Shkup, 25 shkurt – Për shumë të rinj në Kumanovë mungesa e qendrave rekreative paraqet problem shqetësues, ndonëse ende nuk është artikuluar si duhet kjo problematikë.
Të rinjtë të cilët tash më kanë kontakte më të shpeshta me botën perëndimore, qoftë përmes vizitave të drejtpërdrejta, qoftë përmes informacioneve nga mediat, tash më e kanë kuptuar se dallimi është shumë i madh sa i përket standardeve që diktojnë zhvillimin e qendrave rekreative. Të shpeshta janë shprehjet nga ana e të rinjve që thonë se “edhe po të ketë para nuk ke ti shpenzosh këtu”.
Studenti nga Kumanova, Redon Ramadani, thotë se mungesa e qendrave rekreative në këtë qytet është problematikë e kamotshme. “Të vetmet vende për ta kaluar kohën e tyre dhe të argëtohen, për të rinjtë e Kumanovës, janë kafiteritë e qytetit. Qendrat rekreative, të cilat mungojnë, janë të një rëndësie jetike, edhe përkundër faktit se ato rekomandohen edhe nga sociologët dhe psikologët si faktor të rëndësishëm në formimin fizik e shpirtëror të të rinjve ”, shprehet Ramadani.
Aktivisti rinor, Lindrit Memeti, për gazetën KOHA, thotë se rinia e Kumanovës përballet me shumë probleme, dhe një ndër ta është edhe mungesa e qendrave rekreative, përfshi edhe qendrat rinore, të cilat mundësojnë zhvillimin e debateve dhe aktiviteteve të ndryshme sportive.
“Edhe ato pak qendra rekreative e rinore që ekzistojnë, janë në pjesën e banuar me shumicë maqedonase dhe ky është një indikator shumë i fuqishëm që tregon për paaftësinë apo jo efikasitetin e përfaqësuesve shqiptarë që bëjnë pjesë në pushtetin komunal”, thotë Memeti.
Ai shton se qendrat rinore, janë të nevojshme dhe do të ishte ide e qëlluar nëse bëhet një investim i tillë në këtë fushë. Këto qendra janë të më se të nevojshme për zhvillimin dhe mirëqenien psiko-fizike të rinisë, sepse nuk është e kotë thënia e famshme “mendja e shëndosh në trupin e shëndosh”. (koha.mk)