Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 janar – Sa herë kur në Maqedoni duhet të realizohet një proces arsimor i karakterit nacional – është e pamundur të mos vijnë në shprehje edhe dallimet e theksuara sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, shkruan gazeta KOHA. Konkretisht, është i pashmangshëm dallimi sa u takon kushteve në të cilat zhvillohet mësimi, respektivisht mungesës së kushteve elementare në shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Kështu, në gjimnazin “Sami Frashri” të Kumanovës, testimet eksterne të maturantëve do të duhet të organizohen në katër turne. Shkak për këtë është mungesa e kompjuterëve. Gjimnazi me rreth 1000 nxënës ka në dispozicion vetëm një kabinet informatik me 38 kompjuterë, ndërsa në periudhën prej 30 janarit deri më 2 shkurt – në këtë kabinet do të duhet të testohen 263 maturantë. E, që të arrihet kjo, siç tregon për KOHA drejtori Hisen Ramani, duhet që testimet të organizohen nëpër grupe – katër ose pesë grupe në ditë me qëllim që të gjithë maturantët të mbërrijnë të testohen nga dy herë. Sipas ligjeve me të cilat rregullohet çështja e vlerësimit të jashtëm të njohurive të nxënësve, të gjithë nxënësit nga klasa e gjashtë fillore deri në vitin e fundit të arsimit të mesëm duhet të testohen në dy lëndë, për të konstatuar nëse nota e testimit ekstren përkon me notën e shënuar nga mësimdhënësit. Eksternia organizohet kryesisht në muajin qershor, por për maturantët – ky proces organizohet në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor. Fillimisht ishte caktuar që testimet të mbahen nga data 23 deri më 27 janar, mirëpo meqë sivjet u shty për më vonë përfundimi i pushimeve dimërore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) solli vendim që të shtyhet për një javë më vonë edhe testimit ekstern. Për këtë arsye, testimi ekstern nuk do të nis në datën 23 janar, por më 30 janar, sikurse do të përfundojë më 2 shkurt, bën të ditur MASH-i. Në gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit, testimi do të organizohet gjithashtu në grupe. Për rreth 550 maturantë, shkolla ka në dispozicion katër kabinete me kompjuterë, të cilët sipas drejtorit Faruk Zeqiri, garantojnë qind për qind se procesi i testimit ekstern të maturantëve do të zhvillohet pa probleme. Këto kompjuterë, sikurse shpjegon Zeqiri, përdoren vetëm për testimin ekstern të nxënësve, ndërsa përveç kësaj – janë edhe të mirëmbajtur mirë. “Ne si shkollë kemi angazhuar një firmë, e cila bën mirëmbajtjen e kompjuterëve. Të gjithë kompjuterët janë në formë të mirë dhe jemi shumë të sigurt se do të funksionojnë si duhet gjatë periudhës së testimit ekstern”, shprehet Zeqiri. Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, shpjegon se kanë kërkuar disa herë nga MASH-i që ti pajisin të paktën edhe me një kabinet tjetër me kompjuterë, mirëpo përgjigja e fundit që morën vjet ishte se “nuk ka mundësi për një gjë të këtillë”. Arsyetimi i MASH-it, sikurse shpjegon Ramani, ka qenë se “projekti kompjuterë për çdo fëmijë ka mbaruar” dhe për këtë “duhet pritur deri në gjetjen e një mundësie tjetër”. Kur në Maqedoni u realizua projekti “Kompjuterë për çdo fëmijë”, gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë nuk ishte i themeluar. Paralelet me mësim në gjuhën shqipe ishin në kuadër të gjimnazit “Goce Dellçev”, i cili pajiste paralelet shqipe me ato çfarë tepronin në paralelet maqedonase. Testimi me katër ndërrime i maturantëve në gjimnazin “Sami Frashëri” nuk është asgjë e re. Kështu është vepruar çdoherë. Mirëpo, problemi shumëfishohet kur testimit duhet ti nënshtrohen rreth 750 nxënësit nga viti i parë deri të tretin. Atëherë, ose duhet të merren kompjuterë “hua”, ose të dërgohen nxënësit nëpër shkolla tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.