Komuna e Kumanovës është alarmuar dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që të sigurojë kontrolle të makinave dhe njerëzve në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe të njëjtat të dezinfektohen, në të njëjtën kohë është kërkuar që ora policore në qytetin e Kumanovës të zgjatet nga ora 6 deri më 18
Hekuran JASHARI
Shkup, 23 mars – Përderisa ditë më parë qytetarët e Kumanovës ndiheshin më të relaksuar sa i përket prekjes nga virusi korona, kjo u ndërpre gjatë ditës së djeshme ku Ministria e Shëndetësisë dha lajmin e vdekjes së një paciente nga Kumanova nga virusi korona. 57 vjeçarja njëherit është edhe viktima e parë në nivel shtetëror, ndonëse gjatë dy testimeve të gruas së ndjerë rezultatet kishin dalur negative. Megjithatë testimi pas vdekjes tregon se shkaktar i vërtet i vdekjes së saj ka qenë virusi korona, ka konstatuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Këtë konstatim të ministrit e kanë kontestuar familjarët e të ndjerës, duke thënë se e afërmja e tyre nuk ka udhëtuar jashtë shtetit, konkretisht në Itali dhe se shkaku i vdekjes mund të jetë sulmi kardiak, e jo virusi korona.
Pas kësaj ngjarje tragjike, Komuna e Kumanovës është alarmuar dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që të sigurojë kontrolle të makinave dhe njerëzve në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe të njëjtat të dezinfektohen, në të njëjtën kohë është kërkuar që ora policore në qytetin e Kumanovës të zgjatet nga ora 6 deri më 18. Masat e Komunës së Kumanovës kanë qenë të menjëhershme pas alarmimit të viktimës së parë, me ç’rast ka ndarë 4 milionë denarë nga rezervat e buxhetit të komunës për përpalljen me virusin korona. Komuna parasheh se me mjetet e ndara, urgjentisht të sigurohet një makinë për dezinfektimin me vlerë prej 1.200.000 denarë, 60 pompa mekanike, 30 pompa motorike, mjete për dezinfektim, maska mbrojtëse, dorëza etj.
Përpos tjerash, Komuna e Kumanovës në raste urgjente dhe thellim të krizës, parasheh që tre objektet, konvikti i studentëve, shtëpia e zanatlinjve dhe salla e sportit, të lëshohen në përdorim për të sëmurit nga ky virus. Kjo situatë nuk ka lënë pa prekur edhe tregtarët. Shtabi komunalë për mbrojtje dhe shpëtim ka nxjerr vendim që tregu i kafshëve, si dhe tregu i vjetër të mbyllen, ndërkaq tregu i gjelbër të punojë me afat të shkurtuar prej orës 8 deri ora 14. (koha.mk)