Pronarë të bizneseve të vogla të qytetit, kryesisht butiqet, libraritë, parukeritë dhe sallonet e bukurisë, shkolla e gjuhëve të huaja, kënde lojërash dhe dyqane automobilash, kanë kërkuar nga Komuna e Kumanovës që t’i ndihmojë ata financiarisht që të kapërcejnë krizën në të cilën ata përballen
Hekuran JASHARI
Shkup 29 mars – Komuna e Kumanovës po bën përpjekje të vazhdueshme që të parandaloj përhapjen e virusit. Si mekanizëm i radhës Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim ka kërkuar që të mbyllen dy tregjet e gjelbra në Kumanovë. Kjo masë ka filluar të zbatohet prej dje dhe masa e njëjtë nuk vlen për dyqanet tregtare të cilët janë qiramarrës në NP- “Pazarishta Kumanovë”, shkruan gazeta KOHA.
Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim në kuadër të masave parandaluese kundër përhapjes së virusit Covid-19, ka dalur me këto rekomandime: thirrje për një karantinë të plotë për territorin e Komunës së Kumanovës, të forcohen kapacitetet njerëzore në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës dhe ISHP-së, duke rritur numrin e ekspertëve në interes të funksionimit, dhe kryerjes së testeve intensive në territorin e komunës së Kumanovës, iu ndalohet të gjithë organizatave jo qeveritare, dhe shoqatave organizimi i donacione personale në territorin e komunës së Kumanovës, pa koordinim paraprak me Shtabin komunal për mbrojtje dhe shpëtim dhe Kryqin e Kuq-Kumanovë, për shkak parandalimit të mbledhjeve të padëshiruara e grupeve më të mëdha të qytetarëve gjatë shpërndarjes së donacioneve, ka filluar aksioni për ndarjen e paketave për kategoritë më të rrezikuara sociale të qytetarëve në territorin e Komunës së Kumanovës.
Pronarë të bizneseve të vogla të qytetit, kryesisht butiqet, libraritë, parukeritë dhe sallonet e bukurisë, shkolla e e gjuhëve të huaja, kënde lojërash dhe dyqane automobilash, kanë kërkuar nga Komuna e Kumanovës që t’i ndihmojë ata financiarisht që të kapërcejnë krizën në të cilën ata përballen. Nëse nuk merren masa të tilla ekziston një rrezik që afro 500 punëtorë të rajonit të Kumanovës të mbeten pa punë. Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim gjithashtu ka dalur edhe me disa kërkesa shtesë. Përjashtimi nga pagesa e taksës komunale për vitin 2020 dhe lehtësimi i borxhit për vitin 2019, ngrirja e borxheve të prapambetura dhe të reja ndaj ndërmarrjeve publike të krijuara nga Komuna e Kumanovës gjatë krizës, ndihma financiare e njëhershme në vlerë prej 1000 euro.
Ndërkohë edhe një kërkesë e nënshkrua nga 113 pronarë biznesesh nga Kumanova iu drejtuan Qeverisë, për të cilat mendojnë se janë jetike për ta: Subvencionimi i pagave bruto për menaxherin dhe të gjithë punonjësit për mars, prill dhe maj, ngrirja e kësteve të kredisë, ngrirja e të gjitha borxheve të papaguara ndaj institucioneve publike para dhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe të paktën 1 muaj pas përfundimit të tij, ngrirja e të gjitha shpenzimeve të larta gjatë krizës dhe të paktën 1 muaj pas përfundimit të krizës, rekomandim për të gjitha subjektet private që japin me qira ambiente biznesi për ngrirjen e borxheve në emër të qirave. (koha.mk)