Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim ka kërkuar nga Qeveria që në të ardhmen pagesat, sidomos për personat e moshuar që marrin pensione, të kryhen përmes postës
Hekuran JASHARI
Kumanovë, 8 prill – Pas dy rasteve që përfunduan me fatalitet, si pasojë e virusit korona, qytetarët e Kumanovës kanë filluar të tregohen më të kujdesshëm në sjelljet e tyre. Por, ata sërish po i shfrytëzojnë orët e lira, jashtë orës policore që t’i kryejnë punët e çdoditshme që janë të domosdoshme për ta. Pikërisht kjo ka ndikuar që të krijohen tollovi nëpër markete dhe rende të gjata para bankave e sporteleve të ndryshme. Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim dje ka dalë me rekomandime dhe kërkesa të reja, pas intensifikimit të krizës shëndetësore në rajonin e Kumanovës. Për të evituar grumbullimin e madh të qytetarëve para institucioneve që kryejnë pagesa dhe shërbime të tjera, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim ka kërkuar nga Qeveria që në të ardhmen pagesat, sidomos për personat e moshuar që marrin pensione, të kryhen përmes postës. Kjo edhe për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit korona si pasojë grumbullimit të qytetarëve para bankave dhe institucioneve të tjera komunale.
Gjendja e krijuar si shkak i krizës shëndetësore, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë dobësi dhe mungesë kapacitetesh të kompanive shtetërore për ta menaxhuar këtë situatë. Në një gjendje të tillë ndodhet edhe NP “Pastrim dhe Gjelbërimi” , e cila është ballafaquar me mungesë mjetesh për dezinfektim, andaj Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim ka kërkuar nga Qeveria që të dërgojë në Kumanovë një automjet për spërkatje që do të shërbente për të kryer dezinfektimin e hapësirave publike.
Gjithashtu nga Qeveria është kërkuar që për nevojat e Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim të dërgojnë përforcim një kuadër nga Ministria për Punë dhe Politik Sociale.
Ndërkaq nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është kërkuar të dërgojnë një e-mail në ([email protected]) me listën e ordinancave private dhe të përgjithshme (emri i zonës , emri dhe kontakti i mjekëve të përgjithshëm, mjekëve specialistë, etj.), me qëllim të daljes në ndihmë të popullatës e cila ka nevojë për shërbime shëndetësore në këto kushte të jashtëzakonshme. Për familjet në nevojë, të cilat kanë nevojë për ndihma, Komuna e Kumanovës ka hapur edhe një linjë tjetër telefonike me numër 075 323 569, përmes së cilës këto familje do të jenë në gjendje të aplikojnë për pako me produkte ushqimore, higjienë personale dhe dezinfektues.
Gjithashtu, në dispozicion të qytetarëve është vënë edhe një linjë telefonike me numër 078 365 061, ku qytetarët do të mund të informohen për barnatoret që janë të hapura, marketet, për vendimet e Shtabit të krizave si dhe vendimet e Qeverisë, e tj. Deri sa po raportojmë numri i të i infektuarve nga stafi mjekësor në Spitalin e Kumanovës ka arritur në 18., kurse si hap të radhës nga e mërkurja pritet që Qeveria të aplikojë orën policore në mbarë territorin e vendit sipas modelit të Kumanovës, nga ora 16 der në 5 të mëngjesit. (koha.mk)