Në debatin më të fundit të organizuar nga Komisioni parlamentar i kulturës vërejtjet kanë qenë të ngjashme, për formën e përgjithshme të përmbajtjes, pa masa e afate konkrete qoftë në vetë dokumentin kryesor apo edhe atë shoqërues, Planin e veprimit. Përfaqësuesit e institucioneve nacionale të kulturës janë përfshirë në këtë debat dhe kërkojnë një sërë ndryshimesh, sidomos në një prej sferave më problematike, atë të trashëgimisë
Evis HALILI
Shkup, 3 prill – Debati për Strategjinë kombëtare të zhvillimit të kulturës 2018-2022 vazhdon, edhe pas një sërë vërejtjesh dhe plotësimesh të versionit fillestar të hartuar nga Ministria e Kulturës dhe miratimit nga Qeveria në muajin shkurt, shkruan gazeta KOHA. Në debatin më të fundit të organizuar nga Komisioni parlamentar i kulturës vërejtjet kanë qenë të ngjashme, për formën e përgjithshme të përmbajtjes, pa masa e afate konkrete qoftë në vetë dokumentin kryesor apo edhe atë shoqërues, Planin e veprimit. Përfaqësuesit e institucioneve nacionale të kulturës janë përfshirë në këtë debat dhe kërkojnë një sërë ndryshimesh, sidomos në një prej sferave më problematike, atë të trashëgimisë. Shkrirja e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë konsiderohet si një masë prioritare për të rregulluar kaosin në sektorin e trashëgimisë.
Drejtori i Qendrës Nacionale të Konservimit, Memet Selmani në pesë vërejtjet drejtuar komisionit të kulturës kërkon që DMTK së bashku me Sektorin e trashëgimisë kulturore pranë Ministrisë së Kulturës të formojnë një nisi të re organizative – Inspektorati i trashëgimisë kulturore.
“Kjo Strategji është konfuze, e përgjithësuar dhe nuk krijon zgjidhje të problemeve që i kemi prej vitesh, kur DMTK në vend që të avanconte veprimtarinë, solli burokratizimin, administrimin dhe ngadalësimin/ngecjen e panevojshme në këtë sferë. Kësaj drejtorie i janë dhënë kompetenca të reja që nuk janë në suaza të autorizimeve të saj, për të mundësuar punën e saj të paligjshme, siç është rasti i hartimit të Strategjisë Nacionale, që është në kompetenca të Këshillit Nacional dhe ekspertëve ”, thotë Selmani.
Sipas tij, problemi më i madh është përvetësimi i shumë operacioneve profesionale nga ana e DMTK, si gërmimet arkeologjike, planet dhe programet e mbrojtjes, monitorimi i gjendjes së trashëgimisë, rastet kur DMTK është shfaqur si investitor, ndërsa institucionet e mbrojtjes si të angazhuar.
“Po ashtu kërkojmë që entet e tjera të jenë në kompetenca tona, pasi qasjet e DMTK ndaj disa prej tyre kanë qenë subjektive dhe shumë projekte të tyre janë refuzuar ose penguar”, thotë Selmani. Të tilla janë problemet me statusin e Qendrës së Konservimit në Gostivar, pengimin e gërmimeve arkeologjike në zona shqiptare e të tjera. Janë gjithsej pesë kërkesa që QNK kërkon të zbatohen në tekstin për zhvillimin pesë vjeçar të kulturës. Një prej tyre është transformimi i shërbimeve të mbrojtjes, pasi modeli aktual ende nuk është zbatuar dhe nuk dihet se kur mund të jetë aktiv.
Qendra sugjeron modelin e centralizuar mes saj dhe enteve të tjera të mbrojtjes, ose shtrirjen e kompetencave të tyre në kuadër të qendrës nacionale. Edhe Plani i veprimit për Strategjinë 2028-2022 nuk përmban paragrafë të posaçëm, sa i takon kompletimit me kuadrin deficitar, sesi do të plotësohen mangësitë në institucione që numërojnë më gishta ekspertë të trashëgimisë. Ngjashëm edhe për kuadrin në sektorin e konservimit, për të cilat QNK konstaton se nuk janë cekur në Planin e Veprimit. Strategjia po ashtu nuk ka miratuar as edhe një fond të veçantë për trashëgiminë kulturore, edhe pse është një opsion i tillë, ky dokument nuk paraqet asgjë konkrete për vendosjen e një sistemi përmes marrjes së fondeve.
Propozim Strategjia për e zhvillimin e kulturës pati vërejtje të cilat nuk u përfshinë në versionin e fundit, sidomos sa i takon kulturës shqiptare, për të cilën mungon mënyra e afirmimit të saj, institucionalizimi e kultivimi në suaza të konceptit qytetar. Të paqarta mbeten kalimet nga multikultura në interkulturë, nga kultura me interes nacional në kulturë me interes publik. Sipas paralajmërimeve të ministrit të Kulturës, Robert Allagjozovski, reformat e para priten të jenë në sferën e trashëgimisë, ku pritet edhe një ligj u ri, tek institucionet nacionale, një pjesë prej të cilave mund të kthehen në lokale, e të tjera. (koha.mk)