Kumanovë, 19 korrik – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, UNICEF-i dhe Qendra për punë sociale Kumanovë, SOS Fshati i fëmijëve e promovuan fushatën “Çdo fëmije i nevojitet familje” e cila ka për qëllim t’i nxisë qytetarët të marrin fëmijë të cilëve u mungon kujdesi prindëror dhe t’u ofrojnë kujdes prindëror dhe fëmijëri të lumtur. Fushata e promovon familjen kujdestare përkundër përkujdesit institucional.
Shpresa Saidi nga MPPS potencoi se fushata ka për qëllim t’u sigurojë fëmijëve kushte për jetesë, të sigurohet mjedis i cili është më afër mjedisit natyror familjar.
“Këta fëmijë, për fat të keq, pa fajin e tyre kanë mbetur pa kujdes adekuat nga prindërit e tyre. Këtyre fëmijëve u nevojitet mbrojtje, dashuri dhe kujdes”, tha Saidi.
Institucionet, thotë ajo, nuk janë forma më e mirë për rritje të fëmijëve, por duhet të rriten në ambient familjar.
Nga MPPS theksojnë se duke i pasur parasysh rrethanat në të cilat fëmijët janë të vendosur në institucione, po ndërmarrin hapa për tejkalimin e gjendjes. Deri në vitin 2020 është paraparë që fëmijët nga institucioent të vendosen në familje kujdestare apo të adoptohen.
Qendra për punë sociale Kumanovë vazhdimisht, me vite prapa e animon opinionin për kujdesin e fëmijëve pa kujdes prindëror. Drejtoresha e Qendrës kumanovare për punë sociale, Aleksandra Arsovska informon se gjatë viteve është rritur interesi për përkujdesje të fëmijëve nga kategoritë e ndjeshme pa kujdes prindëror në familje.
“Me krenari mund të themi se ky numër prej ditës në ditë po rritet, pothuajse edhe nuk ka fëmijë tëp cilët janë të vendosur në institucionet e mëdha, ndërkaq tani kohëve të fundit filluam të vendosim edhe fëmijë nga qytete të tjera”, deklaroi Arsovska.
Vendosja e fëmijëve në familjet kudjestare është shumë e me rëndësi, sepse u mundësohet të rriten, t’i gëzojnë të drejtat themelore, të drejtën për t’u mbrojtur nga keqtrajtimi, nga eksploatimi, dhe mbrojtja shëndetësore. Në shtet kjo formë e mbrojtjes është e njohur prej vitit 1961 fillimisht është zbatuar në Shkup, e më pas edhe në qytetet e tjera.