjithashtu do të jetë edhe Halim Orana dhe do të më jepet mundësia ta njoh personalitetin e tij. Më sqaroi se atje nuk do të jetë vetëm ai dhe se përveç tij (Halimit – Q.L.) do të jetë edhe Osman Cami, dhe të tjerë familjarisht. Kuptohet, se unë këtë e pranova….Mirëpo, ajo çfarë m’u propozua megjithëse pata dëshirë të shkoj, qesh penguar për shkak një rasti për çka nuk pata mundësi të jem prezent në atë kremtim. Në këtë mënyrë nuk m’u dha mundësia që ta njoh Halim Oranën. Organizatën në Dibër për të cilën jemi në burg e filluam me ardhjen e Halim Oranës në qytetin tonë…”.
Nga po këta burime kuptojmë se H. Orana në Dibër qëndroi gjithsej tre ditë, që më pas sërish të kthehet në Shkup. Kjo kohë qe e mjaftueshme që të korr suksese të jashtëzakonshme në konsolidimin e radhëve të NDSH-së në këtë krahinë shqiptare dhe jo vetëm, për çka më gjerësisht do të bëhet fjalë në vazhdim të kësaj monografie.
VËZHGIMI I AKTIVITETIT TË NDSH-SË NGA ANA E PUSHTETIT
Në kohën kur udhëheqja qendrore e NDSH-së ishte në vrullin e aktiviteteve politike, organizative dhe ushtarake, OZN-a ndiqte në hap punën e saj. Me kërkesë të saj, Byroja Politike e KQ të PKM-së më 13 maj 1946 mbajti mbledhje të zgjeruar ku morën pjesë anëtarët e Byrosë Politike, sekretarët e komiteteve të rrethit dhe ai vendor i Shkupit, udhëheqësit e OZN-ës dhe instruktorët e KQ të PKM-së. Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte situata politike në Maqedoni, ku përfaqësuesit e OZN-ës raportuan për gjendjen e sigurisë. Kryeshefi i OZN-ës për rrethin e Shkupit me nofkën “Tote”, gjatë diskutimit vuri në dukje se, situata më e “komplikuar” ishte me shqiptarët, përkundër faktit se kohë të fundit ishin kryer burgosje “të një pjese jatakësh në Kumanovë”. Më pas, ai vuri në dukje se në kohë të fundit, shqiptarët kishin arritur të vendosin lidhje “me Shqipërinë e vjetër”, se Sul Hotla kishte pranuar letër dhe se përmes jatakëve të tij “interesohet për armatën tonë”. Në vazhdim të fjalimit, “Tote” e përshkroi situatën edhe në Dibër, e cila siç pohoi: “dalja e Cenë Elezit” në ilegalitet ka marrë jehonë të madhe, për çka “rrethet reaksionare” në mbarë rrethin e Dibrës “kanë filluar të lëshojnë lajme se Cen Elezi ka dalë në mal me direktivën e anglezëve, se si te djali i tij bashkëpunon me anglezët etj. Me këtë ata dëshirojnë t’ju japin kurajo elementeve reaksionare, që ta shohin me simpati dhe shpresë nga dalja e Cenë Elezit …!”, shprehet ndër të tjerave kryeshefi i OZN-ës.
Ngjashëm, sikurse “Tote”, u shprehën edhe përfaqësuesit tjerë të OZN-ës, prezent në atë mbledhje siç ishin “Zllate”, “Darko” etj. Kjo mbledhje zgjati dy ditë ku folën Llazar Kolishevski, Kërste Cërvenkovski dhe shumë të tjerë, në mesin e tyre edhe Qemal Sejfulla, i cili gjatë diskutimit paraqiti kritika të ashpra kundër Bashkësisë Fetare Islame. Duke u bazuar në mbledhjen e 13 majit, të dhënat që i paraqiten përfaqësuesit e OZN-së, Byroja Politike e K.Q. të PKM-së me 28 maj 1945, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në rajonet e krizës, në të cilat do të ndërmerren masa si më poshtë:
- a) Përforcimi i çështjes politike në përgjithësi, veçanërisht në rajonet e ndryshme.
- b) Përforcimin e udhëheqjes partiake në qarkun e Shtipit, Kërçovës dhe Gostivarit.
- c) Njëlloj të bëhet edhe në udhëheqësit e OZN-së në ato vende.
- d) Në vendet ku më së shumti paraqiten bandat armiqësore të merren masat më të rrepta administrative, të krijohen baza ushtarake që do ta mirëmbajnë popullata vendore, krijimi i policisë vullnetare, të ndërtohen istikame në kthesat dhe udhëkryqet dhe vendet më të rrezikshme, të shpërndahet armatim tek aktivistët e frontit popullor.
- dh) Të merren masa për sigurimin e familjeve të dëshmorëve nga bandat balliste dhe bandat tjera.
- e) Të përmirësohet udhëheqja e këshillave popullore, gjyqet dhe prokuroritë publike në ata vende.
Për të gjitha këta punë të shkruhet letër direktive deri tek organizatat partiake të rretheve! (vijon nesër)