Menjëherë pas Shkupit, rreth 260 delikuent të mitur janë regjistruar në Kumanovë. Nga MASH-i theksojnë se në bashkëpunim me organet kompetente, do të marrin masa preventive, ndërkaq ligjet të cilat janë në fazën e përgatitjes, gjithashtu kanë strategji parandaluese
Remzije BILALLI
Shkup, 10 dhjetor – Gjatë vitit të kaluar, rreth 260 delikuent të mitur janë regjistruar në Kumanovë, tregojnë të dhënat e Këshillit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), e për të cilët është kërkuar ndihmë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Në Shkup ndërkohë, ky numër ka arritur në 293 në vitin 2017, ndërsa çdo ditë e më shumë regjistrohen incidente qofshin ato etnike apo edhe brenda një etnie në shkolla, sidomos në ato të mesme, shkruan gazeta KOHA.
Për këtë arsye, kriminologi Mile Ginovski, anëtar i Këshillit për Shkeljet e Fëmijëve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, prezantoi programin “Aftësitë adoleshente”, program ky që përfshin 105 vende nga bota. Ky Këshill, siç tha edhe Ginovski, ka regjistruar një numër të madh të rasteve të delikuencës të të miturve, ndërsa Kumanova tashmë është renditur edhe me Shkupin, megjithëse gati 20 herë është më e vogël me popullatë. “Kumanova të jetë së bashku me Shkupin, sepse Shkupi është metropol ndërsa Kumanova qytet më i vogël. Andaj, me iniciativën time i bëj thirrje prokurorisë, gjykatës për të mitur, të gjithë drejtorëve dhe psikologëve në shkolla dhe nxënësve, pa të cilët nuk duhet të bëjmë strategji që pikërisht atyre u dedikohet, ti propozojnë idetë e tyre dhe ti respektojmë propozimet për të bërë Strategji parandaluese për këtë çështje mjaft alarmuese”, tha Ginovski.
Ligji për Drejtat e Fëmijëve dhe programi “Aftësitë adoleshente”, nga e hëna do të fillojë në institucionet arsimore e që ka për qëllim ndërtimin e aftësive tek të miturit për t’u përballur me problemet e përditshme në jetë, me rol të theksuar për familjen. Siç theksoi edhe Ginovski, ky program do ti shërbej adoleshentëve që të aftësohen për sfidat, rreziqet që i presin e të cilat i hasim në çdo pjesë të qytetit. Ky program do të fillojë nga shkolla fillore “Bajram Shabani”, ndërsa do të përhapet edhe në shkollat tjera.
MASH ndërkohë theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, njësitë e qeverisjes vendore, shkollat, partnerët e huaj, organizatat dhe shoqëritë civile, punohet vazhdimisht për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës së re për rritjen e vetëdijesimit, sjelljen tolerante dhe tejkalimin e konflikteve pa dhunë. “Projekte të shumta të përbashkëta, si projekti për arsim të integruar dhe projekti me OSBE-në i titulluar ‘Shkolla të sigurta – mjedis në harmoni’, kanë karakter preventiv, ndërsa kontribuojnë në përmbushjen e prioriteteve të përfshira në dokumentet strategjike të Qeverisë e që synojnë parandalimin e çdolloj dhune, duke zhvilluar dhe stimuluar bashkëjetesën në shkolla. Kjo do të jetë në fokus edhe gjatë viteve të ardhshme”, thonë nga MASH.
Ligji i ri për Arsimin Fillor, i cili është në fazën e përgatitjes dhe do të miratohet pas konsultimeve përfundimtare me publikun, gjithashtu parasheh parandalimin dhe tejkalimin e këtyre proceseve si Neni 2 që përcakton që punonjësit e shkollave fillore janë të detyruara të promovojnë barazinë ndërmjet të gjithë nxënësve dhe të kundërshtojnë në mënyrë aktive të gjitha format e diskriminimit dhe dhunës. Edhe Neni 39 përfshinë programet për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe neglizhimi si dhe diskriminimi, ndërsa Neni 41 parasheh mbrojtjen shëndetësore dhe sociale të nxënësve, domethënë është paraparë që shkolla, në bashkëpunim me institucionet kompetente, të kujdeset për mbrojtjen sociale, veçanërisht për nxënësit e grupeve të cenueshme sociale, bazuar në programet e mbrojtjes sociale. (koha.mk)