Mediat raportojnë për ngjarjet kulturore, por gabojnë shumë kur në krye të lajmit vendosin fjalët e politikanëve. Këta të fundit mund të mbajnë fjalime nëpër promovime dhe ekspozita, por detyra e gazetarëve është që të raportojnë për thelbin e ngjarjes, e jo për bishtin e saj. Në çdo ngjarje kulturore ku politikanët mbajnë fjalime, këto në gazetari quhen bishta
Emin AZEMI
Në ngjarjet tona kulturore, në fillim përshëndeten politikanët dhe pastaj iu jepet fjala. Ata lexojnë dhe nganjëherë e harrojnë renditjen e faqeve, sepse jo gjithmonë ata janë autorë të fjalimeve. Nëse një ngjarje kulturore te ne zgjatë një orë, vetëm pas dyzetë minutave e merr vesh se kush ka promovua një libër, apo ka ekspozua ndonjë pikturë. Protokolli i politikanëve ngulfat dhe ia merr frymën ngjarjes kulturore. Gjithkund në botën e qytetëruar politikanët kur vizitojnë një ngjarje kulturore, aty janë vetëm si dashamirë të librit, pikturës, teatrit etj. Atje politikanët nuk mbajnë fjalime dhe nuk e eklipsojnë eventin kulturor. Kjo ndoshta është arsyeja se pse atje në fjalimet e politikanëve në parlament e qeveri, ka më shumë retorikë zgjuarsie, kurse në komunikimet e tyre me shkrim ka më shumë sintaksë të rrjedhshme gjuhësore.
Mediat raportojnë, por gabojnë shumë kur në krye të lajmit vendosin fjalët e politikanëve. Këta të fundit mund të mbajnë fjalime nëpër promovime dhe ekspozita, por detyra e gazetarëve është që të raportojnë për thelbin e ngjarjes, e jo për bishtin e saj. Në çdo ngjarje kulturore ku politikanët mbajnë fjalime, këto në gazetari quhen bishta. Ndoshta, me kalimin kohës politikanët dhe organizatorët e ngjarjeve kulturore do ta kuptojnë strukturën e brendshme të një aktiviteti, por edhe hierarkinë e personave që përbëjnë atë strukturë.
A ka sens që një alamet shkrimtar të pret një orë të merr fjalën dhe të flet për veprën e tij dhe në fund fjala e tij të tingëllojë si një pikë ujë në një kazan të zbrazët, sepse politikanët që kanë marrë pjesë, nuk i ke aty, ata kanë ikë. Ata i kanë lexua fjalimet që ua kanë shkrua të tjerët dhe shkojnë në kafenenë aty afër që të lavdërohen se sa janë më mendjendritur se njerëzit e letrave. Sigurisht do të vijë dita që secili do ta dijë vendin ku e ka. Kjo do të ndodhë edhe me ngjarjet kulturore, ku pjesëmarrja e politikanëve nuk do të përcillet me ndonjë lajm të jashtëzakonshëm. Aty ku kultura dhe politika mundohen të bëjnë bashkë injorancën dhe krijimtarinë, aty qytetërimi i vërtetë do të jetë nocion i huaj.