Evis HALILI
Shkup, 13 maj – Konkursi për akordimin e çmimit shtetëror “11 Tetori”, është një prej çmimeve të fundit që jepen për këtë vit. Skadimi i mandateve të anëtarëve të disa prej këshillave për ndarjen e çmimeve ka bërë që në muajin prill të mos shpallet konkursi për çmimin “23 Tetori”, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, i “djegur” konsiderohet edhe çmimi “Shën Klimenti i Ohrit”, i cili duhet të shpallet në fillim të muajit të ardhshëm. Në rrezik po ashtu është edhe çmimi “Mito Haxhi Vasiliev”, mandati i anëtarëve të këshillit për ndarjen e këtij çmimi po ashtu ka skaduar dhe i cili duhet të shpallet në muajin tetor. Në Ministrinë e Kulturës thonë se bllokimi i punës së Parlamentit, përkatësisht mosfunksionimi i Komisionit të zgjedhjeve dhe emërimeve që merret me emërimet e kryetarëve dhe 12 anëtarëve të këshillave për ndarjen e çmimeve ka sjellë bllokimin e konkurseve për dy “23 Tetorin” dhe me shumë gjasa edhe “Shën Klimentin e Ohrit”, që duhet të shpallet në fillimin të muajit të ardhshëm. Çmimi “23 Tetori”, është një prej atyre më të reja që akordohet prej dhjetë vitesh. Përkon me Ditën e Luftës revolucionare maqedonase dhe mbajtësit të saj i jep mirënjohje më të lartë për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike. Shpërblimi është sa dhjetë paga mujore dhe maksimumi i akordimeve është pesë. Një tjetër konkurs që po ashtu konsiderohet si i anuluar, për shkak të kohës së pakët të mbetur në dispozicion është ai “Shën Klimenti i Ohrit”, që sipas rregullores duhet të shpallet pas dy javësh. Ky çmim (Dita e Shën Klimentit, 8 dhjetor), jep mirënjohjen më të lartë për arritje në edukim, arsimit, kulturës, artit, shëndetit, sportit, mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit human dhe në veprimtarinë sociale. Mund të akordohen deri në pesë të tilla dhe shpërblimi është dhjetë paga mujore. Ky është një prej çmimeve më të vjetra, që ndahet që prej vitit 1969. Për nga vetë simbolika është një prej çmimeve që mbahet pak ose nga aspak individë, shoqatë, e të tjera shqiptare. Çmimi i tretë, “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” (21 dhjetor), jep mirënjohje për arritje në sferën e publicistikës dhe gazetarisë. Mund të ndahen deri në dy çmime dhe shpërblimi është sa pesë paga mujore. Ky çmim po ashtu është edhe një nga më të vjetrit që ndahet që prej vitit 1969.
“Për aq kohë sa emërimet të mos bëhen nga Parlamenti konkurset nuk do të shpallen. Mandatet e anëtarëve kanë skaduar dhe cilët do të jenë anëtarët e rinj duhet t’i zgjedhë komisioni parlamentar”, thonë për KOHA në Ministrinë e Kulturës. Në sektorin për ndarjen e çmimeve shtetërore në Ministrinë e Kulturës, aty ku edhe sapo kanë shpallur konkursin për akordimin e çmimit “11 tetori”, e cili vazhdon deri në fund të fund të këtij muaji thonë se interesimi i institucioneve, shoqatave, apo edhe individëve për të propozuar kandidatura shqiptare që kanë dhënë kontribute në fusha të caktuara në këto konkurse është jashtëzakonisht i vogël. Nga ana tjetër vetë lista e çmimeve shtetërore pasqyron karakterin mono-etnik të mirënjohjeve që jepen. Nga të gjitha çmimet vetëm si i “Nënë Terezës” tejkalon barrierat etnike, por që prapëseprapë është një çmim, nga i cili edhe benefitet materiale janë të vogla.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara