Shkup, 1 dhjetor – Për këtë muaj, Gjykata Penale e Shkupit ka paraparë mbajtjen e pesë seancave gjyqësore lidhur me rastin “Grupi i Kumanovës”. Sipas zëdhënësit të kësaj gjykate, Dejan Ristovski, ende nuk ka informacione se kur parashihet të hapet për opinionin procesi gjyqësor, ndërsa e mbyllur seanca gjyqësore vazhdoi edhe sot. Në rast se Trupi gjykues për këtë lëndë, e udhëhequr me gjykatësen Verka Petrovska, vendos që në ndonjërën prej seancave të ardhshme gjykimi të jetë i hapur, nga Gjykata Penale thonë se me kohë do të informohet opinioni i gjerë. “Nëse nuk llogarisim 1 dhjetorin (ditën e sotme), ngelin edhe pesë data tjera në këtë muaj që të akuzuarit për ngjarjen në ‘Lagjen e Trimave’, vitin e kaluar, duhet të paraqiten para Trupi gjykues. Sidoqoftë, deri më sot e sigurt është se ky proces do të jetë i mbyllur edhe më tej. Në ndërkohë, ne përmes komunikatave publike do t’ju njoftojmë për ndryshimet eventuale në këtë plan”, tha Ristovski për gazetën KOHA.