Athinë, 9 maj – Deputeti i Demokracisë së Re, Jorgos Kumucakos, i cili është përgjegjës edhe për politikën e jashtme në partinë më të madhe opozitare i dënoi deklaratat e fundit të ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos lidhur me Maqedoninë. Kamenos, pardje në një intervistë për televizionin “Skaj” deklaroi se “popullata e shumicës në Maqedoni janë shqiptarë”, “Greqia është mbrojtës i popullatës krishtere në vendet e Ballkanit Perëndimor” dhe propozoi krijimin e “një harku krishter” në Ballkan. Ai gjithashtu konfirmoi se nuk e pranon përdorimin e termit “Maqedoni” në emrin e vendit tonë. Pikërisht për këtë, Kumucakos i dërgoi letër të hapur ministrit grek të Punëve të Jashtme Nikos Koxias, të cilën e nënshkruan 18 deputetë të Demokracisë së Re në të cilën kërkohet që Koxias t’i “sqarojë” deklaratat e Kamenos, i cili “sillet me papërgjegjësi kundrejt çështjeve serioze dhe krijon konfuzion lidhur me qëndrimet e autoriteteve greke”. Në këtë letër Kumucakos theksoi se në kohën kur situata në Ballkan është kritike, e domosdoshme është politika e jashtme e vendit të jetë konsistente dhe përgjegjëse.