Fatos RUSHITI
Shkup, 24 nëntor – Deklarata e Komisarit evropian Johanes Han se Ligji për gjuhët nuk është ndër reformat prioritare që duhet ti përmbush Maqedonia për të hapur negociata për anëtarësim në BE, ka “trimëruar” partitë maqedonase VMRO dhe LSDM që të vazhdojnë më qëndrime kundër propozim-ligjit në fjalë, shkruan gazeta KOHA. VMRO ka përsëritur kërkesën që Ligji për gjuhët të kthehet në procedurë parlamentare nga fillimi, duke i hequr shenjën e BE-së, ndërsa LSDM insiston në kërkesën e saj që në nenin 1 – paragrafi 4, të ceken edhe gjuhët e komuniteteve tjera. Krejt kjo për të nivelizuar gjuhë shqipe, e cila theksohet në kllapa në paragrafin 1 të këtij Ligji se është gjuhë e dytë zyrtare në të gjitha organet e pushtetit qendror. Megjithatë, dy partnerët qeverisës të LSDM-së në Qeveri – BDI dhe Aleanca për Shqiptarët përjashtojnë çdo mundësi për ndërhyrje në draft-ligjin për gjuhët për të cilin thonë se kanë një marrëveshja politike si kusht për bashkëqeverisje. “Parlamenti duhet ta miratojë Ligjin e gjuhëve në formë ashtu siç propozuar, pasi është produkt i konsensusit politik si parakusht për formimin e koalicionit dhe Qeverisë”, ka thënë deputeti i BDI-së, Artan Grubi, njëherësh kryetar i Komisionit për çështje evropiane. Ai ka paralajmëruar që të caktojë seancë diku nga mesi i dhjetorit me arsyetimin se për momentin – ka një agjendë tjetër të kryerjes së reformave në vend. “Vlerësova se kjo javë është me rëndësi për çështje tjera reformuese dhe i dhashë kësaj përparësi, që të mos bëhet defokusim i opinionit nga ajo që për momentin është më me rëndësi dhe urgjente”, ka thënë Grubi.
PROPOZIM-LIGJI ASHTU SIÇ ËSHTË
Në ndërkohë, nga ASH janë kritik për zgjatjen e miratimit të Ligjit për gjuhët. “Ligji i përdorimit të gjuhës shqipe vlerësojmë se duhet të sillet sa më shpejt që është e mundur, pa stërzgjatje dhe taktizime të ndryshme, madje është shumë i vonuar, kur dihet se ka qenë ndër pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe si i tillë është inkorporuar në Kushtetutën e Maqedonisë, ndërsa ka munguar një ligj adekuat për përdorimin e saj. Është shumë e vërtetë se ASH ka qenë aktive në përpilimin e këtij propozim-ligji, duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë kushtetuese, për përdorim cilësor në tërë territorin e shtetit, si dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike. Në jemi po ashtu propozuesit e këtij propozim-ligji”, thotë për KOHA Flakron Bexheti, anëtar i Kryesisë qendrore të ASH-së. Në lidhej me amendamentet e propozuar të LSDM-së dhe VMRO-së, ku kërkohet të hiqet fjala “gjuha shqipe”, Bexheti thotë se ata deputetë që nuk duan ta nivelizojnë gjuhën shqipo me gjuhën maqedonase, nuk kanë të drejtë as ta nivelizojnë gjuhën shqipe me gjuhët e pakicave në Maqedoni. “Sa u përket amendamenteve, mendojmë se shumica parlamentare duet të jetë në mbrojtje të propozim-ligjit ashtu siç është. Ata deputetë apo parti politike, që nuk e lejojnë barazinë e plotë mes maqedonishtes dhe shqipes, nuk e kanë të drejtën ta nivelizojnë shqipen me gjuhët e tjera të komuniteteve më të vogla si me turqishten, serbishten, gjuhën rome…”, këmbëngulë Bexheti i ASH-së. Deputeti i VMRO-së, Dragan Danev të enjten ka përsëritur kërkesën e partisë së tij për ligjin e gjuhëve. “Bazuar në shkeljet që ka bërë propozuesi i Ligjit dhe ato që deklaroi komisari Han, Ligji duhet të sillet me procedurë të rregullt dhe të hapet debat me ekspertë dhe komisioni amë të jetë Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve. VMRO-DPMNE edhe si pushtet edhe si opozitë tani, gjithnjë ka qenë konstruktive dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Por kur nga ne kërkohet të jemi konstruktiv pranë gjitha këtyre shkeljeve të Rregullores, të procedurave, por edhe të Kushtetutës së vendit, atëherë një konstruktivitet të tillë nga ne si VMRO mos e prisni”, deklaroi Danev.
STRATEGJIA E BDI-SË PËR TEJKALIMIN E AMENDAMENTEVE TË LSDM-SË
Megjithatë, sipas burimeve të veta të afërta me partitë parlamentare, gazeta KOHA merr vesh se në Komisionin për çështje evropiane, deputetët shqiptarë nuk do t’u lënë hapësire deputetëve të LSDM-së të vijnë në rend ditë me amendamentet e tyre, duke i dhënë kështu përparësi amendamenteve të VMRO-së dhe Lëvizjes BESA, ndërsa për tre ditë sa do të zgjasë debati – kohën do ta harxhojnë me fjalime të gjata. Sipas këtyre burimeve, draft-ligji që është propozuar në Parlament nga Qeveria, për asnjë presje pikë a fjalë tjetër nuk do të ndryshojë. Sipas Rregullores së Parlamentit, kur ligjet janë me shenjën e BE-së, nuk ka debat në komision më shumë se tre ditë, ndërsa debati në seancë plenare nuk është i kufizuar, por që këtu nuk mund të ndërhyhet me amendamente. Përveç nëse dramatizohet situata politike dhe partitë maqedonase – sidomos VMRO mund të përsërit atë që bëri me debatin për zgjedhjen e Qeverisë me fjalime, replika dhe kundër-replika mes vete. (koha.mk)