Kulturë e bllokuar për pjesën shqiptare

344

Me buxhetin e parashikuar pritet që projekte kapitale si ai i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, por edhe realizimi i projekteve të tjera më të vogla, si ndërtimi i Shtëpive të Kulturës në Bogovinë, apo përfundimi i Shtëpisë së Kulturës në Likovë të ngecin, e në rastin më të keq – as të mos realizohen. Kjo është edhe arsyeja që për vite me radhë shumë komuna shqiptare si Haraçina, Saraji, Likova, Bogonia e të tjera janë të privuara nga bllok-dotacionet në kulturë, për shkak të mungesës së qendrave të kulturës në këto zona që parashikohen dhe nuk arrijnë të ndërtohen për vite me radhë

Evis HALILI

Shkup, 2 dhjetor – Ministria e Kulturës do të reduktojë investimet në kulturë për vitin e ardhshëm. Me buxhetin e parashikuar – pritet që projektet kapitale si ai i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, por edhe realizimi i projekteve të tjera më të vogla, si ndërtimi i Shtëpive të Kulturës në Bogovinë, apo përfundimi i Shtëpisë së Kulturës në Likovë, të ngecin e në rastin më të keq as të mos realizohen, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Kulturës ka ndarë vetëm 90 milionë denarë për këtë vit për vijimin e punimeve në fazën e dytë të projektit kapital për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës, ndërkohë që e tërë faza ka një kosto prej 26 milionë eurove. Faza e parë e punimeve është mbyllur gati dhjetë muaj më parë dhe prej atëherë – ky proces ka mbetur i bllokuar. Deri tani, për këtë projekt kapital janë derdhur 13 milionë euro për përfundimin e fazës së fazë, fazë kjo që ka zgjatur rreth 8 vjet.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk parashikohen as fonde për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Komunën e Bogovinës, gurthemeli për ndërtimin e së cilës është vendosur në muajin nëntor të vitit të kaluar në fshatin Kamjan. Fonde gjithashtu nuk janë ndarë as për përfundimin e një tjetër projekti që zgjatet me vite, ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Likovë. Kjo është edhe arsyeja që për vite me radhë shumë komuna shqiptare, si Haraçina, Saraji, Likova, Bogovina e të tjera janë të privuara nga bllok-dotacionet në kulturë, për shkak të mungesës së qendrave të kulturës në këto zona që parashikohen dhe nuk arrijnë të ndërtohen për vite me radhë. Sa i takon kulturës, fondi i ndarë për bllok-dotacionet në kulturë për vitin 2021 është 35.233.000 denarë. Siç mund të shihet, nga përfituesit e listuar janë kryesisht komunat maqedonase, nga më të mëdhatë, e deri tek ato më të vogla dhe me shifra të ulëta të banorëve. Shumën maksimale nga fondet e akorduara e merr Qyteti i Shkupit (171.947.215 denarë), pas tij radhiten Komuna e Prilepit, Kavadarit, Strumica, por edhe të tjera si Çuçer Sandeva, e të tjera. Projektbuxheti për kulturën, i prezantuar nga ministrja e Kulturës është mbi 3.276.430.000 denarë, (1.23 për qind e buxhetit të përgjithshëm) dhe fondet e destinuara për financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë në vitin 2021 arrijnë në 970.100.000 denarë. Buxheti për kulturën është 10 milionë denarë më pak sesa ai i një viti më parë, raporton KOHA.

Sa i takon financimeve të tjera të parashikuara, Muzeu i Alfabetit në Manastir do të marrë mbi 2.5 milionë denarë, ndërsa Qendrës së Konservimit në Gostivar mbi 7.2 milionë denarë. Veprimtari të tjera ku nuk do të kursehet këtë vit janë trashëgimia, folklori, filmi, muzika… Për muzikën dhe dramën janë përcaktuar me nga më shumë se 520 milionë denarë, dhe në shumë të përafërta do të mbështetet edhe folklori. Ndërsa filmi, një prej veprimtarive më të financuara për vite me radhë i janë akorduar mbi 200 milionë denaë. Sipas ministres, buxheti për vitin 2020 ka hyrë thellë në “qilimin” e buxhetit për vitin e ardhshëm. Rreth një e treta e detyrimeve për këtë vit transferohen në vitin tjetër, për arsye se në maj të këtij viti buxheti u zvogëlua me 30% dhe e dyta, sepse në qershor dhe korrik anekset u lidhën me kontratat për të rritur shumat në aktivitete të caktuara , si dhe pranimin e projekteve pas ankesave që më parë ishin refuzuar ka sqaruar ministrja Stefoska. (koha.mk)