Ata që e njohin pak Kumanovën, janë viktimë e perceptimti të gabueshëm për këtë zonë. Mbase përgjegjësia për mosnjohjen e mjaftueshme të Kumanovës bie edhe mbi liderët partiakë, të cilët shtrirjen organizative të partive politike e bëjnë sipas një metodologjie shumë të njëtrajtshme që sipërfaqësinë dhe fokusimin brenda një rrethi të ngushtë njerëzish e kanë pranuar si metodën e tyre të vetme
Nga Emin AZEMI
Në diplomaci, gjeopolitikë por edhe në letërsi, ekzistojnë nocione metagjuhësore brenda një shpjegimi socio-psikologjik. Zakonisht na ka rënë të dëgjojmë a lexojmë për sintagmën “Amerika tjetër”, ose “Europa tjetër”, përkufizime këto që mëtojnë të na nxjerrin nga shabllonet e betonuara semantike, në një realitet më pak të njohur, por shumë i qenësishëm në instrumentariumin e domosdoshëm të njohurive që fshihen pas tabuve që i krijojmë vetë ne. Ata që kanë pa filma vestern në të kaluarën, bie fjala, e që nuk kanë mundur ta vizitojnë dhe ta njohin Amerikën nga afër, do të kenë mundur të krijojnë përshtypje se gjithë amerikanët janë kauboj.
Gjithashtu, shumë kush që vitet e fundit ka dëgjuar e lexuar për Kumanovën, mund të ketë rënë pahetueshëm në grackën e perceptimit të gabueshëm se ky është një vilajet i errët, i destinuar të prodhojë vetëm kriza, probleme e incidente, e çka jo tjetër. Por, në fakt është edhe një “Kumanovë tjetër”, një Kumanovë e njerëzve punëtorë e bujar, e profesorëve e mjekëve të dalluar, e atyre që shohin punët e tyre, por që janë shumë pak të pranishëm në kronikat që i krijon politika e keqe dhe mediat senzacionale.
Të ndodhur në një udhëkryq hapësirash e historish dhe të ballafaquar me furtunat që vinin nga Veriu e Lindja, shqiptarët e Kumanovës, ata që ngelën, sepse një numër i madh i tyre u shpërngul në Turqi, në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, dhe ata që erdhën nga fshatrat përreth (këndej dhe andej kufirit), u munduan të krijojnë identitetin e tyre etno-social në planin kolektiv e homogjen, por pa ndonjë sukses, ndërkohë që në planin individual (si shumë kund që ndodhë në hapësirën shqiptare) ata projektuan botën e tyre të suksesit e prestigjit, duke konkurruar bindshëm në një hapësirë më të gjerë kombëtare e ndërkombëtare.
Mosarritja e harmonizimit të objektivave kolektive me ato individuale, i ka bërë shqiptarët e Kumanovës të jenë shumë heterogjen në prirjet e tyre për organizim dhe aktivizëm shoqëror dhe për rrjedhojë të jenë shumë të ekspozueshëm ndaj autoriteteve e ndikimeve të jashtme, duke e shndërruar jo rrallë sinqeritetin e tyre në një “monedhë” tepër të lirë, me të cilën po paguajnë koston e një imazhi që pameritueshëm i identifikon ata.
Klanet e krijuara, jo mbi afinitete cilësish profesionale, intelektuale e qytetare, por mbi interesa ordinere, të atyparatyshme dhe në kundërshtim me të gjitha nevojat e aspiratat që kanë banorët e kësaj zone, ka kohë që janë bërë pengesë e zhvillimit normal të jetës komunitare politike, kulturore e sociale në Kumanovë. Instalimi pa sens dhe pa kriter i strukturave drejtuese lokale politike, tash e mbi dy dekada në rajonin e Kumanovës po regjeneron në vazhdimësi krizë dhe vetëm krizë.
Zakonisht nëse një defekt ndodhë në fillim dhe i njëjti tolerohet me vite, patjetër që do të sjellë një havari edhe më të madhe. Dhe havaria më kolosale që ka ndodhur në Kumanovë, në këto dekada tranzicion demokratik, është lënia jashtë proceseve e individëve e familjeve me taban kombëtar e me biografi profesionale e intelektuale dhe futja në lojë e aktorëve që vetën e dëshmuan se nuk ishin të përgatitur për maratona të gjata, se ata ishin futur shumë shpejt në garën e madhe të përgjegjësive e obligimeve. Janë po këta aktorë që brenda një harku kohor i ndryshuan klanet, qëndrimet, interesat. Janë po këta aktorë që refuzuan prurjet e reja të njerëzve të rinj, që janë më të ditur se ata. Janë po këta aktorë që përfaqësojnë Kumanovën në nivele qendrore dhe ata janë përcaktuesit e fatit edhe të atyre që dinë më shumë se ata.
Ata që e njohin pak Kumanovën, janë viktimë e perceptimti të gabueshëm për këtë zonë. Mbase përgjegjësia për mosnjohjen e mjaftueshme të Kumanovës bie edhe mbi liderët partiakë, të cilët shtrirjen organizative të partive politike e bëjnë sipas një metodologjie shumë të njëtrajtshme që sipërfaqësinë dhe fokusimin brenda një rrethi të ngushtë njerëzish e kanë pranuar si metodën e tyre të vetme.
Poqese bëhet një hulumtim pak më i imtësishëm dhe kjo shtrirje ndjek një skenim më të thellë të gjendjes, do të shohim se në pah do të del një Kumanovë krejtësisht tjetër, një Kumanovë e profileve e biografive konkurruese në një treg më të gjerë dijesh e afinitetesh.
Prandaj, ju që mendoni se na përfaqësoni dhe ju që vini shpejt e shpejt të na tregoni se kush vlen e kush nuk vlen këtu, është mirë ta studioni pak më detajisht këtë zonë, të nxirrni mësim nga pësimet e kaluara dhe të mbështetni politikat tuaja kadrovike mbi merita e jo mbi inate, mbi tru e jo mbi muskuj. Sepse, Kumanova është krejt tjetër… (koha.mk)