Evis HALILI
Shkup, 29 maj – Procesi i finalizimit të disa prej projekteve kapitale në kulturë po ecën me ritme të përshpejtuara, madje edhe për disa prej atyre që i kanë tejkaluar afatet, apo të tjera që duhet të përfundonin vitin e ardhshëm. Të tilla, si kompleksi Shën Klimenti në Pllaoshnik, Ohër, Filarmonia, rekonstruktimi i Operës dhe Baletit, Teatri Shqiptar i Shkupit, prezantimi i Teatrit Antik në Skupi, e të tjera që priten të startojnë janë pjesë e listës së projekteve që do të zbrazin arkën e buxhetit dhe do të jenë preludi i fushatës së ardhshme zgjedhore, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu nuk mungojnë edhe projekte që janë harruar, por që vazhdojnë të figurojnë në programin e Qeverisë, si zgjidhja e kontestit pronësor të Muzeut të Alfabetit, rindërtimi i konakëve të Havzi Pashës në Bardovcë, shndërrimi i hamamit të Jaja Pashës në galerinë e Omer Kaleshit dhe Adem Kastratit e të tjera. Në lajmërimin më të fundit të Ministrisë së Kulturës është vënë në listën urgjente të projekteve që duhet të realizohen brenda këtij viti edhe kompleksi Shën Klimenti, edhe pse afati i parashikuar në programin qeveritar është vitin e ardhshëm. Shiriti i inaugurimit të punimeve u pre në vitin 2010 dhe duhej të dorëzohej fillimisht në vitin 2014, por ritmet e punimeve u ngadalësuan duke e nxjerrë jashtë listës së prioriteteve këtë projekt që kushton 28 milionë euro. Dy ditë më parë nga ky institucion bënë me dije se po punohet intensivisht për përfundimin e punimeve të Qendrës shkencore multimediale, por edhe po punohet paralel në konservimin e artefakteve që po zbulohen. Sipas kreut të Ministrisë së Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska dhe ish kryeministrit Nikolla Gruevski që inspektuan punimet, brenda këtij viti duhet të përfundohet me ndërtimet dhe ekspeditat arkeologjike. Pak ditë më parë u inaugurua po ashtu një projekt tjetër kapital, i cili stagnoi për disa vite, por që punimet rinisën vitin e kaluar dhe u mbyllën në kohë rekord. Projekti i godinës së Filarmonisë fillimisht planifikohej të kushtonte gjashtë milionë euro, por me ndryshimet që pësoi fatura finale arriti në 39 milionë euro. Është një prej objekteve më të mëdha të kulturës, shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 12 mijë metra katrorë dhe gjatë inaugurimit u cilësua nga kreu i Kulturës si referencë e re e hartës kulturore të Evropës. Edhe Teatri Shqiptar i Shkupit, rikonstruktimi i të cilit është zvarritur prej disa vitesh, u vendos në listën urgjente të projekteve që duhet të mbyllen këtë vit, që nënkupton se ritmi i mjeteve financiare do të duhet të përshpejtohet në mënyrë që sipas paralajmërimit nga Ministria e Kulturës të përfundohet gjatë muajve të ardhshëm. Ndërkohë që projekte të tjera kapitale janë lënë në fillim të vjeshtës për të nisur, si Salla universale, që përfshin rikonstruktimin e objektit ekzistues dhe ndërtimin e disa të tjerave. Gjatë këtij muaji po punohet për projektimin dhe në fillim të vjeshtës do të inaugurohet fillimi i ndërtimit që do të zgjasë disa vite. Gjatë këtyre muajve Ministria e Kulturës po ashtu ka vijuar me rikonstruktimin e një sërë fasadave të shtëpive dhe objekteve karakteristike në shumë qytete.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara