Dibër, 20 shkurt – Para selisë së EVN-së protestojnë edhe dibranët. Organizatori i protestës së ditës së hënë ishte Shoqata qytetare “1 dollar për Dibrën”, e cila para një numri të madh të dibranëve prezantoi kërkesat që dalin si rezultat i anketës së dibranëve për punën e EVN-së. Mes kërkesave kryesore janë- heqja e 33 përqindëshit nga faturat e rrymës, kyçja pa pagesë në rrjetin për konsumatorët e rinj deri në orëmatësin, orëmatës falas për konsumatorët, respektimi i Ligjit për shlyerjen e borxheve të vjetruara, ulja e çmimit të rrymës elektrike sipas standardeve në Maqedoni, trafostacionet e reja t’i paguajë EVN e jo qytetarët, zgjidhja e problemeve me rastet sociale, furnizim me rrymë stabile, faturat “paushall” janë të papranueshme si dhe punëtori i EVN-së të jetë i obliguar konsumatorit t’i tregoj se sa ka harxhuar.
Në kërkesat që u shpalosën para dibranëve, të cilat i duartrokitën, janë edhe përdorimi i gjuhës shqipe në komunikim e të punësuarve për konsumatorët e Dibrës dhe njohja e mirë e gjuhës shqipe nga ana e punëtorëve në përfaqësinë e EVN-së në Dibër. Po ashtu u kërkua që të mos ndërpritet rryma elektrike për konsumatorët pa paralajmërimin e tyre, EVN-ja si arkëtues i mjeteve financiare të ndajë përgjegjësi për ndriçimin e rregullt publik. Këto kërkesa u drejtohen institucioneve kompetente në vend dhe EVN dhe në një afat prej 10 ditësh u kërkua përgjigje. Nëse nuk ka përgjigje pozitive, atëherë do të vazhdojnë aktivitet plotësues për të kërkuar të drejtën e banorëve dibranë. Përndryshe në tubim, nga ana e një grupi i qytetarëve, u kërkua që edhe Hidrocentrali “Spile” të jetë temë e kërkesave, meqë pikërisht ky hidrocentral ka mbuluar tokat më pjellore të dibranëve me akumulacionin e Liqenit të Dibrës dhe sot këtu punësohen jo dibranët. (V.S)