Evis HALILI
Shkup, 16 nëntor – Me fokusin tek rinia dhe e drejta e tyre për të jetuar në një botë tolerante, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve është shënuar, 16 nëntori, Dita Ndërkombëtare e tolerancës, në bashkëpunim edhe me misionin e Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit (OSBE) në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Investimi në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, krijimin e një kulture të re të tolerancës, por edhe në reformat urgjente në arsim kanë qenë apeli i drejtuar nga kjo konferencë në ASHAM. Në Maqedoni ndasitë etnike janë më të theksuara në sferën e arsimit, ka konstatuar zëvendësshefi i misionit të OSBE-së, Xhefri Goldstin. Si shembull ai solli preferencat e nxënësve shqiptarë e maqedonas për të mësuar në shkolla të veçanta, që tregon se ndarja sipas vijës etnike është më e theksuar në arsim. Është kjo edhe një prej arsyeve që ky mision vazhdimisht bashkëpunon me Qeverinë dhe organizatat joqeveritare për implementimin e plotë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, në mënyrë që të gjitha bashkësitë etnike të gëzojnë të drejta të barabarta, ka potencuar Goldstein.
“Në kohët tona të rinjtë janë më të ndikuar nga ideologjitë jotolerante, që deri në një nivel të caktuar është evidente edhe në Maqedoni…. Toleranca dhe të rinjtë janë dy aspekte, shumë të rëndësishëm për OSBE. Këshilli i Ministrave në 2015 miratoi Deklaratën për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, në luftë kundër terrorizmit dhe e dënoi mungesën e tolerancës e cila para së gjithash bazohet mbi përkatësinë fetare”, ka thënë zëvendës shefi i Misionit të OSBE. Në hapjen e konferencës së gjashtë me radhë që i kushtohet Ditës ndërkombëtare të tolerancës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Taki Fiti u shpreh se kultura e tolerancës erdhi në ndihmë në kulmin e krizës politike dhe shoqërore me të cilën u përball Maqedonia, si një mekanizëm të fuqishëm për të relativizuar dhe tejkaluar problemet dhe tensionet nga të gjitha domenet e jetës.
“ASHAM ka bërë thirrje port tolerancë edhe kur debatohej dhe ende debatohet për animozitetin e madh mes lidershipeve të partive politike, që rezultoi me një ndarje të tmerrshme të qytetarëve mbi këtë bazë. Edhe kur diskutuam dhe diskutojmë për partizimin e institucioneve, përkeqësimin e të drejtave fundamentale të njeriut…. ”, ka thënë kreu i ASHAM, Taki Fiti. Sot, Maqedoni gjendet në një udhëkryq, të shkojë në rrugën e stangimit, kulturës së intolerancës…., ose të drejtohet në shtegun e integrimeve euroatlantike e të një kulture të re për të drejtat e njeriut. Kështu është shprehur në fjalën e tij akademiku Vllado Kambovski, i cili gjithashtu ka potencuar se nevojiten strategji të reja në mënyrë që të rinjtë të ndihmohen për të kërkuar një status më të mirë dhe të jenë forcë udhëheqëse e një shoqërie që zhvillon kulturën e tolerancës.
“Do të mjaftonte që për këtë tezë që të analizohej strategjia e Agjencisë së Rinisë dhe Sportit për të rinjtë 2016-2025 dhe të shihet se është e mbushur me retorikë boshe dhe masa që nuk kanë lidhje me gjendjen dhe nevojat e të rinjve….Tani ne gjendemi përballë një projekti shumë të rëndësishëm – krijimin e një sistemi të ri edukimi dhe arsimimi të çliruar nga çdo lloj ndikimi politik, ideologjik, fetar, e të tjera…”, ka thënë Kambovski. (koha.mk)