Shkup, 31 tetor – Me dy manifestime kulturore për fëmijë në shkollat në Saraj dhe Kondovë është mbyllur projekti “Kulturë për të gjithë” i realizuar nga shoqata “Eko vita art”. Fëmijët e shkollës “Dituria” në Saraj dhe “Bajram Shabani” në Kondovë iu është dhënë mundësia që të ndjekin performacën me muzikë, balet dhe këngë dhe shfaqjen teatrore “Ëndrra e Gonit”, shkruan gazeta KOHA.
Të dy aktivitetet janë konceptuar si manifestime argëtuese nga disa zhanre, mes të cilave koreografi, teatër, muzikë. Në shkollën “Dituria” programi artistik është realizuar nga trupa e baletit e shkollës së mesme të baletit Ilija “Nikolvski Luj” që ka vënë në skenë disa pika artistike, si edhe nga një koncert me këngë të kënduara në festivalin e fëmijëve Ylberi. Ndërsa në shkollën fillore Bajram Shabani në Kondovë Teatri Pinokio nga Tetova ka vënë në skenë shfaqjen “Ëndrra e Gonit”.
“Ky projekt i radhës që u realizua në bashkëpunim edhe me komunën e Sarajit dhe drejtoritë e shkollave ka si qëllim që t’ju ofrojë fëmijëve që jetojnë në periferi akses në manifestimet kulturore dhe artistike. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm dhe sallat sportive u mbushën me fëmijë dhe nxënës të shkollave të kësaj zone”, thotë nga EkoVita Art. Projekti “Kulturë për të gjithë është mbështetur nga Qyteti i Shkupit si pjesë e programit të tyre “Nga Qendra në periferi. Gjatë këtij viti EkoVitaArt ka realizuar edhe disa manifestime si koncerti multikulturor në Saraj dhe Çair, “Dita e Rrushit”, e të tjera. (koha.mk)