Pas nënshkrimit të Protokollit me Bullgarisë, artistët kanë ngritur dilemat nëse krijimtaria dhe mendimi i lirë do t’i nënshtrohen kontrollit politik. Të autocensuruar, apo të censuruar? Ministria e Kulturës siguron se nuk do të luajë rolin e policit, por sipas marrëveshjes së nënshkruar do të duhet të ndërpresë financimin e atij projekti që nxit dhe promovon – gjuhën e urrejtjes
Evis HALILI
Shkup, 6 gusht – Nënshkrimi i Protokollit mes qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mes të tjerash parashikon që financimet shtetërore në kulturë të realizohen në frymën e fqinjësisë së mirë, duke evituar çdo projekt që nxit gjuhën e urrejtjes. Pikë kjo që ka nxitur debate në komunitetin artistik. Bëhet fjalë për censurë apo autocensurë të krijuesve? Vetë ministrja e Kulturës, Bisera Kostandinovska Stojçevska, ka deklaruar se Ministria e Kulturës nuk do të luajë rolin e policit dhe të hetojë se çfarë po ndodh, por nga ana tjetër – ka kujtuar se arti duhet të çlirohet nga e kaluara dhe të ecë përpara.
“Liria e artistit është e madhe dhe ai ka të drejtë të shprehet dhe askush nuk ka të drejtë ta kufizojë këtë në çdo moment. Çdo film që do të promovojë kulturën maqedonase, që do të tregojë individualitetin maqedonas që jemi si maqedonas duhet të ketë mbështetje. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të ecim përpara, të çlirohemi dhe historia të mos jetë më burg për ne, duhet të jetë mësim për ne”, ka deklaruar ministrja lidhur me paragrafin për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në Protokollin bilateral me Bullgarinë. “Lirisht le të krijojnë. Por të krijojnë në frymën për të kënaqur njerëzit dhe publikun. Jo diçka që do ta kthejë popullin sërish, në ca kohë të errëta ku realisht nuk pamë asgjë të mirë”, thekson ministrja e Kulturës.
Në Protokollin, i cili është procesverbali i mbledhjes së dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, në pikën e tretë thuhet se në lidhje me parandalimin e gjuhës së urrejtjes, të dy vendet ndër të tjera ndërmarrin si më poshtë:
“Të garantojnë se financimi shtetëror i librave të rinj, edicioneve dokumentare dhe revistave, filmave dhe prodhimeve të tjera artistike, si dhe i monumenteve e festimeve të kulturës, do të realizohet në frymën e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit. , dhe në këtë kontekst, çdo subjekt i financuar nga shteti do të konfirmojë përmes një deklarate të qartë dhe detyruese se do të ndjekë me vëmendjen e nevojshme çështjen e mospranimit të të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes dhe mospërmbushja e kësaj detyre do të përbëjë arsyet për ndërprerjen e financimit të mëtejshëm shtetëror të një subjekti të tillë”, thuhet në të.
Protokolli i dytë bilateral për përmbushjen e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë të vitit 2017, në përputhje me nenin 12 të saj, u nënshkrua më 17 korrik në Sofje nga ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Maqedonisë, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani. Nënshkrimi i protokollit është pjesë e kornizës negociuese për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Nga ana tjetër, sipas nenit 16 të Kushtetutës së Maqedonisë, censura është e ndaluar dhe liria e fjalës është e garantuar. Mbetet për t’u parë se si protokolli i nënshkruar do të ndikojë në mendimin krijues vendas. (koha.mk)